BSH: Sinjale për uljen e mëtejshme të interesit

29/10/2011 00:00

Banka e Shqipërisë po shqyrton mundësinë e uljes së mëtejshme të normës
bazë të interesit të lekut, masë kjo që mund të ndërmerret brenda një
apo dy muajve të ardhshëm, bëhet e ditur nga burime nga ky institucion.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë e pati sinjalizuar hapur mundësinë e uljes së interesit në konferencën e tij për shtyp të 26 tetorit, duke e kushtëzuar me ecurinë e diskutimeve për krizën e eurozonës dhe faktorëve të tjerë, ndërsa dje, burime jozyrtare thanë se ulja e normës është një diskutim konkret brenda institucionit të politikës monetare.

“Pa cënuar stabilitetin e çmimeve dhe ekuilibrat e jashtëm të ekonomisë, qartësimi i situatës në Eurozonë gjatë ditëve në vijim dhe konfirmimi i pritjeve tona për ecurinë e aktivitetit ekonomik në vend, mund të krijojë hapësirë për një lehtësim të mëtejshëm të politikës monetare,” – tha Fullani. Kriza e eurozonës duket se u vu në rrugë drejt zgjidhjes përmes faljes së gjysmës së borxhit publik të Greqisë, gjë që pritet të krijojë stabilitet dhe hapësirë vendimmarrëse edhe për Shqipërinë.

Norma bazë e lekut u ul në shtator nga 5.25 në 5 për qind. Shqipëria nuk ka eksperimentuar kurrë më parë me interesa më të ulëta se kaq. Ulja e interesit bazë do t’i japë mundësi qeverisë të kursejë në interesat e borxhit të brendshëm si dhe do të detyrojë bankat të kërkojnë kreditorë, ndërkohë që do ta bëjë lekun më pak tërheqës si monedhë për depozita në krahasim me euron. Por diferenca e interesave mes lekut dhe euros për depozitat është sot në nivel shumë të lartë në krahasim me disa vite më parë, gjë që tregon se BSH ka hapësirë për ulje të mëtejshme të normës së lekut pa dëmtuar besueshmërinë e saj si monedhë. Të dhënat historike për interesin e depozitave 12 mujore në lekë dhe euro tregojnë se interesat lëvizin bashkarisht. Pra kur rritet interesi i lekut, rritet edhe ai i euros dhe anasjelltas. Por para krizës në vitet 2007 e 2008, interesat e lekut qenë 2 për qind më të larta se ato të euros, ndërkohë që në dy vitet e fundit, interesat e lekut janë mesatarisht 2.8 për qind më të larta se sa interesi i ofruar për depozitat vjetore në euro.

Ekonomia shqiptare ka tashmë afro një vit që përjeton konsum shumë të dobët nga ekonomitë private, gjë që ka sjellë rënie të konsiderueshme të çmimeve sensitive, veçanërisht produkteve bujqësore vendëse dhe veshjeve. Por Banka e Shqipërisë thotë se rritja e dobët e kreditimit gjatë muajve të fundit nuk është shkaktuar aq shumë nga dëshira e bankave për të dhënë kredi se sa është shkaktuar nga refuzimi i shqiptarëve për të kërkuar kredi.

Top Channel