Edi Rama – Më tërhoqi vëmendjen një shkrim i dikujt që ia çmoj finesën e të menduarit, ia dëgjoj me vëmendje edhe qortimet.

Thoshte nuk është çështje editorialesh e mundohej të thoshte se është çështje e opozitës pse e keqja s’po ndalet dhe pse Shqipëria po katandiset keq e mos më keq. Saliu merret i mirëqenë, e mirëqenë merret edhe keqqeverisja e tij. Dhe, fare çuditërisht, akuzohet rëndom opozita sikur të ishte ajo përgjegjëse për keqkatandisjen e vendit. Do mundohem të shpjegohem thjesht. As e kuptoj dhe as e konsideroj si të vlefshme për reflektim rrekjen e kotë gazetareske nëse duhet apo s’duhet të shkruajë  editoriale kryetari i opozitës. Kjo është një furtunë në gotë që më kujton kohën e “Dialogut me Shqipërinë”, kur të njëjtët njerëz, qoftë dashamirësit a qoftë keqdashësit, thoshin s’bëhet opozita duke bërë muhabet fshatrave po duke ndenjur në Tiranë. Sepse politika e madhe u bëka vetëm në Tiranë, madje në gjatësinë e bulevardit të Tiranës.

Këto, të më falin kompetentët, janë muhabete shterpë. Siç është shterpë edhe muhabeti, sepse muhabet është jo argument, që opozita s’kishte program në 2009 apo që populli po pret një program dhe në vend të tij, siç thoshte shkrimi që më nxiti të shpjegohem, ne po i japim vetëm editoriale. E vërteta është se ne e kishim një program në 2009, të hartuar si asnjëherë më parë nga një parti opozitare, në dialog me qytetarët e në bashkëpunim me një duzinë ekspertësh të nivelit më të lartë ndërkombëtar. E kemi edhe sot gati një program bazë, të rishikuar mbi çka ka ndodhur në dy vjet në Shqipëri dhe do t’ia paraqesim kongresit për miratim sot një javë. Do ta kemi përsëri një program të plotë qeverisës në zgjedhjet e ardhshme. Pjesë të  programit tonë të rishikuar kemi nisur t’i artikulojmë konkretisht, në nismat tona parlamentare.

Por, faktikisht, ka qenë e do jetë kështu edhe për kushedi sa kohë, që kur ne flasim e flasim për heqjen e TVSH-së së bukës, vezëve, qumështit a ilaçeve, për uljen e TVSH-së së dritave nga 20% në 6%, ose për zerimin e TVSH-së së imputeve bujqësore, kjo nuk përbën lajm. Nuk përbën as arsye për koment. Madje nuk ekziston përveçse si ato lajmet e dikurshme nga bota, kuadrat i humbur mes zhaurimës së polemikave boshe e sharjeve energjike.  Pavarësisht se këtu bëhet fjalë për një qasje qartësisht alternative në funksion të lehtësimit të sadopaktë të çdo familjeje shqiptare, komenti mbetet PS s’po thotë asgjë për ekonominë. Lajmi vazhdon të jetë e lagu s’e lagu, mu siç po ndodh edhe me editorialet e mia, ku në komentin e përmbajtjes hyjnë vetëm blogerat e edirama.al, ndërsa të tjerët merren vetëm me formën e komunikimit. Bën s’bën, duhet s’duhet, i takon s’i takon!

Më bëri përshtypje në shkrimin në fjalë, e kjo është e zakonshme, fakti se për të gjitha çështjet që thuhej se duhet të flasë opozita, opozita ka folur. Dhe jo një herë. Mbase nuk ka bërtitur, po ka folur. E çka shumëkush e harron është se kur qeveria s’do t’ia dijë për asgjë sepse ka dalë nga vjedhja jo nga vota, atë mund ta ndalë vetëm populli duke i hequr me votë mandatin për të qeverisur, jo ulërimat, të sharat apo qoftë edhe protestat qytetare. Po kjo është një çështje tjetër, debat më vete.

Në kongresin e javës tjetër ne do të shpalosim programin tonë bazë për Shqipërinë që duam. Ky program, që do t’u shkojë pastaj dorë më dorë, e derë më derë shqiptarëve përgjatë një rrugëtimi të përbashkët deri në zgjedhje duke u zgjeruar, thelluar, përsosur, është graviteti i Kongresit të 5 nëntorit. Por prapëseprapë jam i bindur se lajmi i kongresit nuk do të jetë programi. As alternativa jonë e re për sistemin fiskal, as alternativa jonë e re për fshatin, as alternativa jonë e re për shëndetësinë, as alternativa jonë e re për arsimin, as alternativa jonë e re për sigurinë e rendin, nuk do të jenë lajmi dhe as brumi i komenteve mbi kongresin. Megjithëse në këto pesë fusha ne do dalim me një qasje radikalisht të ndryshme nga qasja e pushtetit të sotëm, lajmi e komentet do jenë për çfarë thanë ndryshe disa që s’thanë asgjë po e thanë ndryshe apo pse s’u përjashtuan ata që s’duan të përfshihen e me radhë. Pa llogaritur edhe batutat apo thashethemet nga holli i Pallatit të Kongreseve, që me siguri do zënë faqe të plota gazetash. Asgjë e re, kështu ka ndodhur gjithnjë, kështu do ndodhë gjithnjë, ma ka thënë bukur një kryeredaktor, nuk shet programi shet diversioni.

Gjëja që të gjithë e thonë po të gjithë e harrojnë përsëri e përsëri, është se ne u vodhëm në 2009-ën. Nuk humbëm. E mes fitores së vjedhur e humbjes së merituar ka një dallim aq të madh sa s’është e mundur që me një fjalë të thuhet, nëpër të, zgjedhjet u vodhën, dhe pastaj të vazhdohet me mijëra fjalë pse zgjedhjet u humbën. Sepse nuk u humbën pra, po u vodhën. E nëse u vodhën do të thotë se ne nuk jemi sot në opozitë ngaqë s’kishim program, ngaqë s’kishim instrumenta drejtimi, ngaqë humbëm rrugën. Po jemi në opozitë sepse vullneti i zgjedhësve u deformua. Edhe në 2009 në Shqipëri edhe në 2011 në Tiranë. Ndërkohë që, s’duhet harruar po ashtu, zgjedhjet e 8 majit ne i fituam si kurrë më parë në gjithë Shqipërinë që paguan taksa e  që ka më shumë interes të dëgjojë programe e vlerësojë alternativa; ku prekja e votës nuk ndryshoi rezultatin.

I gjithë frustracioni prej keqqeverisjes kthehet në mllef a në pakënaqësi ndaj opozitës, deri në pikën ku s’bëhet më as dallim e asnjë lloj kujdesi që të mos nxirren sytë për të vënë vetulla. Arrihet në pikën ku thuhet fjalë ata fjalë këta, këtu të gjithë janë njëlloj, a thua se qeveria gjykohet për çka thotë, ndërsa opozita gjykohet për çka bën dhe jo e kundërta. E kështu, duke iu larguar thelbit të problemit, gjithçka thuhet rëndom për opozitën bëhet alibia e qëndrimit të Saliut në pushtet dhe e konsolidimit të kulturës së pandëshkueshmërisë.

E së fundi, shkrimi që më tërhoqi vëmendjen thoshte se unë qenkam mbyllur për t’u treguar njerëzve sa shumë më ka mërzitur padrejtësia dhe këtë e paskam bërë edhe pas vjedhjes së 2009-ës. Është thjesht e pavërtetë. Pas vjedhjes së 2009-ës lashë fushë të lirë për debatin e brendshëm në PS dhe mora kohë për reflektim, dëgjova të gjithë dhe të gjitha, e pastaj në shtator u futa në garë për t’u rizgjedhur. Pas vjedhjes së Tiranës e kam deklaruar publikisht se do hyjmë në një kurs të ri politik. Arsyet dihen publikisht. E ndër të tjera, puna ime do jetë më pak në ekranin e televizorit e më shumë në kontaktin e drejtpërdrejtë me njerëzit. Pjesë e këtyre kontakteve janë edhe shkrimet, një mënyrë për të folur drejtpërdrejt me çdo qytetar që lexon. Jo e vetmja pa pikë dyshimi, por të japin mundësinë të shpjegohesh në një formë që nuk shpjegohesh dot në përditshmërinë frenetike të ekranit. Aq më tepër në pasqyrën kaq keqaz të deformuar të botës mediatike shqiptare.

Ne s’kemi shkop magjik. Ne s’kemi as armë, as gurë. S’kemi as mandat për të vënë dorë mbi plagët e vendit, sepse jemi në opozitë jo në qeveri. Ne kemi vetëm fjalën për ata që kanë veshë e dëshirë të dëgjojnë idetë, pikëpamjet, argumentet tona. Dhe kemi të gjithë pasionin politik për të bërë realitet një rilindje shqiptare në rrugën e Shqipërisë së gjithë Europa. Me kthjellësi, vullnet, durim e mbi të gjitha patriotizëm e qytetari.

Gazeta “Shqip”

Top Channel