Sigurimet, liberalizimi ul çmimet për makinat

28/10/2011 08:25

Çmimet e sigurimit të detyrueshëm të makinave pësuan rënie të ndjeshme gjatë këtij viti, veçanërisht pas miratimit të ligjit për liberalizimin e këtij tregu tre muaj më parë, bëhet e ditur nga të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.

Siç informon të premten gazeta “Shqip”, për periudhën janar-shtator të këtij viti, në Shqipëri u siguruan 326 mijë makina në skemën e sigurimit të detyrueshëm të përgjegjësisë ndaj palëve të treta, me rritje 4 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Por, në të njëjtën kohë, të ardhurat e kompanive të sigurimeve nga ky segment i tregut ranë me 23 për qind në 1.75 miliardë lekë. Në të njëjtën periudhë të një viti më parë, të ardhurat ishin 2.3 miliardë lekë. Pagesa mesatare e deklaruar për paketë sigurimi ka rënë në pak më shumë se 5 mijë lekë të reja.

Në qershor të këtij viti, qeveria e ndryshoi ligjin për sigurimin e detyrueshëm të automjeteve, duke i dhënë mundësi kompanive të sigurimeve të përcaktojnë vetë çmimet. Më herët, një formulë ligjore zbatohej për përcaktimin e çmimeve, të cilat varionin nga 8 deri në 12 mijë lekë në vit.

Pas liberalizimit, çmimet ranë menjëherë. Në fakt, liberalizimi i çmimeve mund të sjellë efekte pozitive për bilancet e kompanive të sigurimeve, pasi në treg realisht çmimet qenë më të ulta nga ato zyrtaret, ndërkohë që taksat paguheshin për çmimet zyrtare.

Qeveria shqiptare e ka liberalizuar dhe vënë nën mbikëqyrje disa herë gjatë dekadës së fundit tregun e sigurimit të detyrueshëm të automjeteve.

Top Channel