“Do doja të mos shpëtoja nga vetëvrasja”

08/11/2011 19:45

Rruga që lidh fshatin Këmishtaj me superstradën Lushnje-Fier, ashtu si Rozafa, kërkoi sakrificën e vet. Ai ishte Mariglen Maka.

Vetëm 7 ditë para se të përplasjej për vdekje kishte festuar 21-vjetorin e lindjes. Një vit pas asaj humbjeje tragjike, prindërit e tij, Majlinda dhe Pandeliu, kryen vetëvrasje. Gruaja humbi jetën pas dozës së fotoksinës, ndërsa bashkëshorti u shpëtua nga doktorët. Qëndron në oborrin e shtëpisë dhe duket si një fantazmë. Dikur, ky zotëri ishte Pandeli Maka, një fshatar i thjeshtë dhe i lumtur.

Ky fatkeq falenderon mjekët, por nuk është mirënjohës që i shpëtoi vdekjes sepse e dëshironte atë. E ka të pamundur të flasë në mënyrë logjike dhe në çdo fjali, ashtu siç ka ndodhur në vitin e fundit, përmend djalin e tij.

Kasollja e improvizuar shtëpi dikur nuk dukej kurrë kaq e tmerrshme sa sot. Aty banonte një familje e lumtur që punonte çdo ditë ndershmërisht, pa kërkuar e marrë asgjë nga askush. Jetonin tre frymë mes skamjes dhe dashurisë për njëri-tjetrin.

“Jeta ka qenë e vështirë për ta, por kishin shumë harmoni”, shprehet një banor i zonës.

Pandeli Maka e kishte dashur shumë familjen: bashkëshorten dhe djalin që po bëhej burrë. Një shëtitje e zakonshme me motor në një pasdite të zakonshme do të kthehej në një ditë të zezë në kalendar. Pandeliu rrëfen se ai përpiqej që çdo ditë t’i jepte kurajo bashkëshortes.

Marigleni ishte i gjithë gëzimi i një gruaje të rritur jetime. Kishte vendosur që të mos e linte kurrë vetëm djalin e saj dhe ky premtim i kishte marrë parasysh të gjitha.

Sera dikur pjellore është kalbur, shtëpia në ndërtim e sipër është lënë përgjysmë përgjithmonë, asgjë nuk ka më vlerë dhe kuptim.

“Jeta ime iku bashkë me djalin”, thotë Pandeliu.

Top Channel