Burg përjetë Pinarit, Delijorgjit e Minxollit

01/11/2011 00:00

Pas një odiseje që zgjati tre vjet, prokuroria kërkoi të shpallen
fajtorë për tragjedinë e Gërdecit 28 nga të akuzuarit, ndërsa vetëm për
njërin prej tyre ish-drejtorin e Uzines se Policanit, Lavdi Shatro, ajo u
tërhoq nga akuza.

Prokurorët kërkuan shpalljen fajtorë për vrasjen në bashkëpunim në rrethanave cilësuese kundër 26 personave dhe në dëm të disa të tjerëve, dhe denimin me burgim te përjetshëm për ish-drejtorin e Meico-s Ylli Pinari, pronarit të kompanise “Albademil”, Mihal Delijorgji dhe ish-drejtorin e fabrikes se demontimit, Dritan Minxolli.

Asnjëri prej atyre, për të cilët u kërkua burgim i përjetshëm nuk ishte në sallën e gjyqit. Mbrojtësi i Pinarit tha për Top Channel se Pinari e ka pritur këtë pretencë nga spitali, ku ai po kurohet pas një parainfarkti të kaluar dy javë më parë. I vetmi i akuzuar për vrasje, që ishte prezent në sallë, ishte Sokol Ngjeci, per te cilin u kerkua 23 vjet burg.

Dënimi me burg është kerkuar edhe per ish-kreret e ushtrise shqiptare. Për ish-shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha, i akuzuar për shpërdorim detyre të kuadrit komandues, prokuroria kërkoi tetë vjet burgim dhe ndalim për pese vjet i ushtrimit të detyrës.

Për ushtarakun tjetër të lartë të Forcave të Armatosura Agim Lala u kërkua dënimi me katër vjet burg, për shpërdorim detyre dhe heqja e të drejtës për t’u angazhuar në punë shtetërore për pesë vjet.

Për ish-komandantin e Forcës së Bashkuar, Shpëtim Spahiu u kërkuan tetë vjet burg, heqje e të drejtës për t’u angazhuar në shtet për pesë vjet si dënim plotesues, për ish-komandantin e Komandës Mbështetëse, Zija Bahja, 6 vjet burgim dhe ndalim i ushtrimit të detyrës në shtet për katër vjet, ndërkohe që mes denimeve u kërkua shpallja fajtor edhe për shoqërine “Albademil”, për akuzën e vrasjes në rrethana cilesuese në bashkepunim ne dëm të 26 personave dhe kundër shumë të tjerëve dhe për këtë akuzë, si dhe atë të shkatërrimit të pronës me eksploziv dënimi me 75 milionë lekë gjobë si dhe ndalimi për t’u përfshirë në procese demontimi për 25 vitet e ardhshme.

Prokuroria kerkoi te kalojne ne favor te shtetit te gjitha materialet skrap apo metale te dëmtuara apo jo të gjetura në rajonin e Gërdecit pas shpërthimit të 15 marsit 2008. Prokuroria tha se shpenzimet per hetimet gjyqesore paraprake si dhe te zgjatjes se procesit te ndahen mes te pandehurve, nderkohe qe llogarite bankare te bllokuara, si dhe pasuritë e konfiskuara të kalojnë për llogari të procesit civil të ngritur nga të dëmtuarit e tragjedisë.

“Dënimet nuk ishin në masën e duhur që ne pretendonim, sidomos për shefin e Shtabit të Përgjitshëm Luan Hoxhën dënim me 8 vjet nuk është një dënim i pranueshëm. Për ne familjarët e Gërdecit, duhet të dënoheshin të gjithë me burgim të përjetshëm”, tha pas seancës, Zamira Durda, nëna e Erison, Durdës, i cili humbi jetën nga shpërthimi në Gërdec.

Top Channel