Kazinotë, asgjesohen makinat, “grinin” para

28/10/2011 08:10

210 makina të lojrave elektronike të fatit janë sekustruar, pasi ato ishin manipuluar për të rritur në mënyrë të paligjshme fitimet e pronarëve të kazinove, lajmëroi ditën e premte e përditshmja “Shqip”.

Ligji “Për lojrat e fatit”, miratuar në vitin 2008, detyron shoqëritë private të ndryshojnë mekanizmin e funksionimit të makinave elektronike në kazino, në mënyrë që norma e kthimit të vlerës së luajtur të jetë jo më e vogël se 50 për qind për salla të vogla dhe 80 për qind për ambientet e mëdha me shumë lojëra.

Në aksionet e fundit, zhvilluar këto ditë nga njësitë e lojrave të fatit, pranë administratës tatimore (Ministria e Financave) rezultoi se jo të gjitha subjektet e bixhozit e kishin konvertuar “slot machine”-et sipas standardit të kërkuar, por ishin “kurdisur” vetëm për të vjelë para.

Drejtori i kësaj njësie, Besnik Çobaj, thotë se nga aksioni i fundit u konstatuan rreth 210 makina elektronike të lojërave të fatit, të cilat nuk përmbushnin standardet dhe rregullat e vendosura në ligj.

Këto pajisje vetëm sa merrnin para nga lojtari dhe kurrë nuk kthenin, sikurse e kërkon ligji. Çobaj thotë se, në bazë të përcaktimeve ligjore dhe udhëzimeve përkatëse, makinat që u përkisnin subjekteve të ndryshme, u sekuestruan dhe më pas u asgjësuan. Nga kontrollet e ushtruara u gjetën edhe pajisje të tjera që shërbenin si lojëra fati, ndër to 5 tavolina pokeri, të cilat nuk ishin komfort rregullave.

Sipas ligjit “Për lojërat e fatit”, miratuar me debate në vitin 2008, neni 44, organizatori, për çdo lojë, duhet t’u kthejë lojtarëve, në formën e fitimit, jo më pak se 50 për qind të shumës së vënë në lojë.

Kjo vlen për subjektet që menaxhojnë salla të vogla, pasi për makinat elektronike që ushtrojnë funksionin në salla të mëdha, kazinotë, norma e kthimit nuk duhet të jetë më pak se 80 për qind (neni 45). Pas miratimit të ligjit në fund të 2008-s, njësia e mbikqyrjes së lojërave të fatit ndërmori një aksion të gjerë në të gjithë vendin, ku për pak ditë bllokoi dhe shkatërroi mbi 250 makina elektronike, të pacertifikuara.

Në nenin 24 të ligjit thuhet se çdo lojë e një makine elektronike duhet të ketë përshkrimin e duhur, ku përfshihet titulli i lojës, numri serial, rregullat e luajtjes së saj dhe të ketë rezultate të rastësishme, të përcaktuara nga një gjenerator numrash të rastësishëm, të vendosur në makinën elektronike.

Gjeneruesi rastësor i numrave (RNG), i instaluar në të, duhet të jetë i miratuar nga një laborator testues, ndërkombëtar ose kombëtar, (pjesë e piramidës/hierarkisë së sistemit të cilësisë), i akredituar për softueret e lojërave, në bashkëpunim me NJMLF-në dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Akreditimit/Standardeve. Nga verifikimet në terren doli se shumë makina nuk ishin të certifikuara, sikurse e kërkon neni 24.

Çdo makinë e certifikuar dhe e miratuar duhet të ketë të ngjitur, në një vend të dukshëm, pullën e rregullsisë, e cila duhet të përmbajë elementet e sigurisë së këtyre pajisjeve. Sa i takon pjesës së fitimit në lojë, në nenin 25, specifikohet se, një makinë elektronike duhet të ketë të paktën normativën e pagesës 50 për qind (të përcaktuar mbi një cikël minimal prej 200 000 lojërash, të luajtura ose të simuluara për t’u luajtur).

Makinat elektronike të sallave të mëdha, kazinotë, norma e kthimit nuk duhet të jetë më pak se 80%

Bixhozi, dominojnë lojërat elektronike, bien të ardhurat

Sasia e parave që shqiptarët lënë nëpër lojëra fati, kazino e lotari të ndryshme këtë vit besohet se është reduktuar paksa në raport me një vit më parë, bëhet e ditur nga raporti për të ardhurat buxhetore të Ministrisë së Financave.

Raporti përmbledh të dhëna për periudhën janar-korrik dhe tregon se të ardhurat e qeverisë nga taksat e lojërave të fatit qenë 2.93 miliardë lekë, (rreth 21 milionë euro), me rënie të lehtë në raport me të njëjtën periudhë të vitit 2009.

Në Shqipëri ka 38 subjekte që organizojnë lojëra fati, nga të cilat 20 merren me lojrat elektronike, 9 me baste sportive dhe 9 të tjera janë bingo. Lojrat elektronike janë paguesit më të mëdhenj të taksave mes tri kategorive të këtyre lojrave.

Në të gjithë territorin, në vitin 2010 punuan 182 salla, me 2618 makina elektronike të regjistruara. Por pikat e basteve sportive shënojnë numrin më të lartë të pikave. Nëntë kompanitë e këtyre lojrave patën në fund të vitit të kaluar 1605 dyqane. Numri i dyqaneve është rritur 387 njësi gjatë vitit 2010.

Në Shqipëri ka edhe 25 salla bingosh, por popullariteti i tyre duket se ka rënë vitin e kaluar, pasi 5 salla bingosh janë mbyllur. Të dhënat zyrtare që administrohen nga njësia e mbikqyrjes së lojrave të fatit pranë Ministrisë së Financave raportojnë se vetëm për një muaj, buxheti i shtetit vjel diku te 350 milionë lekë vetëm nga detyrimet që paguajnë kompanitë që të lejohen të ushtrojnë aktivitetin, këtu nuk përfshihet tatimi mbi fitimin apo mbi qarkullimin që aplikohet në fushën e lojërave të fatit.

Top Channel