KLSH, rrëzohet propozimi i Topit

01/11/2011 00:00

Maxhoranca rrëzoi në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë kandidaturën e
Sali Shehut, të propozuar nga presidenti për kryetar të Kontrollit të
Lartë të Shtetit, me pretendimin se nuk përmbush kriteret ligjore.

“Mendimi im është që unë do të isha krenar t’ju kisha në krah, në luftën tonë politike pranë Partisë Demokratike dhe ju shoh më mirë në PD, sesa kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit”, tha deputeti demokrat Igli Cara.

Edhe deputeti tjetër demokrat Flamur Noka ishte në të njëjtën linjë. “Neni 13 ka një pikë që thotë ‘papajtueshmëria është në lidhje me të qenit anëtar i qeverisë, i ndonjë organize apo partie politike’. 
Ju aktualisht jeni anëtar i Partisë Demokratike dhe ne e mirëpresim kontributin tuaj në këtë fushë, por përsa kohë është në konflikt ligjor, ne mendojmë që kandidatura ka problematikë me ligjin”, tha Noka.

Edmond Spaho, që mban postin e kryetarit në Komisionin Kuvendor të Ekonomisë, në emër të maxhorancës dha një arsye tjetër për refuzimin e kandidaturës së zotit Shehu.

“Kjo ka të bëjë më konsultimet e presidentit me parlamentin në emërimet e kandidatëve për organet kushtetuese dhe ne si mazhorancë mendojme se presidenti nuk e ka respektuar këtë kërkesë të Gjykatës Kushtetuese. Kjo është një arsye me shumë që maxhoranca të mos jetë dakort me dekretin e presidentit të Republikes”, tha Spaho.

Por zoti Shehu tha se refuzimi i kandidaturës së tij nga maxhoranca ka arsye politike.

“Pse me thotë Sali Berisha të jap dorëheqjen? Pse më 14 shtator dola nga zyra me cantë në dorë dhe i thashë që do të mbroj shtetin dhe braktisa familjen time apo se me 14 shtator isha në varrimin e Azem Hajdarit dhe bëra 13 muaj burg, apo se fitova dy beteja të rëndësishme në Dibër. Ka dy mundësi, ose kam qenë një kundërshtar i hapur i ndryshimeve kushtetuese, për të cilat koha më ka dhënë të drejtë, ose jam mik i Bamir Topit, por unë kam ngrënë bukë më pak se të tjerët në shtëpinë e tij”, tha Shehu.

Opozita nuk dha asnjë opinion për kandidaturën e Sali shehut në krye të KLSh, madje kundërshtoi procedurën e ndjekur nga maxhoranca për votimin

“Ne vullnetin tonë politik do ta shprehim në seancën parlamentare, ku diskutohen edhe kandidaturat”, tha nënkryetarja e komisionit, Mimi Kodheli.

Edhe pas largimit të opozitës deputetët e maxhorancës e hodhën poshtë dekretin me  11 vota kundër dhe një abstenim, të deputetit Sherefedin Shehu.Sali Shehu ka qenë deputet i Partisë Demokratike për dy legjislatura nga viti 2001 deri në 2009-ën.  

Top Channel