Shtyhet gjyqi për Bandën e Durrësit

07/11/2011 00:00

Mungesa e avokatëve ka bërë që të shtyhet në Gjykatën e Krimeve të Renda
gjyqi ndaj anëtarëve të Bandës së Durrësit. Në seancën e sotme mungonin
dy avokatët mbrojtjës të të pandehurit Indrit Dokles.

Në seancën e sotme pritej që mbrojtja të paraqeste konkluzionet e saj për çështjen ndërsa kishte kërkuar më herët që gjykata t`i linte një kohë të mjaftueshme për të përgatitur mbrojtjen e tyre, pasi çështja është komplekse dhe mjaft voluminoze.

Në mes të muajit tetor Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi katër burgime të përjetshme dhe 265 vite burg për 16 të pandehurit që formojnë të ashtuquajturat bandat e Durrësit, të kryesuara nga Lulzim Berisha dhe Indrit Dokle, të cilët akuzohen për një mori ngjarjesh kriminale nga viti 1998 deri në vitin 2006, kohë në të cilën janë arrestuar. Procesi i stërzgjatur gjyqësor ka nisur në muajin korrik të vitit 2007 dhe deri ditën e djeshme janë zhvilluar më shumë se 200 seanca gjyqësore. Në seancën e djeshme gjyqësore, prokurorët Anton Martini dhe Behar Dibra kanë lexuar konkluzionet përfundimtare të përbëra prej 286 faqesh. Seanca nisi në orën 09:00 dhe përfundoi më 15:30, dhe përgjatë kësaj kohe akuza listoi me radhë të gjitha akuzat ndaj 16 të pandehurve.

Prokuroria tha se një rol të çmuar ka dhënë në këtë proces bashkëpunëtori i drejtësisë, Dritan (Adriatik) Coli me të cilin Prokuroria për Krime të Rënda që në fillim të hetimeve paraprake ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi në muajin mars të vitit 2004. “Ky i pandehur i ka qëndruar plotësisht pikave të marrëveshjes së bërë me ne dhe siç u konstatua, ka dhënë një kontribut të vlefshëm duke bërë deklarime të plota pa asnjë rezerve ose kusht për të gjitha faktet, ngjarjet dhe rrethanat, duke shërbyer si provë e rëndësishme për hetimin dhe gjykimin e të pandehurve të këtij procesi”, – tha prokuroria Anton Martini, sipas së cilit deklarimet e Colit, por edhe provat e tjera kanë shërbyer për zbardhjen e ngjarjeve kriminale në Durrës, ku dhjetëra persona janë vrarë si pasojë e konflikteve midis bandave. Akuza tha se masa e lartë e dënimit ka të bëjë edhe me rrezikshmërinë shumë të lartë shoqërore që paraqesin veprat penale që kanë konsumuar të pandehur.

Top Channel