Një makinë pa timon

28/10/2011 00:00

Leonard Boduri – Në ekonomi, parimi i “avantazhit krahasues” është një argument themelor,
në favor të tregtisë së lirë, midis vendeve dhe specializimit të
aftësive profesionale të individëve

David Rikardo, autori i parimit, argumenton se është me përfitim të përbashkët të të gjitha palëve të përfshira në shkëmbim tregtar, pavarësisht se një palë mund të jetë teorikisht më produktive në çdo fushë të mundshme ekonomike se të gjitha palët e tjera bashkëveprues, për sa kohë që çdo palë përqendrohet në aktivitetet që ka një avantazh krahasues relativ. E thënë më shqip, çdo vend ka disa kushte specifike, që mund të jenë gjeografike ose jo, që mund t’i ofrojnë avantazhe ekonomike më të mira në krahasim me ekonomitë e vendeve të tjera me të cilat bashkëvepron, ashtu si çdo individ, i cili lind me disa tipare gjenetike unike, të cilat i japin avantazh krahasues në një fushë të caktuar profesionale.

Në këtë prizëm do të marrim në analizë avantazhet krahasuese të ekonomisë shqiptare. Do t’i referohemi “Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim (SKZHI) për vitet 2007-2013” të miratuar në muajin mars të vitit 2008 nga qeveria shqiptare. Strategjia Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim pretendon: “Të kristalizojë qartë vizionin afatmesëm dhe afatgjatë të zhvillimit të vendit, bazuar kjo në një proces të hapur e transparent që garanton përfshirjen e gjerë të shoqërisë civile, komuniteteve vendore, komunitetit të biznesit, grupeve të tjera të interesit, strukturave akademike e shkencore të vendit, spektrit politik shqiptar, etj.”. Në mënyrën më korrekte në pjesën e dytë të strategjisë, të titulluar “Vizioni, përparësitë dhe qëllimet strategjike” (faqe 14), përcaktohen si fusha të avantazhit krahasues të ekonomisë shqiptare sektori i bujqësisë dhe sektori i turizmit.

Duke u bazuar në kornizën e mësipërme duhet të rrimë të qetë, pasi procesi i zhvillimit të strategjisë ekonomike të vendit është gjithëpërfshirës dhe transparent. Mirëpo herë pas here dëgjojmë nga hartuesit e strategjisë kombëtare të zhvillimit disa “çudira” prioritare. Është vërtet e vështirë të kuptojmë, pavarësisht strategjive të shkruara dhe të miratuara, cilat janë fushat ekonomike prioritare të vendit. Për disa vite nuk e kemi pasur të qartë nëse Shqipëria kishte si prioritete kryesore bujqësinë dhe turizmin apo zhvillimin e industrisë së energjisë bërthamore, derisa ky argument i pompuar fort u harrua. Menjëherë pas rënies së tezës së krijimit të një superfuqie energjetike bërthamore në Ballkanin Perëndimor po ngrihet një tezë e re e avantazhit krahasues të riciklimit të mbetjeve. Industria e riciklimit të mbetjeve vjen si një kartë e re ekonomike, për të vazhduar ritmin e lartë të ritmeve të rritjes së ekonomisë shqiptare.

Si zakonisht, në vallen e riciklimit të mbetjeve janë paraqitur argumente pro miratimit të ligjit nga pala në pozitë dhe argumente kundër nga pala në opozitë. Ligji i shumëpërfolur “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, miratuar nga Kuvendi më 22.9.2011, është kundërshtuar fort nga opozita dhe është kthyer për rishqyrtim në Parlament nga Presidenti i Republikës.

Në planin juridik, ligji i miratuar justifikohet me gabimet juridike të së shkuarës, duke iu referuar ligjit nr. 8934, datë 5.9.2002 “Për mbrojtjen e mjedisit”, neni 22 dhe ligjit nr. 9010, datë 13.2.2003 “Për administrimin mjedisor të mbetjeve të ngurta”, neni 26. Nenet e përmendura krahasohen me nenet 48 dhe 49 të ligjit të marrë në diskutim. Pretendohet se ky ligj nuk ka bërë ndonjë lëshim mbi importin e mbetjeve, por përkundrazi, po tenton të mbyllë të gjitha shtigjet e lëna hapur nga hapësirat ligjore të mëparshme. Deri më sot, pavarësisht pretendimeve për transparencë, nuk është ofruar një analizë e qartë se cilat janë saktësisht ndryshimet që sjell ligji i ofruar dhe cilat janë rreziqet konkrete nga këto ndryshime juridike. Ndonjëherë argumentet juridikë shkojnë deri aty sa pretendojnë se miratimi i këtij ligji, bëhet në emër të integrimit. Më pas thuhet me zë të ulët se hartimi i një kuadri ligjor të tillë lejohet nga BE-ja, por nuk është kusht i integrimit të vendit miratimi i tij në Parlament.

Në planin ekonomik ligji “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” justifikohet me anë të argumenteve ekonomikë që theksojnë përfitimet e ekonomisë nga zhvillimi i suksesshëm i industrisë ricikluese. Karta e riciklimit nuk merr në konsideratë humbjet dhe kërcënimet mjedisore të drejtpërdrejta dhe të tërthorta për qytetarët e vendit. Si është e mundur që prioritet i industrisë së riciklimit të jetë liberalizimi i tregut të mbetjeve, pa bërë hapat më minimalë në sistemimin e mbetjeve vendase. Ndërtimi i impianteve me kapacitet të tillë, që do t’i përgjigjej kërkesave të vendit, do të na pajiste me eksperiencën e duhur në këtë fushë dhe do t’i vinte në ndihmë sektorit turistik në vend. Nga ana tjetër, zhvillimi i industrisë së riciklimit në masë të gjerë do të përbënte një faktor rrënues për sektorët e bujqësisë dhe të turizmit. Strategjia prioritare e “avantazhit krahasues” të industrisë së riciklimit të mbetjeve nuk mund të bashkëjetojë me prioritetet dhe avantazhet “gjenetike” të ekonomisë së vendit.

Strategjia Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim për vitet 2007-2013, që duhet të na shërbente si një timon afatmesëm, ka humbur drejtimin dhe makineria e ekonomisë shqiptare po ecën kuturu. Siç mund të kuptojmë, nga improvizimet e shumta dhe ndryshimet e pakuptueshme të kurseve të drejtimit të prioriteteve të ekonomisë së vendit, stili i menaxhimit të vendit është dhe vazhdon fatkeqësisht të mbetet thjesht një model “kameleonik” që ndryshon ngjyrë sipas lëvizjes së erës politike. Shqetësim më vete, jo vetëm ekonomik, përbëjnë investimet e mëdha të kryera në ndërtimin e impianteve me kapacitete të mëdha të riciklimit të mbetjeve, para “miratimit të sigurt” të ligjit në Parlament.

A përbën industria e riciklimit të mbetjeve avantazh krahasues për ekonominë shqiptare apo është thjesht një avantazh kërcënues për të ardhmen e ekonomisë shqiptare? Shpresoj që karta e shkruar e transparencës dhe gjithëpërfshirjes së komunitetit, në “Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim”, të mos mbetet vetëm në letër…

Gazeta “Shqip”

Top Channel