Mbrojtja nga taksa e sheshtë

07/11/2011 00:00

Në vitin 2007 kur aplikoi taksën e sheshtë, që rriti detyrimet e
individëve me të ardhura të ulëta, qeveria vendosi një masë që ta
mbronte sadopak këtë shtresë.

Për të gjithë ata me pagë deri në 30 mijë lekë në muaj, 10 mijë lekëshi i parë u përjashtua nga tatimi. Kjo bënte që tatimi real mbi të ardhurat për këta individë të mos ishte 10 për qind si për pjesën tjetër, por të varionte nga 4.5 për qind për ata me pagë minimale deri në 6.6 për qind për ata që kishin pagën në kufirin maksimal 30 mijë lekë.

Që nga ajo kohë, kufiri i pages ka mbetur i njëjtë. Bazuar në të dhënat zyrtare të INSTAT nga janari i vitit 2007, cmimet në treg janë rritur me 15.6 për qind. Për të varfërit efekti negativ i inflacionit ka qenë edhe më i madh, pasi rritja e cmimeve ka qenë më e lartë në produktet bazë si ushqimet, gati 22 për qind.

Kjo do të thotë se me 30 mijë lekë aktualisht mund të blesh 15.6 për qind më pak mallra dhe shërbime se sa në vitin 2007 dhe nëse je i varfër dhe pjesën dërrmuese të të ardhurave e shpenzon për ushqime, 30 mijë lekëshi vlen edhe më pak. E thënë ndryshe qeveria po i mbron të varfërit tani më pak se sa në vitin 2007 nga efekti negative i taksës së sheshtë mbi buxhetet e tyre.

Qeveria ka bere rritje pagash per te kompensuar rritjen e cmimeve por kjo eshte e pamjaftueshme. Së pari, qeveria i ka rritur pagat vetëm për sektorin publik, ku punojnë 10 për qind e të punësuarve dhe nuk mund të garantojë nëse biznesi ka bërë të njëtën gjë.

Së dyti të gjithë ata që kanë një pagë nën kufirin 30 mijë lekë, pavarësisht se sa u është rritur ajo janë prapë më pak të mbrojtur se sa ata që kishin një pagë 30 mijë lekë në 2007. Rruga më e mirë për të mbajtur të pacënuar të ardhurat e kësaj shtrese do të ishte indeksimi i fashës së patatueshme, të paktën sa rritja e cmimeve, që mund të bëhet ose përmes rritjes së nivelit dysheme, pra 10 mijë lekëshit të parë ose duke rritur tavanin prej 30 mijë lekë, apo një kombinim i të dyjave. Në rast krizash ekonomike të ardhurat e shtresës së ulët janë ato që goditen më fort nga të shtresat e tjera. Për këtë qeveritë në kohë krizash, jo vetëm që nuk i cënojnë por përkundrazi i rrisin masat mbrojtëse për të varfërit. Një nga funksionet bazë të buxhetit është ai që ekonomistët e quajnë stabilizimi automatik i ekonomisë, ku shteti në kohë krizash edhe rrit transfertat për këtë shtresë përmes ndihmës ekonomike, por dhe ul detyrimet e saj. Për më tepër që kostoja në buxhet është lehtësisht e përballueshme.

Përllogatitjet e bëra nga vetë ministria e financave tregojnë se nëse fasha e patatueshme do të rritej nga 10 në 15 mijë lekë efekti financiar në buxhet do të ishte rreth 5 milionë dollarë në vit, rreth 100 herë më pak se sa interesat që qeveria paguan për boxhin.  

Top Channel