Sipërmarrësit kundër tatimit progresiv

04/11/2011 00:00

Paketa fiskale e propozuar nga opozita, që rikthen taksimin progresiv,
ka hapur debatin edhe tek sipërmarrja. Nikolin Jaka, kryetar i Dhomës së
Tregtisë shprehet kundër ndryshimit të taksës së sheshtë.

“Ne jemi kundër cdo rritjeje, e cila ndikon në lëvizjen e taksës së sheshtë që është 10 përqind. Ne jemi kundër cdo tatimi progresiv. Ne e kemi thënë se edhe fryma e Dhomës së Tregtisë është kundër cdo rritje, për të vetmen arsye pasi Shqipëria sot e reklamon si promocionin e saj më të mirë për administratorët e huaj, taksën e sheshtë”, thotë Jaka.

Luan Bregasi, drejtues i “Business Albania” thotë se opsioni më i mirë për sipërmarrjen është ai i taksave të ulëta dhe jo sistemi i diferencuar

“Zakonisht në vende në rritje, nuk aplikohen taksat e larta dhe taksat e diferencuara, aplikohen taksa që i japin shans biznesit privat, te nxitet dhe të zhvillohet. Në rast se qeveria apo partitë politike propozojnë taksa të ulëta, kjo do të thotë që ndërmarrjeve t’i jepet më shumë oksigjen, frymë dhe kjo do të thotë shtim te vendeve te punes”, thotë Bregasi.

Edhe Gjergj Buxhuku, i cili përfaqëson interesat e prodhuesve vendas është kundër rikthimit të taksave progresive në shkallë të gjerë. Por, megjithatë mendon se për një kategori biznesesh të privilegjuara, qeveria mund të aplikojë taksa shtesë.

“Për ato sektorë, të cilët praktikisht, punojnë në kushtet jo të konkurrueshmërisë 100 përqind, pra të tregut të lirë 100 përqind, por janë në fusha të tilla specifike, me licensa të dhëna nga qeveria, këtu mund të shikohet mundësia e vendosjes së taksave shtesë. Përsa i përket ndërmarrjeve, të cilat punojnë në kushtet e konkurrencës së lirë, është e paarsyeshme që të diskutohet vendosja e taksave shtesë dhe për më shumë të dilet nga 10 përqindëshi i taksës së sheshtë”, thekson Buxhuku.

Opozita ka shpallur zyrtarisht platformën ekonomike, ku një nga pikat më të rëndësishme është ajo e ndryshimeve rrënjësore në sistemin fiskal. Plani i Partisë Socialiste synon rikthimin e barrës fiskale tek të pasurit dhe lehtësimin e të varfërve nga taksat.

Top Channel