“Gjuha e tjetrit”, një ndër “12 pikat”

04/11/2011 00:00

Monika Shoshori Stafa – Ndërsa ditët që kishin mbetur deri në skajin e caktuar prej Brukselit
për një vendim të ri ndaj lutjes së Shqipërisë për një status tjetër në
Europën e përbashkët, në mendjet e njerëzve gjithnjë e më e kthjellët
formulohej pyetja: A ka dhe diçka tjetër për verifikim, veç “12 pikave”?
A erdhën vërtet në Tiranë ministrat Lambrinidis e Fratini “për të
studiuar interesat e vendeve të tyre”? Apo është në kriteret e
pashpallura të Europës së re, që t’i marrë vendimet e veta përmes
fqinjëve?

Dy dekada më parë në Perëndim, e ardhmja e Ballkanit shprehej në një fjalë të vetme: Ballkan-Babel! Ballkani i mosmarrëveshjes dhe i dialogut të prerë. Ballkani i gjuhës së refuzuar të tjetrit. Ballkani ku njerëzit shpallen tradhtarë pse vizitojnë kryeqytetin e fqinjit dhe të shitur nëse flasin gjuhën e tij. Ballkani ku përkthehet edhe letërsia e bulevardeve, por shkrimtari i vendit fqinj mbetet i ndaluar. Pak gjë ka ndryshuar nga ajo kohë. Gazetarët e rinj të Europës, që udhëtojnë nëpër vendet e paintegruara për të hetuar stereotipat e vjetra të përftimit të tjetrit, nuk e përdorin më shprehjen Ballkan-Babel, që të sjell ndërmend mallkimin biblik të ndarjes së gjuhëve, por diçka të ngjashme: Babel-Caffe, Caffe-Babel. Ky është përfytyrimi i sotëm europian për Ballkanin e frikshëm, ku gjuha e tjetrit është më kufi se kufiri.

Kush e ka provuar të udhëtojë jo sot, por muaj më parë, në zonën “me status të ndërmjetëm” të Mitrovicës, do të ketë vërejtur se shqiptarë e serbë e flasin shumë mirë gjuhën e njëri-tjetrit, sidomos po qe punë tregtie apo veprimesh të fshehta, por në prani të të tretëve nuk e pranojnë. “Është e vështirë nëse do të tentosh të flasësh në gjuhën e tjetrit thjesht për t’u marrë vesh, domethënë pa një arsye shtrënguese. Nga shqiptarët kjo quhet provokim, sidomos pas plagëve të luftës kjo është e pamundur”, shprehet një koleg yni që e ka provuar “regjimin e kufirit të gjuhës”.

Në përfytyrimin e sotëm europian fundi i diskriminimit shënjohet kur përfundon vëmendja ndaj ndryshimit. Për aq kohë sa mjedisi shoqëror nuk është indiferent ndaj ndryshimit: etnik, racor, kulturor, gjuhësor, fetar, gjinor, të flasësh për mosdiskriminim është thjesht mashtrim ose vetëmashtrim. A mund të jetë dhe ky, tejkalimi i vëmendjes ndaj ndryshimit, një kriter shtesë mbi “12 pikat”, për të mundësuar hapjen e portave europiane për Shqipërinë? Nëse do të ishte vërtet dhe një kriter i tillë, atëherë vendi përpara ka një rrugë të vështirë. 250 mijë kuqezinj alarmojnë prej muajsh çintegrimin e popullit shqiptar për shkak të vetëdeklarimit etnik dhe fetar. Po sikur pyetja europiane për tejkalimin e ndryshimit të shtrohej jo për etnicitetin dhe besimin, por dhe për gjuhën?

“Gjuha e tjetrit” si kriter mendësie: europiane apo ballkanase – s’është një fabrikim gazetaresk. Nuk ka kaluar një vit prej kohës kur një mësuese në Athinë u përjashtua nga rendi i mësuesisë pse kishte gjykuar t’u lejonte fëmijëve shqiptarë të lindur prej prindërish emigrantë të mësonin në orë shtesë gjuhën e tyre amtare. Një nxënësi tjetër, më i miri i shkollës, nuk iu lejua të ngrinte flamurin e shtetit fqinj, siç ia njihte ligji, për shkak se fliste gjuhën e tjetrit. Atë gjuhë që iu ndalua qysh më 1945 shqiptarëve banues të Çamërisë që mbetën atje. Por le të mos rendisim më fakte të tilla, të përditshme e të përnatshme në edicionet e lajmeve. Kush ka provuar të udhëtojnë në shtetet e fqinjëve të afërm, do të ketë vënë re pa dyshim dhunimin e emrave të vendeve në tabelat e qarkullimit rrugor. Sigurisht, emrat në gjuhën e tjetrit. Shqiptarët shuajnë me bojë të zezë “Vladimir”, “Djakovo” e “Bitola” dhe tjetri, pa e zgjatur, bën të njëjtën gjë me emrat në gjuhën shqipe. Dhe kështu “lufta e gjuhëve” vazhdon në heshtje luftën e ftohtë, fjalën e urrejtjes, refuzimin e tjetrit, diskriminimin e padhunshëm të atij që është ndryshe. Dhe kjo është “lufta e tabelave”, që sa herë e kemi njoftuar edhe për Himarën e fshatrat e Bregdetit, anakronike e ballkanike njëherësh: ti hiq e unë vur, ti e do greqisht por unë e thyej dhe e kthej në shqip se zot jam unë! Në Europë, me tabela ku shtyhet tutje gjuha e tjetrit?! Pak e vështirë për ta menduar! Dhe vetëm një hap duhet për ta vështirësuar edhe më pengesën: A nuk u shqetësua tej mase Tirana jonë kur Presidenti rumun Basescu, në përgjigje të thirrjes së autoriteteve të vendit për ta njohur Kosovën, kërkoi menjëherë status minoriteti për arumunët e Shqipërisë? Pastaj doemos gjërat ndërlikohen më tej. Se popullsi dygjuhëshe dhe pakica kulturore ka në çdo vend ballkanas. Kosovës, shtetit më të ri të rajonit, autoritetet europiane i kërkuan të shënjojë në flamur gjashtë yje, sepse, sipas tyre, gjashtë janë popullsitë etnike banuese atje. “Supi i njërit nën sqetull të tjetrit” – kjo është historia e Ballkanit, ku njeriu, nëse e kthen gjuhën në kufi, mund ta ishullzojë menjëherë vetveten. Sllavët mund të gdhihen poliglotë, se dinë gjuhën e njëri-tjetrit, ashtu si grekë e turq – tani vonë dhe shqiptarëve po u vjen mbarë të flasin për shqip e kosovarisht!

Po, “djalli” ka hyrë dhe brenda gjuhës. Ju shqiptarët e Shqipërisë së vjetër hiç patriotë nuk ini, qortojnë me dëshpërim pushuesit nga Kosova: si i mbani këto emra: Çorovodë, Novoselë, Gollobordë, Selcë? Na po i ndërrojmë, se janë emra të shkijeve. Ua kemi hequr emrat serbë qyteteve e fshatrave e i kemi quajtur shqip: Artanë, Besianë, Therandë. Një urdhër patriotësh të rinj në shtetin e vjetër, përkundrazi, demonin sllav të fshehur në gjuhën e emrave të vendeve sikur nuk e vënë re. Por demoni tjetër, me emrin e fqinjit të jugut, ngre me vrull dallgë zemërimi: Pse liturgjia në kisha bëhet greqisht dhe pse kreu i kishës bizantine nuk është shqiptar? Pse shqiptarët emigrantë ndërrojnë emrat dhe – mos qoftë e thënë – edhe kombësinë? Pse qeveria lejon me lehtësi shkollat greke në vend pa i siguruar për fatin e shqipes në Greqi? Dhe kjo nuk është një gjë e re. Kur shefi i dikurshëm i Kremlinit, Nikita Hrushov, vizitoi Shqipërinë dhe tha se në Korçë kishte dëgjuar të flitej greqisht, qindra faqe letrash e shkresash, artikujsh e polemikash, u shkruan prej udhëheqjes më të lartë të shtetit shqiptar për ta shkulur nga mendjet e njerëzve idenë se kjo mund të kishte qenë e vërtetë.

Por, pa shkuar pas në histori, a nuk do të mjaftonte koka e kthyer prapa e qytetarit të zakonshëm shqiptar kur veshi i zë gjuhën e fqinjit, sidomos të fqinjit verior? Tërë vëmendje ndaj gjuhës së tjetrit, ja ku një dallim shumë i thjeshtë dhe gjenetik u bë menjëherë shenjë vëmendjeje, njësoj si vëmendja e pionierëve vigjilentë në qytetet kufitare dikur. Le të imagjinojmë ç’mund të ndodhte në Zvicrën e afërme, ku më pak se 100 mijë romenë vendës kanë të drejtën e barazisë gjuhësore me frëngjishten, gjermanishten dhe italishten, nëse instinkti i “kokës prapa” do të ishte si i shqiptarëve, apo më saktë si i ballkanasve? Atëherë askush nuk do të ishte i saktë në orare si orët proverbiale zvicerane! Frika prej gjuhës së tjetrit, sidomos frika se gjuha e tjetrit e folur brenda vendit mund të kthehet në një faktor dezintegrues, është një prej shenjave që nuk përfshiheshin në 12 pikat për të testuar, njësoj si një lakmus lëndën kimike, se si po ndryshon Shqipëria, jo ajo politike, por Shqipëria në mendësi.

Në Ballkan ende mbijetojnë hijet e “luftës së gjuhëve”. Në shtëpi nuk flasin shqip! Flasin “nashkoj”! Ku ka shqiptarë me këtë mbiemër? E flasin mirë shqipen se e kanë mësuar në shkollë! Jo, jo, atje shqipja është gjuhë e parë, greqishtja është e dyta! Ç’thua, si mund të jetë greqishtja e dyta?! Le të thonë si të duan studiuesit, greqishtja është e para. Këto janë vetëm copëza të përditshme bisedash të qytetarëve shqiptarë kur gjykojnë tjetrin. “Lufta e gjuhëve” kthehet edhe në retrospektivë: me serbishten nuk kemi punë se është e vonë, por kush ka lindur më parë, shqipja apo greqishtja? Dhe hierarkia mes njerëzve shpesh përcaktohet nga “gjuha e shtëpisë”, “gjuha e dytë”. Dhe prej këndej menjëherë lind paniku për shthurjen e kombit.

Popullsitë dygjuhëshe kanë një status të posaçëm. Në Shqipëri bëhet humor me shprehjen “jam pakicë”, që në një farë mënyre do të thotë dhe “jam privilegj”. Pastaj fillon lufta për “gjuhën e zemrës” dhe “gjuhën e bukës”, thënë më qartë për gjuhën e dashur dhe gjuhën e urrejtur. “Pronari im kërkon emra ortodoksë dhe unë ia jap. Unë kërkoj punë e para dhe ai m’i jep”, pohon një mërgimtar i ri shqiptar me indiferencë të plotë. Këtu fillon blerja e gjuhës, e emrit, e identitetit, dhe menjëherë dhe lufta për parësi. Dhe ky është problem me gjuhën e fqinjit, se me gjuhë të tjera, qoftë dhe kinezisht, je i nderuar. Mirëpo kur fqinji thotë “po”, dhe fqinji mund të marrë vendimin edhe prej qëndrimit ndaj “gjuhës së tjetrit”, atëherë udha europiane mund të jetë më e lehtë. Por si mund të verifikohet vullneti i fqinjit para se të thotë “po”. Ose, më saktë, çfarë mund të kenë raportuar në Bruksel ministrat Lambrinidis dhe Fratini? Meqë një term për fobinë ndaj gjuhës së tjetrit nuk ekziston, siç ekziston ksenofobia apo etnofobia, sepse testi i mendësisë së integrimit për popujt e Ballkanit është krejt i ri, mund të përdornim shprehjen “refuzim gjuhësor”. Shqiptarët e Kosovës qortojnë qeverinë pse RTK-ja ka edicion lajmesh serbisht. Ne të Tiranës më të vëmendshëm jemi ndaj tjetrit në jug. Sigurisht që emisarët e Europës së Bashkuar nuk kanë bërë teste gjuhësie në Tiranë. Por testet mund të bëhen shumë thjesht duke këshilluar në distancë katalogët online të Bibliotekës Kombëtare. Cilët shkrimtarë nobelistë ose të mirënjohur të Ballkanit janë përkthyer në shqip? Përveçse në periudhën jugosllave në Kosovë, Ivo Andrić jo, sepse ishte antishqiptar në elaboratet e tij. M. Krleža, Danilo Kiš, Meša Selimović, edhe në janë përkthyer, janë futur në shqip si vjedhurazi, pa bujë, të mos e marrë vesh shtypi, të mos na thonë filoserbë, të mos na shpallin të shitur. Një shkrimtar i njohur shqiptar pati qenë shprehur afro tri dekada më parë se ndërgjegjja shqiptare do të shprehte një shkallë bashkëkohore emancipimi nëse do të shkruhej një libër për një shkrimtar serb. Që nuk është shkruar ende. Pak më me fat ka qenë letërsia greke, edhe ajo kryesisht në kohën kur grekë e shqiptarë ishin “dy popuj miq”. Sidomos poetët u përkthyen në shqip: Janis Ricos, Kostantinos Kavafis, Tasos Livadhitis, sigurisht dhe Zorba greku e Kapedan Mihali të Nikos Kazanzakis. Kur krahason se ç’nderim kishte për shqiptarët nobelisti tjetër grek Jorgos Seferis, ndër të tjera edhe konsull i Athinës në Korçë në periudhën mbretërore; dhe ç’provokim ngjalli një konsull tjetër këtë vit, pikërisht me gjuhën e tjetrit – shihni shkrimet në varret e të parëve për të ditur çfarë jeni – dëshpërimisht del pyetja: a po bëhet Ballkani më europian apo më tribal?

Të dish gjuhën e tjetrit, atij që historikisht është quajtur i kundërti, është një privilegj. Një gazetare e re e klubit të europeistëve të rinj ballkanas, reportazhin e saj e niste me fjalinë: “U befasova pak kur vërejta se bashkëbiseduesi im shqiptar e dinte gjuhën time”. Në sociologjinë e sotme europiane është shtuar një term i ri. Është në gjuhën e tjetrit, në gjuhën e fqinjëve jugorë, si shumë terma të shkencës, dhe ka për qëllim pikërisht dëbimin e djallit prej gjuhës së demonizuar. Quhet empatia dhe është një ndjenjë njerëzore dashamirësie dhe mirësie ndaj tjetrit, por jo aq sa simpatia, megjithëse me të njëjtën prejardhje me të. Simpatia është një ndjenjë e drejtuar së jashtmi ndaj tjetrit, kurse empatia është ta shohësh tjetrin brenda vetes, të shohësh veten te tjetri, ta mendosh individin si një pasqyrë për të parë vetveten, sepse, siç shkruante shumë shekuj më parë poeti i famshëm pers Saadiu, “Si gishtat e dorës njerëzit janë / Të Hyjit janë Lindja dhe Perëndimi”. Nuk ka racizëm gjuhësor në botën e shqiptarëve. Mund të ketë në letërsi ironi me karakter shqiptare që “gjuhën e tjetrit” e kanë parë si çështje karriere. Por vetëm kaq. Gjuha shqipe e provon më së miri këtë. Ka në këtë gjuhë edhe fjalë të kinezishtes, edhe fjalë të hebraishtes, edhe të gjuhëve të tjera më të largëta e më të afërta. Dhe nëse refuzimi gjuhësor si shenja e fundme e Ballkan-Babelit shfaqet e rishfaqet në hapësirën rajonale, kjo nuk është “lakmusi” i vetëm i verifikimit të ndryshimit. “Çdo vend ka Mitrovicën e vet”, deklaroi rreth dy muaj më parë kryetari i qeverisë së Kosovës. Ashtu siç kishin Alzas Lorenën, Franca dhe Gjermania. Ashtu siç kanë Komarnon, Çekia dhe Hungaria. Ashtu siç kanë “Srpska Republika-n” serbë e boshnjakë. Sepse popuj homogjenë në botën e sotme nuk ka – dhe ata që e shënjojnë në Kushtetutë thjesht shënjojnë një premtim. Por popujt e lirë nuk i tremben gjuhës së tjetrit. Regjisori i filmit “Spanglish” këtë na thotë: jo gjuha, por mosnjohja e kulturave, mund të jetë problemi i asaj dukurie që sot rëndom quhet “incom” – moskomunikim.

Në antikitetin helen kishte grekë dhe barbarë dhe barbarët nuk ishin popuj inferiorë, por popuj që flisnin një gjuhë të ndryshme nga greqishtja. Kur gjermanë e sllavë njohën për herë të parë njëri-tjetrin, të parët e quajtën veten “deutsch”, të kuptueshëm; por tjetri i quajti “nemci”, të pagojë. Ashtu ka ndodhur dhe me shqiptarët: heronjtë e tyre legjendarë nuk e quajnë veten as arbër as shqiptarë, thjesht thonë se i folën njëri-tjetrit “në gjuhë të vet”. Kur Bullgaria u bë anëtare e bashkësisë europiane, menjëherë kërkoi që monedha euro të kishte dhe versionin e saj me shkrimin cirilik sllav. Në aulat e konferencave të Bashkimit Europian doemos ka dy greqishte: një të Athinës e një të Qipros; dy gjermanishte: një të Berlinit e një të Austrisë; çekisht e sllovakisht – megjithëse deri dy dekada më parë ishin e njëjta gjuhë. Sepse popujt mendojnë se gjuha e tyre ka lindur e para, se Zoti vetë i tha me gojë urdhëresat e veta në gjuhën e tyre, dhe ky është etnocentrizëm. Veçse kur etnocentrizmi kthehet në fanatizëm, qoftë dhe në fanatizëm gjuhësor, atëherë rruga drejt europeizmit ngushtohet dhe “12 pikave” burokratike mund t’u shtohen të tjera që zakonisht quhen “kushte të pashkruara”.

Gazeta “Shqip”

Top Channel