Shqipëria e një milion të papunëve

02/11/2011 00:00

Edi Rama – Prej fillim korrikut të nxehtë, më prek vëmendjen ngjarja e rëndë e
grevës së urisë së minatorëve në Bulqizë, protestat e përplasjet e tyre
me policinë në hiçin e heshtjes indiferente të qeverisë që po e mbyt atë
qytet të lindur në një ditë bashkë me minierën.

Thonjtë e korrupsionit gërryejnë me çmendimin e etheve të parasë pasurinë e gjithë shqiptarëve, duke shkallmuar barqet e hapura të nëntokës që po shterpëzohet nga shfrytëzimi pa kriter e as karar dhe duke hapur varrin e parakohshëm kolektiv të një komuniteti barkzbrazët që ushqehet me thërrime, teksa shumat e majme të fitimeve, minatorëve të vrarë në fund të dheut, jetimët e panumërt të familjeve të tyre ku gra të plakura në moshë të re bëhen edhe burra të vetmuar e të papunë, që duhet të rrisin fëmijë, bilardot e lokalet e basteve ku adoleshentët rreken t’i ikin burgut të pamundësive, duke ëndërruar të mbledhin lekët e arratisë e duke vrarë kohën me stekat e kotësisë, kafenetë ku rrumbullohen qysh në sabah me pije të trupuara robërit e papunësisë që mbledhin mineral me trasta, për të blerë bukën e gotën e ditës tjetër, rrugët e shkatërruara plot gropa e fushat e thata përreth që ngjajnë me një klon kufitar mes dëshpërimit social e botës së paarritshme matanë, klanin e mafies lokale të kromit, që fiton rregullisht zgjedhjet bashkiake, duke i mbledhur votat me hijen e frikës e dorën e ryshfetit dhe lidhur nëntokën me politikën e lartë të Tiranës zyrtare, që nënshkruan symbyllur prej vitesh tradhtinë kombëtare në marrëveshje kriminale koncesionesh e në licenca shfrytëzimi të pasurisë së përbashkët për gjithfarë dallkaukësh e derdimenësh turrur mbi Bulqizën si mbi tokën e askujt, skllavëro, gërmo, merr, ik, mbyt, vdis, qameti u bëftë kur të mbarojmë punë, sot është dita fatlume për t’u pasuruar derisa të mbajnë trarët e galerive dhe të thyhet përtokë kurrizi i skllevërve bashkë me qytetin e tyre, prandaj o burra sa të kemi me vete parlamentin e kusarëve të votës, ministrat që firmosin edhe në emër të parlamentit, po t’i paguash mirë drejtuesit e sektorit në ministri, që duan thjesht capën e tyre për të mbyllur sytë pushtetin e tërë që s’do t’ia dijë përveçse për pjesën e vet të plaçkitjes së shfrenuar.

Bulqiza është një gur i mozaikut të modelit ekonomik shqiptar, “modelit të suksesshëm pa recesion ekonomik” siç e quan Saliu që monologon përditë këto ditë, në mes të vapës njësoj si partia e punës në dimrin e vetmisë, për shembullin botëror të Shqipërisë pa dhimbje në botën që përpëlitet dhimbjesh, Shqipërisë ku bota mund të shohë përparime që vetë s’i bën dot në kushtet e krizës financiare që e ka mbërthyer, Shqipërisë që e ka shkopin e së ardhmes së turbullt botërore dhe recetën e shpëtimit të vetë botës me taksat më të ulëta në botë, “ulni taksat edhe kur logjika ju thotë se s’mund të ulen më”! u dha Saliu mend udhëheqësve të vendeve të mëdha, kur siç e tregoi vetë e pyetën sipas tij, si ia del ti Sali ta ngjisësh Shqipërinë lart, ndërkohë që ne të gjithë po mundohemi të mos na bjerë bota poshtë, Shqipërinë që para pak vitesh la pas Kinën, gjithnjë sipas Saliut dhe së fundi Saliu na njoftoi se doli e dyta pas Gjermanisë në klasifikimin e fuqive ekonomike për frymë të Europës, Shqipërinë e mrekullive që Saliu e shet përditë nga ekranet e altoparlantët e oborrit të tij, siç shiste dikur Sudja iluzionet e fitimeve të pambarueshme nga penxherja e sportelit të saj.

“Na u bëfshin kurban të tërë, edhe kriza globale, edhe Europa në krizë, edhe fqinjët në krizë, edhe familjet shqiptare në krizë, edhe pasuritë kombëtare në krizë, edhe pronat private në krizë edhe toka e bukës në krizë, edhe Parlamenti në krizë, edhe drejtësia në krizë, edhe mediat në krizë, edhe arsimi në krizë, edhe spitalet në krizë, edhe dyqanet në krizë, edhe kultura në krizë, edhe sporti në krizë, edhe varrezat në krizë, ne po bëjmë Shqipërinë tonë”, Shqipërinë e vetes së tyre dhe një milion të papunëve e cila jeton në Bulqizë si në librat e Arçibald Koninit me renë e qymyrtë të vdekjes, mbledhur shuk mbi kokën e qytetit, në Laç si në oazet pa shtet të zgafëllave urbanistike të industrializimit primitiv, ku rroftë jashtështeti se do të kishin dhënë shpirt të gjithë, ngjitur me Mamurrasion e dorëzuar ndaj papunësisë, që shpresa e vetme që i ka mbetur është të mundë Laçin në futboll, në Tepelenë si në rrugëkalimet pa stacion, ku nën muret e rrënuara të kështjellës së pashait kokëprerë inercia e jetës ka lënë qosheve stërnipërit e plakur para kohe të heronjve të së shkuarës që ngrohen në diell, në Koplik ku hija e shëmtimit urban të kohës së re ka gjetur një prej shumë shtëpive të veta mes baltës e varfërisë së mbjellë kudo, përmbi vreshtat e dikurshme që qysh nga koha e Skënderbeut çuan me shekuj në Venedik mushtin e verës së doxhëve e kardinalëve, në Konispol ku burrat dalin nga shtëpia pa gdhirë e hyjnë me lista në Greqi, për të punuar argatë nën portokajtë e ullinjtë e zengjinëve fqinj, e për t’u kthyer përsëri po me lista të rraskapitur në mesnatë, në Lushnjë ku pallatet e tullës lartësohen si mure deri në vrimat e mbetura të qiellit, mes oborreve e pas godinave të vjetra të arkitekturës komuniste, si për të realizuar projektin e fshehtë të një burgu të sigurisë më të lartë që do të ndajë qytetin nga vetja dhe vetë jeta përtej mureve të tij, dy hapa tutje, në Divjakë, ku rëra matanë pyllit të magjishëm të pishave është bërë fushësherri mes lumenjve që i fusin çdo natë në gojë Adriatikut si kudo gjatë vijës së tij, shishet e qeset e plastmasit mbledhur rrëkeve anepërqark dhe deti të keqtrajtuar që pa gdhirë i vjell mbrapsht në breg plehrat e patretshme teksa, Ardian Klosi me një grup ambientalistësh përpëliten brigjeve e vendeve të vyera vënë nën thundrën e shkatërrimit, për të vënë alarmimin që s’e dëgjon askush, në Fushë-Arrëz si në rrënojat e shpresës se jeta mund të jetë më shumë se sa ajër, bukë misri, ujë përroi e arrati në shtegun më të parë, në Rrogozhinë si në një pistë të gjerë asfalti të rrëgjuar pa dalje dhe mbyllur anash me mure leckash e mallrash, të harruara bashkë me njerëzit që venë e vijnë pa lekë në xhep, nën qiellin e sheshtë, në Librazhd, si në një burg papunësie buzë lumit të ndotur e të inatosur paq prej plehrave që kanë zëvendësuar brigjet, ku ujërat ngrihen nga shirat për t’u futur tinëz nën krevatin e ca shtëpive të varfra ndërtuar mbi shpinën e dalë të lumit, në Ballshin e rrethuar nga erafënda njëzet vjet e pafashitur e kufomave të industrisë komuniste të naftës që dekompozohen mes fushave djerrë, në Gjirokastër, ku qyteti i measnjëjtëpërngjasuarin ndër qytetet e trashëgimisë kulturore botërore, i cili i fali Ismail Kadaresë parafytyrimet fantastike për të nxjerrë zënë e gurëve kudo nëpër botë, rënkon në agoninë e zgjatur të ngrënies së vetvetes gur pas guri, rrethuar me pallate të veshur me suva që u ngjajnë trashëgimtarëve të pangopur, mbledhur kërrusur mbi shtratin ku po del ymri tekanjoz e koprrac i stërgjyshit pasanik, në Burrel, ku një voc i kthyer në naltmadhnija i shqyptarëve ka lënë pas trashëgim përrallën e tij, si ushqimin e munguar të jetës së përditshme të njerëzve të mbetur në mëshirën e fatit pa punë, në Përrenjas, ku qyteti i krijuar si hallkë e industrisë minerare komuniste ndryshket buzë rrugës kombëtare si të ishte varrezë maunash prej betoni të ngecura aty bashkë me njerëzit e mbetur rob brenda, në Bilisht, si në harresat amnezike të pijetoreve pas punës së rëndë të krahut në fushat e sherreve të humbjes së durimit nga qëndrimi pa punë ndenjur, në Ersekë, si në një kurth malesh, ku kush hyn, do vetëm të ikë dhe kush është brenda, do vetëm të dalë, në Beratin e një mijë dritareve që kurrë s’i ka ngjarë më pak se sot ëndrrës qelibar të atyre që ndërtuan sënduk të gurtë xhevahiresh buzë rrjedhës së historisë, ku uji çapitet mbi ishujt e llumrave të papastruar prej dy dekadash, në Krujën e Fushë-Krujën që përqafon përditë nën çarçafin e endur me tymin e guroreve, gëlqeres së djegur me goma makinash apo çimentos së prodhuar, duke zhveshur malin që ua fshehu turqve Atletin e Krishterimit e morën në mbrojtje qëndrestarët e rezistencës së lavdishme kundër Perandorisë Otomane, në Shkodrën sakatuar prej orgjive ideologjike të së djeshmes e së sotmes, ku janë rrafshuar e zhdukur me gjithë gjurmë shtëpi burrash të ndritur të këtij kombi, për të ngritur banesat e larta popullore të stilit të periferive të Amanit, ndërkohë që drita ngazëlluese e të jetuarit me shijen europiane që përçojnë prej kohëve të vjetra fotot e dinastisë së lavdishme të lymierëve shqiptarë a pikturat e Kol Idromenos e Zef Kolombit apo vetëpërmbajtja fisnike e qytetit të penguar të Danish Jukniut e të Franc Ashikut, që i jepnin pengimit ngjyrat e ndritshme të nostalgjisë, ia ka lënë vendin mugëtirës së zhvillimit pa përmbajtje, në Elbasanin e sëmurë prej të ndenjurit në një krevat me të vdekurin e pakallur të metalurgjisë komuniste, në Kuçovën e vogël që pasoi qytetin e sajuar Stalin, ku komuniteti jeton si i internuar pa asnjë ndihmë e lajm nga lart, në Sarandën që mos e pyet, në gjolin e Lazgushit, si buzë një liqeri poezish të mbytura me gurët e banalitetit të përditshëm, që mbjell fushat e lëmuara rrotull pasqyrës ujore me godina të mizerabilitetit estetik e mbulon bregun e shëtitjeve poetike me ngrehinat e larta të iluzioneve turistike, në Kavajën e fellahut Sali, që asgjë veç urrejtjes antikomuniste të bejlurçinës komuniste dhe batakçillëkut të gogozhelëve të tij lokalë s’pati për t’u dhënë në njëzet vjet mbështetësve të zjarrtë të ndryshimeve demokratike, në Peshkopinë e njerëzve të zgjuar që të papunë hedhin e presin loxha Dibre nëpër tavolina, në Peqin, si në vendqëndrimin e një pengu sy fashuar për të mos e marrë vesh ku ndodhet, në Përmet, si në majën e zbrazët të një tradite të bukur mbetur poshtë në rrugën e së kaluarës, bashkë me trëndafilat e vrarë, në Kukës, si në skajin me greminë të papunësisë në fund të një udhëtimi të përmuajshëm, ku njerëzit marrin ndihmën ekonomike bashkë me biletat e kthimit që i risjellin gjithnjë e më të shumtë, për të jetuar në periferitë e reja të Tiranës, në Durrës, si në mes të një xhungle krijesash të stërlarta betoni që ngjiten sipër njëra-tjetrës për të parë detin hipur mbi kodrat e bukura, ku është zhytur e jep shpirt nga plagët e vandalizmit pallati historik që tregtarët e qytetit ia betuan mbretit zog, në Urën Vajgurore, qytet udhëkryq mes pluhurit të ngritur nga ata që s’ndalojnë e varfërisë që s’ndalet së futuri hajdutçe në shtëpitë e njerëzve, në Krumë, ku s’gjen dot një arsye më të mirë për t’u gdhirë përveç pamundësisë për të fjetur pa u zgjuar deri në ndërrimin e moteve, në Himarë, si në një copë parajse tokësore, rrëmbyer nga dallgët e shkatërrimit urban e përplasur brenda kornizës së shëmtimit të përgjithshëm, në Lezhë, ku delet kullosin mbi varrin gjithë ferra të heroit të kombit kombëtar për jetë e mot të shqiptarëve, me Shëngjinin pranë, ku pallatet e ngjitur njëri pas tjetrit nga dora kopaçe e tranzicionit qorr i bëjnë karshillëk peizazhit përrallor me detin e mërzitur dhe moli arkaik i ca anijeve që zgjohen me kollitje të gjata, duke lëshuar çdo mëngjes tym të zi, që djeg sytë para se të dalin për të peshkuar mbijetesën, hapet e mbyllet me një dry të vjetër nën dridhjet e kodrës barkçarë ku ngulin dhëmbët përditë bizneset qeveritare të inerteve, bash aty, në buzë të njërës prej pasurive ujore më të mëdha të këtij vendi, që mund të kishte njërin nga portet më të lakmuar të Mesdheut, falë thellësisë e pozicionit strategjik rajonal, në Parisin e vogël të korçarëve fisnikë e pastërtorë, me raftet e historisë plot libra, letra nga Amerika, ftesa për ballo e kostume alla franga, që prej vitesh përpëliten nga humbjet e mundësive si të rënë nga dynjallëku në një grackë të ngritur prej parvenysh hakmarrës ndaj qytetarisë e sqimës së tyre, në Fierin e profesionistëve të naftës që shesin domate për një copë bukë a presin lekët e fëmijëve emigrantë për të blerë domate, ndërkohë që ari i zi i nëntokës thithet kudo nga pompa e oborrit të pushtetit e rrjedh në kanalet e kontrabandës e të parasë së zezë, në Skraparin e kanioneve të mrekullueshme e të njerëzve besnikë që kanë rënë në tatëpjetën pa ndalim të varfërisë së ushqyer me artin e tradhtive të shpërblyera politike, në Rrëshen, si në faqen e një kalendari të kthyer mbrapsht, vit pas viti e ardhmja pa punë është bërë një e shkuar që me të shkuarën e atjeshme nuk ngjan në asgjë të lavdishme, në Delvinë, si në shesh-xhirimin pa aktorë të një filmi ëestern, boshllëku mes qytetit i mbetet vetëm diellit përvëlues dhe njerëzit vijnë anës anijes si hije pa shpresë, në Rubik, ku qyteza e varfër rri spektatore e papunë mbi një fushë futbolli gjithnjë të mbjellë përgjysmë në një pritje që është vetë ndeshja, në Maliq, ku këneta po rinxjerr gjuhën hakmarrëse nga dheu për të përpirë tokat e mbetura shkretë, teksa krahët punëtorë kanë mbetur pa asnjë përkrahje, në Poliçanin e industrisë së armatimit, mbetur në duart e trafikantëve që fshihen pas procedurave të Ministrisë së Mbrojtjes për çmontimin e xhephaneve mbetur nga lufta kundër imperializmit, ku njerëzit mbajnë radhën për një punë skllavi, në pritje që fushata elektorale t’i përfshijë në listat e çmontuesve, në Pukën e ushqyer me pyje prerje e lëmosha, në Gramshin e bllokuar jashtë të gjitha rrugëve të komunikimit me pjesën tjetër të zhvillimit zallahi, në Bajram Curri, si në dëshminë e gjallë të vizionit pa qytet e as bashkëjetesë qytetare të të parit të qeverisë ardhur prej andej, në Vlorën e pavarësisë shqiptare që sabotohet qëllimisht prej vitesh nga organizatorët e sotëm në pushtet të kremtimit të 100-vjetorit të pavarësisë, në Shqipërinë që deri këtu është Shqipëria e qyteteve e qytezave, të cilën këta njëzet vjet e Saliu sidomos, e kanë degdisur në fatin e vet, pa menduar gjatë se ku po e shpie mungesa e planeve të zhvillimit e lënia me vite e taksave të ndërtimtarisë, si e ardhur kryesore për buxhetet sifilitike të bashkive…

* Kjo copëz e librit “Kurban” është publikuar dje ekskluzivisht për lexuesit e www.edirama.al

Gazeta “Shqip”

Top Channel