Polemikat për Panairin e Librit

31/10/2011 20:45

Vazhdojnë polemikat mes Shoqatës së Botuesve dhe shtëpisë botuese “Dudaj” për pjesëmarrjen e kësaj të fundit në Panairin e Librit, që do të nisë në Tiranë më 9 nëntor.

Shkak është bërë një shkrim në gazetën Shekulli, ku pretendohet se “Dudaj” është lënë jashtë panairit, për shkak se është botuese e librit “Kurban” të kryesocialistit Edi Rama.

Në një konferencë për shtyp kryetari i Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeraj ka mohuar politizimin e cështjes, madje e ka cilësuar atë si një gjetje publicitare. Sa i përket mungesës së vendit për botimet “Dudaj” në panair, zoti Ymeraj ia faturon atë drejtoreshës, Arlinda Dudaj.

“Kjo situatë e krijuar vjen nga mosinteresimi i drejtoreshës së shtëpisë “Dudaj” për të respektuar rregullat e panairit, pastaj nisën këto prentendimet absurde që janë spekullime të pabaza dhe provokative, në mos qoftë cështje marketing. Këtu janë të gjithë të barabrartë”, thotë kreu i Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeraj.

Ndërkohë për Znj. Dudaj e gjithë situata e nderë është krijuar për shkak të konkurencës mes Shoqatës së Botuesve dhe Shoqërisë së Librit Shqip, shoqatë kjo e fundit së cilës ajo i përket.

“Nuk kam asnjë arsye t’i bëj markting një libri pasi ai e ka marketingun. Arsyeja që unë jam këtu është se dua të jem pjesë e panairit. “Dudaj” është lënë jashtë panairit duke i zënë hapësirën e vjetshme. Ne s’kemi thënë që do të bojkotonim panairin”, thotë Arlinda Dudaj, nga Botimet Dudaj.

Top Channel