Prifti: Ekspertët mbrojtën Metën

31/10/2011 00:00

Dritan Prifti, duke komentuar raportin paraqitur Gjykatës së Lartë nga 3 ekspertët shqiptarë, e ka vlerësuar atë si diskreditues për drejtësinë shqiptare.

“Në të vërtetë nuk prisja rezultat tjetër, prisja që ata të mbronin Metën. Jo më kot të shtunën, para se ekspertët të publikonin ekspertizën, u takuan në kafe “Europa” me avokatët e Metës. Përse duhet ta bënin këtë? Unë nuk prisja që ata të thoshin të vërtetën, por të diskretitonin më shumë drejtësinë dhe vendin”, ka deklaruar Prifti.

Zoti Prifti ka kundërshtuar përfundimet e ekspertëve, duke përsëritur edhe një herë tjetër se nuk ka ndërhyrje në materialin filmik.

“Këta ekspertë kanë thënë që ka mundësi të mëdha ndërhyrjeje, apo se zëri nuk dëgjohet mirë. Unë ju deklaroj se nuk ka asnjë ndërhyrje, as ën figurë dhe as në zë. Ftoj TCH që ta japë përsëri videon, të plotë. Videoja ka një shirit me orën, minutat dhe sekondat. Cdo shqiptar në ritransmetim mund ta shohë dhe të konstatojë se nuk ka asnjë ndërhyrje. Është e vërtetë që në disa pjesë zëri është i paqartë apo mezi dëgjohet, por të gjithë e panë që pjesët më të rëndësishme janë të pastra”, ka theksuar Prifti.

Duke u rikthyer prapa në kohë, pikërisht disa ditë pas publikimit të videos, Prifti ka kujtuar një deklaratë të Ilir Metës.

“Meta, disa ditë pas publikimit të videos, pranoi se ka qenë në zyrën time, sqaroi se c’ishte 7 përqindëshi dhe pse bënte presione për të punësuar njerëz në administratë. Nuk besoj se një ekspertizë me gënjeshtër u mbush mendjen njerëzve se ajo nuk është e vërtetë”, ka nënvizuar Prifti.

Nëse Ilir Meta del i palagur nga kjo histori, tha ai, nuk besoj se do të ketë më shqiptar që të besojë tek drejtësia. Dhe që kjo mos të ndodhë, Prifti i ka propozuar Gjykatës së Lartë një ekspertizë të re ndërkombëtare.

“Gjykata e Lartë, nëse është vërtetë e pavarur, duhet të kërkojë një ekspertizë të re dhe të huaj. Jo nga ekspertë privatë, por t’i kërkohet një vendi të BE-së që të bëjë një ekspertizë nga policia shtetërore dhe shkencore. Nëse del që ka prekje, unë jap dorëheqjen nga të gjitha funksionet e mija politike”, është shprehur Prifti.

Raportin e tre ekspertëve Dritan Prifri e ka cilësuar si një betejë të humbur kundër korrupsionit por jo humbjen e një lufte, për të cilën ai tha se do të vazhdojë misionin për transparencë dhe drejtësi të barabartë për të gjithë.

Top Channel