Topi: Shqiptarët të mbajnë një qëndrim

26/10/2011 00:00

Presidenti i Republikës, Bamir Topi deklaroi se po ndjek me vëmendje të
vecantë zhvillimet në Luginën e Preshevës, duke vënë në dukje rëndësinë e
trajtimit të shqiptarëve sipas standardeve demokratike ndërkombëtare,
si dhe duke shprehur mbështetjen e palëkundur për të drejtat themelore
të shqiptarëve në atë rajon dhe përfshirjen e tyre si qytetarë të
barabartë në jetën politike, shoqërore dhe institucionale të shtetit të
Serbisë.

Gjatë një takimi me Kryetarin e Komunës së Bujanovcit, Jonuz Musliu dhe Kryetarin e Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, Topi theksoi se është në interesin e të gjithë qytetarëve të Komunave të Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës që të mundësohet një ambient i shëndoshë sigurie, duke i bërë thirrje, me këtë rast, të gjithë faktorit politik shqiptar atje, që të ruajë qetësinë dhe unitetin, duke shmangur acarimet dhe përplasjet politike.

“Është shumë e rëndësishme, që për përmbushjen e kërkesave tuaja të drejta dhe legjitime ndaj shtetit serb, shqiptarët shprehen më një zë dhe të mbajnë një qëndrim”, tha Topi.

Kryetari i Komunës së Bujanovcit, Jonuz Musliu dhe Kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa vlerësuan rolin e Presidentit Topi dhe përpjekjet e vazhdueshme për rritjen e njohjeve ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, shprehën mirënjohjen e thellë për këtë takim të rëndësishëm, si dhe për kontributin e tij personal e institucional në të gjithë këtë proces.

 
 

Top Channel