Pronat përgjakin tranzicionin

29/10/2011 00:00

Andrea Stefani – Janë rreth 8 mijë njerëz të vrarë për shkak të konflikteve të pronësisë në këto 20 vjet tranzicion në Shqipëri.

Bilanci tragjik u bë prezent në një tryezë të opozitës për reformën në sistemin e drejtësisë. Shifra është alarmante dhe shpreh sintetikisht degradimin e shtetit shqiptar thuajse në gjendjen e natyrës ku njeriu kacafytet me njeriun. Tetë mijë të vrarë në 20 vjet do të thotë rreth 400 të vrarë për çdo vit. Që më tej do të thotë se çdo ditë në këto 20 vjet të tranzicionit është vrarë, të paktën, një njeri vetëm për konflikte pronësie. Një vetëgjyqësi masive që ulërin me elokuencë të përgjakshme për mungesën e efektivitetit të sistemit të drejtësisë, por edhe për fajësinë e një klase politike që ndërsa është kujdesur të pronësojë vetëm vetveten, i ka kurthosur qytetarët në një zinxhir të pafund konfliktesh që jo vetëm nuk i ndihmon të fitojnë pronën, por i rrëmben edhe jetën.

* * *

Janë bilance tragjike që denoncojnë falsitetin e shtetit dhe poshtërsinë e pushteteve politike. Se ç’vlerë ka një shtet nëse nuk shërben për të garantuar jetën dhe pronën, dy themelet mbi të cilat ngrihet lumturia e njeriut. Njerëzit hyjnë në marrëveshje me njëri-tjetrin, pranojnë të jenë pjesëtarë të një shoqate që merr emrin e shtetit, të popullit, të republikës a monarkisë, me synimin e përbashkët që të garantojnë jetën dhe pronën në radhë të parë. Nga kush? Nga lakmia dhe për rrjedhojë, nga dhuna e njëri-tjetrit. Prandaj krijohet shteti që nëse nuk i vë fre kësaj dhune apo gjendje kaotike të luftës së të gjithëve kundër të gjithëve, nuk ka asnjë kuptim. Bilanci tragjik me rreth 8 mijë të vrarë vetëm për konflikte pronësie në rreth 20 vjet, është tregues i dështimit të drejtësisë në këtë rrafsh themeltar për shtetin, si dhe i triumfit të vetëgjyqësisë. Ilustrimi më tragjik, por edhe më domethënës i këtij dështimi, ishte episodi i konfliktit të armatosur që shpërtheu para pak ditësh, mes dy palëve të një çështjeje, menjëherë pasi ato dolën nga një seancë gjyqësore. Gjyqet janë mënyra për të shmangur vetëgjyqësinë dhe një vetëgjyqësi pas një procesi gjyqësor, flet për dështim të gjyqësisë. Por zinxhiri pambarim i konflikteve lidhur me pronën është, mbi të gjitha, tregues i dështimit të shtetit.

* * *

Ku duhen kërkuar rrënjët e kësaj barbarie të përgjakshme dhe këtij dështimi? Mbi të gjitha në mungesën e frymës së të drejtës, në mungesën e frymës së ligjit pa të cilën nuk mund të ngjizet një shtet i vërtetë. Dhe atje ku mungon kjo frymë, lakmia dhe epshi për pasurim të padrejtë e të pamerituar nuk ndesh asnjë pengesë. Ato fryhen duke u shndërruar në dhunë, padrejtësi e më në fund edhe konflikt të përgjakshëm. Dhe fryma e ligjit dhe e së drejtës ka munguar, mbi të gjitha, në elitën politike të tranzicionit. Sot është një fakt i rëndomtë të ndeshësh pronarë që nuk kanë mundur të rimarrin dot pronat e shtetëzuara padrejtësisht nga regjimi komunist. Diktatura ka 20 vjet që ka rënë, por padrejtësia thelbësore e atij regjimi, grabitja e pronës, nuk është korrigjuar ende. Rastësisht? Aspak. Dukuria shpreh thelbin e fshehtë bolshevik të klasës politike që erdhi në pushtet pas rrëzimit të bolshevizmit. Ajo është përfundimisht dhe vendosmërisht kundër rikthimit të pronës tek i zoti. Buxhetet qesharake për kompensimin e pronarëve viti pas viti, janë vetëm një mënyrë për ta maskuar këtë mendësi bolshevike që nuk mund ta pranojë dot rivendosjen e së drejtës së pronës private. Kanë kaluar dy dekada nga rënia e komunizmit dhe pronarët nuk kanë marrë dot pronat e grabitura nga komunizmi! Kjo është, as më shumë dhe as më pak, por një shpronësim i dytë neokomunist i klasës së pronarëve. Kur në vitin e largët 1944 komunistët erdhën në pushtet, akti i parë që ndërmorën ishte shpronësim i pronarëve. Prandaj edhe akti i parë, i thellë, rrënjësor dhe i vendosur pas rënies së komunizmit, duhet të ishte pikërisht zhbërja e aktit të parë të tij, kthimi i pronave të grabitura pronarëve. Por kjo nuk mund të ndodhte me një klasë politike të padedikuar për të drejtën. Prandaj dhe dhuna komuniste ndaj pronës u konvertua në dhunën e pushteteve të korruptuara. Ndërsa komunistët e dhunuan pronën private në emër të “popullit”, demokratët vazhdojnë ta dhunojnë në emër të pasurimit korruptiv. Fonde të tëra tokash, që duhet të përdoreshin për kompensimin fizik të pronarëve, janë grabitur nga familje pushtetarësh apo biznese pranë tyre, për ndërtime fshatrash turistikë dhe zhvillimin e bizneseve të tjera. Një grabitje që ndërsa ka pasuruar politikanë e pushtetarë, e ka shtyrë kompensimin e pronarëve për në kalendat greke. Sepse tashmë, në pamundësi të kompensimit fizik premtohet, për demagogji kompensimi financiar. Por sa mundësi ka shteti, ende i varfër shqiptar, me një prodhim të brendshëm prej rreth 10 miliardë eurosh në vit, të kompensojë financiarisht prona që kapin vlerë prej dhjetëra miliardë eurosh? Kompensimi financiar i pronarëve shfaqet si një utopi dhe mashtrim, ndërsa kompensimi fizik, rruga më racionale dhe e mundshme, është ezauruar nga pasurimi korruptiv i pushteteve dhe i politikanëve. Një padrejtësi në themel të shtetit që nuk do të kurohet dot dhe do të vazhdojë të përgjakë, deri ditën kur drejtësia do të ngrihet për t’u treguar vendin pushteteve të korruptuara.

Gazeta “Shqip”

Top Channel