PD: Kongresi i PS, terapi grupi

05/11/2011 19:20

Me anë të një deklarate, demokratët e kanë quajtur kongresin socialist si premierën e nje reality show krejtësisht të ri për Shqipërinë dhe shqiptarët, “Terapi Grupi”.

Në deklaratë, thuhet se, lideri i opozitës është një i ftuar, i cili flet gjatë për të gjitha dështimet që e përndjekin, në praninë e delegatëve të tij të klonuar, duke shpresuar se artikulimi i dështimeve do ta ndihmojë t’i harrojë.

Në deklaratën e Partisë Demokratike thuhet gjithashtu se, duke patur shumë dështime për të cilat të flasë, Rama mund edhe të ketë vendosur një rekord të ri botëror, duke lënë mbrapa edhe vetë Fidel Castro apo Hugo Chavez.

“Natyrisht, në përfundim të çdo episodi të këtij reality show, realiteti, i cili është tejet i zymtë për të ftuarin, zëvendesohet nga elemente të kuptueshëm vetëm prej tij”, vlerëson deklarata.

“Sot, Edi Rama nuk përmendi të vetmin akt që ai mund të ndërmarrë për të ndihmuar shqiptarët, votimin e ligjeve me 3/5 të cilat ai i ka bllokuar. Këto ligje mbështeten plotësisht nga komuniteti ndërkombëtar dhe do të japin një ndihmesë të madhe në luftën kundër korrupsionit, pastrimit të parave dhe çdo aktiviteti tjetër që do përmirësonte jetën e qytetarëve”, nënvizohet në deklaratë.

Partia Demokratike beson se jo retorika boshe, por puna e palodhur përmirëson jetën e qytetarëve nëpërmjet zhvillimit ekonomik, ndërtimit të rrugëve dhe shkollave, si dhe afrimit të vendit me Bashkimin Europian.

“Sot Edi Rama foli gjatë mbi axhendën e tij politike. Retorika nuk ka asnjë vlerë, rëndësi ka puna dhe përkushtimi të cilat Partia Demokratike i ka vendosur pa kursim në shërbim të gjithë shqiptarëve”, përfundon reagimi PD për kongresin socialist.

Top Channel