Mazhoranca miraton “plehrat”

03/11/2011 00:00

Kuvendi i Shqipërisë rrëzoi me 73 vota kundër dekretin e Presidentit të Republikës, Bamir Topit, i cili kishte kthyer për diskutim ligjin e mbetjeve, duke konfirmuar kështu përfundimisht një projektligj ndër më të debatuarit në historinë e parlamentarizmit shqiptar.

Ligji i plehrave apo ligji për menaxhimin e integruar të mbetjeve? Kjo ishte cështja që u diskutua në një seancë maratonë në parlament.

Opozita mbrojti idenë se ligji kthen vendin në një depozitë mbeturinash nga jashtë.

Por për qeverinë, kjo është propagandë dashakeqe, sepse ligji, jo vetëm nuk lejon importimin e plehrave në kuptimin e mbeturinave, që janë të kudogjendura në Shqipëri, por është certifikuar nga ekspertet e huaj, si ligj i standardeve më të mira europiane, që nuk lejon depozitimin e mbetjeve të importuara dhe bën mbrojtjen afatgjate të mjedisit dhe shëndetit.

“Ky ligj është për importimin e plehrave në Shqipëri, dhe mos kërkoni t’i gjeni asnjë emër tjetër. Kërkohet që Shqipëria të bëhet depo e importimit të plehrave. Neni 49 i tij flet qartë,  Shqipëria do bëhet vend i importimit dhe depozitmit të plehrave”, tha deputeti i PS, Blendi Klosi.

“Në vitin 2002-03, po kjo opozitë e sotme, që ka qenë mazhorancë, me atë qeveri ka miratuar dy ligje të cilat lejojnë importin e mbetjeve, jo plehrave, mbetjeve e theksoj dhe kanë qenë 434 lloje me leje dhe pa leje. Ndërkohë që ne kemi lënë në mënyrë strikte vetëm 50 lloje prej tyre. Po ju them që për një vit ka vetëm një leje të dhënë për skrap”, tha Ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu.        

 Sipas ministrit Mediu, ligji zgjidh edhe cështjen e mbeturinave shqiptare, që sot digjen, duke përcaktuar si afat të fundit vitin 2018, kur shqiptarët, si e gjithë bota e qytetëruar do të kenë mundësine dhe detyrimin për t’i hedhur të ndara mbetjet e tyre.

Por opozita mendon se ligji e lë të pazgjidhur edhe këtë cështje.

Ajo ku mazhoranca është e gatshme të lëshojë është vetem reduktimi i mëtejshëm i listës së gjelbër të mbetjeve të importuara. Dhe për këtë, Ministri i Mjedisit kërkoi edhe bashkëpunimin nga ekspertët e opozitës dhe shoqërisë civile,  pavarësisht se sipas tij, me përjashtim të një OJF-je mjedisore, askush nga ata që protestojnë sot nuk ka patur vërejtje.

Ndërsa kryeministri Berisha i garantoi shoqërisë civile se do të jetë pjesë e vendimarrjes, sa herë që qeveria do të vendosë te importojë mbetje.

Kundër qëndrimit të mazhorancës dhe pro dekretit të presidentit, përvec opozitës, u pozicionua vetëm një deputet i mazhorancës, Gazmend Oketa, jo me fjalim, por me votë.  

Demokratët, të cilët paralajëmruan që në fillim rrëzimin e dekretit të presidentit, e shohin kundërshtimin e opozitës dhe presidentit si një veprim politik të koordinuar mes tyre.

Por socialistët, të cilët e përkrahën kthimin e këtij ligji nga presidenti, jo vetëm ishin të gatshëm për referendum, por deklaruan, se ardhja e tyre në pushtet do të shënojë edhe abrogimin e tij.

Kryeminisri i Shqipërisë, Sali Berisha:
“Kjo ditë shënon “de fakto” themelimin në këtë sallë të partisë së plehut. O burra të gjejmë vota në plehra! Vazhdoni formoni parti ju, se kështu do vini në pushtet pa alternativë. Alternativë nuk formuloni dot.”

Kryetar i grupit parlamentar të PS, Gramoz Ruçi:
“Ne ndahemi preraz me ju. Ne nuk lejojmë importin e plehrave në Shqipqri. Janë dy alternative, e jotja që e lejon dhe atlernativa jonë që nuk e lejon. Aleanca jonë sot është me probleme”.

Sali Berisha:
  “Ju keni veti të krijoni një realitet që nuk ekziston, dhe pastaj t’i besoni këtij realiteti. Sepse kryetari juaj hyn në shtrat Edi Rama dhe zgjohet Angela Merkel, zgjohet Nikolas Sarkozi, zgjohet Barak Obama. Fjalimet ja kopjon Ed Milibantit, se aty i merr dhe vjen e na i lexon”.

Gramoz Ruçi:
“Unë po ta them sot, se ligji i parë në seancën e parë, në qoftë se ti arrin e miraton sot dhe hedh poshtë dekretin e presidentit, është ligji i plehrave, që bashkë me qeverinë tëndë të zhduken dhe plehrat nga Shqipëria”.       

 

Top Channel