BSH kërkon forcimin e mbikëqyrjes te bankat

29/10/2011 00:00

Në kuadër të situatës së krijuar me sistemin bankar në rajon, Banka e
Shqipërisë ka bërë disa propozime ligjore, që synojnë forcimin e
mbikëqyrjes në tregun bankar vendas.

Një aspekt i rëndësishëm në projektligjin “Për bankat”, miratuar javën e kaluar nga qeveria, është kthimi i degës së bankës së huaj në filial, në mënyrë që të rritet pavarësia nga banka mëmë dhe BSH-ja ta ketë më të lehtë kontrollin ndaj saj. Natyrisht që kthimi në filial e bën bankën e huaj më pak të infektuar nga kriza, që në rastin konkret është duke përjetuar banka mëmë.

Sipas BSH-së, sistemi aktual është solid dhe me gjendje të mirë financiare, dhe këtë e tregojnë depozitat gjithnjë e në rritje. Tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me krijimin e ‘bankave ura’, të cilat përkohësisht marrin funksionet menaxhuese të bankës me probleme, në gjendje likuidimi.

Këto ‘banka ura’ krijohen posaçërisht nga BSH-ja në mënyrë për të administruar bankën në gjendje falimenti. Megjithatë, në relacionin që shoqëron projektligjin, BSH, së bashku me Ministrinë e Financave, sqaron se ndryshimet vijnë si rrjedhojë e kushteve të BE-së për të forcuar kontrollin, dhe si një masë paraprake ndaj rreziqeve të mundshme.

Top Channel