Në qarkun e Beratit, kryeministri Sali Berisha inauguroi disa investime publike në fshatrat Lapardha dhe Sinjë, nga ku ka folur edhe politikisht duke kundërshtuar propozimet e opozitës për heqjen e TVSH-së në disa artikuj jetik për qytetarët.

Pasi inauguroi rrugën në fshatin Lapardha të komunës Otllak, kryeministri zhvilloi një takim me banorët e këtyre fshatrave.

Duke folur për situatën politike në vend, Berisha u shpreh edhe një herë kundër propozimeve të parashtruara tashmë nga opozita për heqjen e TVSH-së.

“Krerët e opozitës, për të sulmuar qeverinë, kërkojnë heqjen e TVSH-së për prodhimet tuaja. Qëllim i tyre është që ju të mos votoni më për qeverinë. Nuk do të hiqet TVSH-ja, sepse si kudo në Europë për biznesin dhe fermerët do të ketë subvencione nga ana e shtetit. Ne nuk e heqim TVSh-në për importet, sepse asnjë nga bizneset nuk do të ulë cmimet, por do të rriten të ardhurat e partive nga bizneset”, deklaroi Berisha.

Sikurse edhe gjatë vizitës në Tropojë, kryeministri Berisha shprehu pikëpamjet e mazhorancës për ligjet me 3/5 që kërkojnë edhe votat e deputetëve socialistë.

“Krerët e PS përdorin pushtetin që u kanë dhënë zgjedhësit për të bllokuar ato pak ligje që janë të nevojshme të votohen me tre të pestat, që janë jetike për integrimin në Evropë. 95 për qind e ligjeve të tjera nuk bllokohen dot nga ata që përdorin pushtetin e zgjedhësve për të bllokuar aspiratën më të mirë të tyre. Ne do ta shtymë përpara rrugën e integrimit”, theksoi Berisha.

Në vijë të vizitës zoti Berisha përuroi përfundimin e investimit në rrugën e fshatit Sinjë.

Brace: Berisha, tur demagogjik

Por menjëherë pas vizitës së kryeministrit në qarkun e Beratit ka reaguar deputeti socialist Erjon Brace, i cili në një konferencë për shtyp ka deklaruar se kryeministri po bën tur demagogjik duke përuruar disa herë të njëjtat rrugë.

“Ai nuk zgjidh asnjë gjë, thjesht bën propagandë. Pavarësisht se axhenda është mbajtur e fshehtë, kryeministri është sot në Berat për turin e tij demagogjik të inaugurimit të rrugëve. Politika e tij e rrugëve ka dalë jashtë loje. Sot ai inauguroi një rrugë që është inauguruar edhe tre herë të tjera”, ka deklaruar Brace.

Top Channel