“Albpetrol”, privatizimi nxjerr në rrugë 2500 naftëtarë

29/10/2011 00:00

Hapi i parë drejt privatizimit të “Albpetrolit” ishte miratimi i projektit në qeveri dhe kalimi i formës finale në Kuvend.

Pra, do t’u duhet deputetëve të vendosin nëse forma më e duhur për shitjen e kompanisë së prodhimit të naftës vendase është koncesioni për mbi 35 vjet apo shitja totale e saj, privatizimi. Aktualisht gjendja financiare e kompanisë nuk është optimale, megjithatë kohët e fundit, ndërmarrja ka mundur të rikuperojë vetëm me shitjen në ankand të sasive bruto të naftës.

Nëse jepet me koncesion, situata për menaxhimin e kompanisë mund të komplikohet akoma dhe më shumë, por nëse shitet, qeveria zgjidh një herë e mirë çështjen e likuidimit të një prej kompanive më me shumë borxhe në sistemin tatimor.

Nëse është me koncesion apo privatizim, kjo pjesë u intereson më tepër naftëtarëve, rreth 3000 punonjësve të kompanisë, të cilët presin me ankth verdiktin final. Të kontaktuar nga gazeta “Shqip”, grupi sindikalist i naftëtarëve shprehen se forma më e duhur do të ishte privatizimi, pasi u jep mundësi të përfitojnë trajtim financiar, si p.sh., 1 vit pagë.

Kërkesat e sindikatës shkojnë më tepër se thjesht trajtimi. Ata, në një letër drejtuar ministrit të Ekonomisë, Nasip Naço, kanë sugjeruar marrjen e aksioneve, në mënyrë që mundi dhe puna e tyre të kompensohet me fitimet e kompanisë. Megjithatë kjo kërkesë duket e largët për t’u realizuar, pasi problem konkret për punonjësit është trajtimi me pagë dhe asistencë financiare.

Gazeta mëson faktin se drejtoria e “Albpetrolit” ka hartuar listën me 2500 punonjësit që pritet të largohen brenda një periudhe të shkurtër kohore, duke lehtësuar kompaninë nga detyrimet financiare dhe duke e bërë sa më të lehtë shitjen e saj tek investitori i huaj strategjik. Në takimet që ministri ka zhvilluar direkt me sindikatën, është bërë e ditur se reforma në kompani ndodhet në një fazë delikate, duke nënkuptuar se largimi i punonjësve është një proces i pashmangshëm.
 
Plani i qeverisë për të dhënë me koncesion kompaninë e naftës “Albpetrol” ka vënë në lëvizje Sindikatën e Naftëtarëve. Prej kohësh kjo kategori, e cila për vite punon nën tokë, kërkon kushte më të mira ekonomiko-financiare pas daljes në pension, moshën e ulur të pensionit dhe mbi të gjitha statusin.
“Ne u kemi sugjeruar që në rastin e privatizimit të naftës dhe gazit të përfshihen punonjësit si aksionerë, duke e blerë aksionin me 50 për qind të vlerës reale të tij, me letra me vlerë të pjesëtarëve të familjeve të naftëtarëve (ky veprim është bërë edhe në vende si Hungari, Rumani dhe në vend, p.sh. ‘Albtelekomi’”, shprehen në një letër dërguar Kryeministrit, Sindikata e Naftëtarëve. Sipas tyre, industria e naftës dhe gazit duhet të mbajë ekonomikisht vendin dhe jo të shkarkojë nga puna naftëtarët.
Në këtë kuadër, sindikata jep të dhënat, sipas të cilave, vetëm nga “Albpetroli” në vitin 1975 nxirrej naftë bruto 2 248 000 tonë në vit, kurse në vitin 1992 nxirrej 1 018 350 tonë në vit. Në vitin 2005 nxirrej 401 500 tonë në vit, ndërsa në 2010-n, po sipas naftëtarëve, janë nxjerrë 115 000 tonë në vit. Po ashtu, fuqia punëtore në vitin 1992 ishte 28500 veta, ndërsa sot në vitin 2010 është 2900 vetë.

Top Channel