“Programin e kemi”, pohon Edi Rama, në një tribunë të botuar të dielën në blogun e tij dhe në disa të përditshme shqiptare. Shkrimi i kryetarit të Partisë Socialiste merr shkas nga një opinion i publikuar në një të përditshme shqiptare, ku opozita akuzohej se nuk ka program qeverisës.

Por zoti Rama e hedh poshtë këtë. Ai kujton se pjesë e programit socialist është edhe propozimi i fundit për heqjen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për ushqimet apo imputet bujqësore dhe uljen nga 20 në 6% të TVSH për dritat.

Pjesë të programit janë edhe nismat e fundit parlamentare, thotë Edi Rama në shkrimin e tij. Zoti Rama vijon me tej se Partia Socialiste ka të njëjtin program që kishte në vitin 2009, të hartuar në dialog me qytetarët dhe në bashkëpunim me ekspertë të ndryshëm.

Por në vitin 2009 ne nuk humbën, thotë Edi Rama, por u vodhëm në fitoren tonë. Sipa tij, ky argument që thuhet herë pas here, harrohet aty për aty. Sa i takon programit, i rishkruar në funksion të ndryshimeve që kanë ndodhur gjatë dy viteve të fundit, ky program bazë do t’i paraqitet Kongresit më 5 nëntor.

Por Edi Rama druan se megjithatë programi nuk do të përbëjë lajm. Pavarësisht se thuhet se socialistët nuk kanë program, Edi Rama thotë se edhe kësaj here nuk do të përbëjë lajm as alternativa socialiste për sistemin fiskal, as alternativa socialiste për fshatin, as ajo për arsimin apo sigurinë e rendin.

Duke iu referuar të shkuarës, Edi Rama parashikon se në qendër të mediave do të jenë thashethemet e Kongresit, apo fjalimet e anëtarëve të Lëvizjes për Mendim Ndryshe. Gjëra pa vlerë, sipas tij, ashtu si argumentat nëse duhet apo jo ai që të shkruajë.

Por kryesocialisti sqaron se tribunat e tij janë një mënyrë për të folur drejtpërdrejt me çdo qytetar që lexon. Ne s’kemi shkop magjik, thotë Edi Rama, as mandat për të vënë dorë mbi plagët e vendit, sepse jemi në opozitë, jo në qeveri. Por ne e kemi një mandat, thotë Edi Rama, i bindur se kur të vijnë në pushtet, socialistët do të bëjnë realitet një rilindje shqiptare në rrugën e Shqipërisë si gjithë Europa.

Top Channel