Masakra në Lezhë, arrestohet polici

28/10/2011 20:50

Një tjetër person është arrestuar për ngjarjen e rëndë që ndodhi në gjykatën e Lezhës më 14 tetor.

Dritan Lorenci, punonjës i policisë së qarkullimit rrugor të Lezhës është arrestuar gjatë pasdites së të premtes, pas kthimit të përgjigjes nga ekspertiza balistike, ku rezulton se në vendin e ngjarjes janë gjetur edhe gëzhoja që i përkasin armës së tij.

Edhe pse mediat denoncuan përfshirjen e punonjësit të policisë në këtë konflikt me armë, policia e mohoi një fakt të tillë së bashku me gjykatën e Lezhës.

Me arrestimin e Dritan Lorencit arrin në gjashtë numri i të arrestuarve për ngjarjen, ku pati përleshje me armë për cështje pronësie, që pasoi me vdekjen e një personi në mjediset e gjykatës së Lezhës.

Të arrestuarit e tjerë janë: Alban Deda, Viktor Bershimi, Ermal Lulasha, Sokol Seidiaj dhe Mehill Ndreu.

Konflikti nisi për motive pronësie pasi familja Deda kishte hapur një gjyq me familjen Ndreu, duke pretenduar se kjo e fundit kishte ndërtuar një lokal në tokën në pronësi të saj, në qytetin bregdetar të Shëngjinit.

Përleshja me armë nisi në oborrin e gjykatës mes fiseve Ndreu dhe Dedaj, por pamjet e siguruara nga Top Channel dëshmuan se konflikti vijoi edhe brenda ambienteve të gjykatës, e cila u kthye në një skenë horrori.

Si pasojë e konfrontimit mbeti i vdekur Endri Betaj. Disa ditë më parë, të afërmit e 33-vjecarit shprehën pretendimin e tyre, se ai humbi jetën gjatë kohës që ishte i lidhur me pranga.

Top Channel