Hipotekimi, Bashkia: Mos bini pre e sekserëve

01/11/2011 00:00

Bashkia e Tiranës, tërhoqi vëmendjen sot përmes zëdhënëses se saj Anila
Bisha, për qytetarët që të mos paguajnë rryshfet për të përshpejtuar
procesin e hipotekimit të banesave.

Reagimi erdhi, pas identifikimit të një gruaje, që prezantohej si punonjëse e bashkisë dhe kërkonte para për të ndërmjetesuar.

“Bashkia e Tiranës ka marrë këto ditë informacion nga qytetarët, ku mësohet se persona të caktuar po abuzojnë duke u prezantuar, si punonjës të bashkisë dhe duke u kërkuar para qytetarëve për hipotekimin e banesave.Rastet e denoncuara vijnë nga njësia bashkiake numër 6, në kryeqytet, ku një zonjë e prezantuar si punonjëse e bashkisë, ka kërkuar një pagesë prej 2 mijë lekësh, për t’iu përshpejtuar procesin e hipotekimit. Bashkia e Tiranës, u bën thirrje qytetarëve, të tregohen të kujdesshëm dhe të mos bien pre e këtyre mashtrimeve pasi ligji dhe vetëm ligji do të jetë orientimi i Bashkisë së Tiranës, në punën e saj dhe jo sekserët”, tha Bisha.

Sipas zëdhënëses, Bashkia e Tiranës ka ndjekur rrugën ligjore, duke i përcjellë materialet për rastet në fjalë pranë policisë dhe Prokurorisë.

Basha: 124 objekte së shpejti prona të ligjshme

Objektet, kryesisht pallatet e ndërtuara në Tiranë, do të pajisen së shpejti me leje regjistrimi. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, nënshkroi javen e shkuar një dokument të rëndësishëm që lejon pajisjen me leje regjistrimi të 124 objekteve të ndërtuara nga firma të ndryshme ndërtimi. Kjo procedurë është në vijim të nismës së bashkisë për pajisjen e qytetarëve me hipoteka për apartamentet që kanë blerë.

“Nëpërmjet një letre që i drejtoj ministrit të Drejtësisë, si organi kompetent për hipotekat, së cilës i bashkëngjis dosjet e plota bashkë me 124 leje shfrytëzimi, kërkoj pajisjen e këtyre 124 objekteve me lejen e regjistrimit, duke hapur rrugën për tapitë përkatëse për 12 mijë qytetarët apo 3 mijë familjarët që kanë në pronësi apartamentet përkatëse të këtyre objekteve”, – theksoi Basha. Ai tha se ky ishte një ndër hapat që bashkia po hedh për të realizuar premtimin që i ka dhënë mijëra qytetarëve për pajisjen e pronave të tyre me hipotekat e munguara.

“Ne do të mbajmë premtimin për disa mijëra banorë të Tiranës që hipotekimi për ta është proces i rëndësishëm. Memorandumi që kemi nënshkruar si bashki me Ministrinë e Drejtësisë dhe atë të Transporteve do japë efektet. Do mbajmë sytë hapur për të parë nëse këto objekte do bëhen me hipoteka. Do shohim me sytë tanë zbardhjen e plotë të këtyre 124 objekteve që Bashkia e Tiranës, tani të pajisura dhe me leje shfrytëzimi, i konsideron të gatshme për të përfunduar procesin e hipotekimit”, – tha kryetari i bashkisë. Sipas tij, hipoteka është proces i papërfunduar, një problem social, mungesa e letrave të pronësisë ka sjellë mungesën e përdorimit të qytetarit ndaj pronës së tyre.

Basha tha se këto 124 objekte nuk përfaqësojnë vetëm tulla dhe llaç, por i japin pronësinë e munguar qytetarit dhe kanë dhe vlerë likuiditeti. Kryetari i Bashkisë u shpreh se, lejet e munguara të regjistrimit gjatë gjithë kësaj kohe ndaj objekteve ka qenë një shkelje, neglizhencë dhe mungesë vëmendjeje e pushtetit lokal, duke pasur parasysh drejtimin e bashkisë nga socialistët.

Faza e dytë

Basha theksoi se faza e dytë e hipotekimit pritet të përfundojë brenda këtij viti, ndërsa e treta ka të bëjë me vakumin. Kryebashkiaku tha se në fazën e dytë të procesit të hipotekimit përfshihet aplikimi i qytetarëve dhe kryerja e pagesës për marrjen në dorë të tapisë së shtëpisë së tyre. “Objektet të shtrira në të gjithë territorin e Tiranës. Deri në fund të vitit do të përfundojë edhe faza e dytë dhe në mbledhjen e këshillit bashkiak, më 10 nëntor, do të kërkohet votimi për përshpejtimin e procesit”, – sqaroi Basha. Ai shtoi se faza e tretë ka të bëjë me një vakum. “Ndërtuesit ose janë larguar nga vendi, ose kanë falimentuar, ose kanë vdekur dhe nuk firmosin dokumentet. Dhe ne këtu do ta mbyllim këtë vakum. Kjo fazë është më pak komplekse, kërkon resurse njerëzore, duhen persona që kërkojnë vëmendje, ndërsa procesi i përfundimit të hipotekimit mbyllet në Hipotekë”, – përfundoi kryetari i bashkisë së kryeqytetit.

Top Channel