Tiranë, bllokohen 120 kg kanabis

30/10/2011 00:00

Brenda javës Policia e Tiranës dhe njësia speciale operacionale kanë goditur një tjetër grup që u kap gjatë tentativës për të futur në Tiranë ngarkesë kanabis sativa, i destinuar për tu shpërndarë në tregun e brendshëm të kryeqytetit.

Katër persona u arrestuan në kushtet e flagrancës pasi me metodat speciale të hetimit, mes të cilave përgjime telefonike, vëzhgim me agjentë dhe filmime në distancë, në përfundim të operacionit policor antidrogë u kapën me 120 kg kanabis sativa.

Zëdhënësja Alma Katragjini bëri publike detajet e operacionit që u kodua sipas festës së të shtunës “Hallouin”.

“U mor masa e arrestit në flagrancë ndaj shtetasve : Shkelzen Kol Hajdari, 32 vjeç, banues në Qafzotaj (Durrës), i dënuar në shtetin grek për trafik lëndësh narkotike, Aleksandër Zef Kola (Dedukaj), 32 vjeç, banues në Dushnez (Tropojë), i dënuar më parë në shtetin grek për trafik lëndësh narkotike, Eqerem Kapllan Hoxha, 56 vjeç, banues në Qafzotaj (Durrës), Maliq Xhemal Memo, 54 vjeç, banues në Shijak”, u shpreh Katragjini.

Arrestimi i këtyre shtetasve u krye në kuadër të operacionit “Hallouin”,  pasi dyshohet se në bashkëpunim  me njëri tjetrin kanë konsumuar elementë të veprës penale të “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve në bashkëpunim”, parashikuar nga neni 283/2 dhe “Armëmbajtjes pa leje”, parashikuar nga neni 278  të Kodit penal.

Policia deklaron se sasia e drogës u sekuestrua në afërsi të fshatit Pezë Helmës, në çastet që po transporohej me dy automjetet tip Mitsubishi Pajero. Bëhet e ditur se hetimet me metoda sepciale kanë disa muaj që zhvillohen, ndërsa droga konfirmohet që vinte nga Durrësi, vend ku dyshohej se të implikuarit e kishin grumbulluar ngarkesën dhe do të tregtohej në Tiranë. 120 kilogramët e kanabis sativës ishin paketuar në 19 thasë, tha zëdhënësja Katragjini.

Ndërkohë që gjatë kontrollit fizik të Shkëlzen Hajdarit atij iu gjet në trup një pistoletë Zastava. Të arrestuarit akuzohen për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike në bashkëpunim, ndërsa hetimet e mëtejshme do t’i kryejë Prokuroria e Tiranës.

Ndërkaq, në një tjetër operacion në Lazarat është sekuestruar 140 kg kanabis, një person është arrestuar dhe një tjetër është shpallur në kërkim.

Pas informacioneve të marra që më përpara, forcat e rendit nisën operacionin “Vesa e Mëngjesit”, duke u vendosur në ndjekje të një automjeti FIAT pa targa, gjatë orëve të para të ditës së dielë.

Me dy të rinj në drejtim, makina u përpoq t’i shpëtonte ndjekjes duke përplasur automjetin e policisë. Megjithatë, drejtuesi i makinës, 17-vjeçari me inicialet M.H u arrit të ndalohej. Pasagjeri arriti të shpëtonte në këmbë, por identiteti i tij është zbuluar.

Muaji tetor ka shënuar një rritje të rasteve të shtetasve që ndalohen duke transportuar lëndë narkotike. Të enjten, policia e Tiranës vendosi nën pranga gjashtë persona për këto akuza, ndërsa më parë gjatë muajit, 300 kilogram kanabis u ndaluan në portin e Durrësit, 69 në një fshat të Sarandës dhe 13 kilogram në Kakavijë, gjatë transportit që po kryente një shtetas tjetër.

Besohet se edhe marijuana e ndaluar mëngjesin e sotëm kishte për destinacion kalimin në shtetin grek.

Ndalohet maqedonasi, tentoi të fuste në Shqipëri 10 kg heroinë
Disa orë pas dy operacioneve të suksesshme të policisë në mëngjesin e ditës së dielë, një shtetas maqedonas u ndalua në pikën kufitare të Qafë Thanës, duke u përpjekur që të fuste në territorin shqiptar dhjetë kilogram heroinë.

Heroina, me vlerë prej 1,5 milion eurosh ishte fshehur në automjet u zbulua gjatë një kontrolli rutinë. Burimet policore nuk bëjnë ende të ditur identitetin e maqedonasit, por konfirmojnë se kanë nisur hetimet për të zbuluar nëse ka njerëz të tjerë të përfshirë në këtë trafik.

 

Top Channel