“Plehrat”, protestë para Parlamentit

02/11/2011 00:00

Aleanca kundër importit të plehrave i ka bërë thirrje qytetarëve që të protestojnë të enjten në orën 11 para Parlamentit kundër ligjit për menaxhimin e integruar të mbetjeve.

Analistë të njohur të medias dhe përfaqësues të shoqërisë civile deklaruan se përmes reagimit qytetar do t’i bëhet presion Kuvendit të Shqipërisë që të mos votojë nenet e ligjit që lejojnë importin e mbetjeve.

“Ne ftojmë qytetarët që të mblidhemi para Parlamentit për të protestuar. Të enjten shumica synon ta kalojë këtë ligj dhe ne nuk duhet ta lejojmë”, ka deklaruar Blendi Kajsiu.

“Shqiptarët duhet të kuptojnë se kjo është një cështje e të gjithëve, e fëmijëve të demokratëve, socialistëve e ballistëve”, ka thënë pas tij Fatos Lubonja.

Të rinjtë e levizjes Rinia Aktive kanë nënshkruar një peticion të firmosur nga 3 mijë qytetarë në mbarë vendin të cilën e kanë dorëzuar në kryesinë e Kuvendit.

Në peticion, të rinjtë kanë kërkuar kthimin për diskutim në komisione të ligjit për menaxhimin e integruar të mbetjeve.

Para pak ditësh, me shumicën e votave të deputetëve të mazhorances në Komisionin për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin u rrëzua dekreti i presidentit Bamir Topi, i cili ia ktheu për rishqyrtim Parlamentit ligjin për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve.

Veprimi i kreut të shtetit shkaktoi një përplasje të ashpër mes tij dhe Ministrisë së Mjedisit, e cila e kritikoi atë dhe e cilësoi një veprim politik.

Ndërkohë që Topi nga ana e tij reagoi në një mënyrë edhe më të ashpër, duke u sugjeruar qeveritarëve që, “të mësojnë komunikimin”.

Por vendimi i presidentit u kritikua edhe nga kryeministri Sali Berisha, i cili në një mbledhje të grupit të tij e cilësoi sërish atë si një vendim politik.

Një tjetër pikë e rëndësishme është fakti se ligji për menaxhimin e mbetjeve bie ndesh me Bankën Botërore dhe strategjitë ndërkombëtare. 

Top Channel