Tryeza e drejtësisë, PD: Propagandë

30/10/2011 15:00

Deputetët demokratë të Komisionin Parlamentar të Ligjeve lëshojnë një mori akuzash mbi nismën e kolegëvë socialistë për reformën në drejtësi, të zhvilluar të premten.

Dy ditë më pas, të dielën, në një deklaratë për shtyp të shpërndarë me e-mail nga zyra e shtypit e Kuvendit, demokratët thonë se aktiviteti i kolegëve socialistë ishte një veprimtari propagandistike.

Sipas demokratëve, Edi Rama duhet t’u kishte kërkuar fillimisht ndjesë shqiptarëve për bllokimin mbi 3-vjecar që i ka bërë cdo reforme në drejtësi. Vetëm në këtë rast kjo do të kishte qenë një ngjarje shpresëdhënëse sipas tyre.

Demokratët akuzojnë kryetarin e socialistëve se po pengon qartazi procesin e reformave. Kësaj here nëpërmjet atyre që demokratët i cilësojnë si vegla të socalistëve në gjirin e drejtësisë: gjyqtari i Gjykates se Lartë, Ardian Dvorani dhe prokurori i Apelit në Prokurorinë e Pergjithshme, Shkelqim Hajdari. Demokratët e cilësojnë praninë e këtyre dy zotërinjve si shfaqje te nënshtrimit grotesk të përfaqësuesve apo organeve të drejtësisë.

Deputetët demokratë të Komisionit të Ligjeve e mbyllin deklaratën e tyre duke thënë se reforma bëhet në Kuvend, atje ku zoti Rama nuk është prezent.

Kryetari i socialistëve Edi Rama, në një reagim të tijin e cilëson këtë një reagim brutal të deputetëve demokratë. Megjithatë, thotë Edi Rama në reagimin  tij, Partia Socialiste do të vazhdojë politikën e dorës së shtrirë për të bërë të mundur integrimin e vendit. Zoti Rama thotë se rezultatet e tryezës do të publikohen së shpejti, me kontributet e zgjeruara të të gjithë pjesëmarrësve.

Të premten deputetët socialistë të Komisionit të Ligjeve organizuan tryezën “Drejtësia në sfiden e Integrimit”. Përvec kryetarit të shoqatës së prokurorëve, Shkëlqim Hajdari dhe përfaqësuesit të Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë Ardian Dvorani, ftesës së socialistëve iu përgjigjën pozitivisht Prokuroria e Përgjithshme, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, përfaqësitë e Bashkimit Europian dhe të OSBE-së në Tiranë, misionet Euralius apo OBDAT, apo edhe kryetari grupit parlamentar të LSI, deputeti Lefter Koka.

Top Channel