Endri Xhafo – Presidenti i Republikës, Bamir Topi, vlerëson se Kuvendi i Shqipërisë i
ka marrë atij kompetencën kushtetuese të dekretimit të anëtarëve të
Gjykatës Kushtetuese.

Në ç’mënyrë? Duke vendosur, më 23 qershor të këtij viti, që të pezullojë shqyrtimin e dekreteve për tre gjyqtarë të rinj. Për të kuptuar pse Kuvendi është sjellë në këtë mënyrë, le të bëjmë një renditje të shpejtë të fakteve:

Në fillim të vitit 2010, Gjykata Kushtetuese, siç parashikohet në Kushtetutë (neni 127.2), u shpreh me vendim për mbarimin e mandatit të 6 anëtarëve të saj. Në muajin maj, Presidenti, sipas detyrimit të tij kushtetues (neni 125.1), i dërgoi Kuvendit emrat e Bashkim Dedes dhe Altina Xhoxhajt, që Kuvendi i miratoi. Katër emrat që mbeteshin, Presidenti ia dërgoi Kuvendit në shtator 2010.

Kushtetuta (neni 125.2) thotë se mandati i 9 anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese është 9-vjeçar. Por 1/3 e anëtarëve ripërtërihet një herë në tre vjet (neni 125.3). Ndaj në atë moment, një grup deputetësh demokratë i kërkuan vetë Gjykatës Kushtetuese që, ndër të tjera, të bëjë një interpretim në lidhje me ripërtëritjen e anëtarëve të saj.

Më 9 qershor të këtij viti, Gjykata Kushtetuese tha se gjetja dhe zbatimi i një mekanizmi të përshtatshëm për të respektuar ripërtëritjen është “kompetencë e ligjvënësit kushtetues” (V – 24/11). Mekanizmi që “gjeti” atëherë Kuvendi ishte miratimi vetëm i kandidaturës së Fatmir Hoxhës, pra një nga katër emrat që i kishte dërguar Presidenti, duke i kthyer mbrapsht 3 të tjerët.

Kur çështja u shqyrtua në Komisionin e Ligjeve, ky i fundit, vetëm me votat e mazhorancës, vendosi të pezullonte procedurën e shqyrtimit të tre emrave të tjerë, deri në vitin 2013, në mënyrë që të bënte të mundur atëherë rotacionin e 1/3 të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Në fund të korrikut dhe në fillim të gushtit ka pasur një korrespondencë mes Presidencës dhe Kuvendit për këtë çështje. Presidenti vlerësonte se ky ishte një mekanizëm i gabuar. Duke qenë se të dyja institucionet janë shumë larg në qëndrimet e tyre, Presidenti firmosi të hënën kërkesën për Gjykatën Kushtetuese për shfuqizimin e vendimit të Kuvendit. Kërkesa e Presidentit ka 4 argumente:

Së pari, anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese që u ka mbaruar mandati 9-vjeçar, por që janë ende në detyrë, mandati u zgjatet de facto deri në 13 vjet. Vërtet Kushtetuta thotë se anëtari i Gjykatës Kushtetuese qëndron në detyrë deri në emërimin e pasardhësit të tij (neni 125.5), por kjo ka të bëjë me kohëzgjatjen e procedurave dhe jo me pezullimin e procedurave.

Së dyti, kjo zgjatje de facto e mandatit të gjyqtarëve, bëhet jo me një ndryshim ligjor, por me një vendim. Dhe ky argument duket se është shumë i rëndësishëm për Presidencën. Vendimet, argumenton Presidenca, kanë karakter të brendshëm dhe nuk mund të përcaktojnë rregulla sjelljeje të përgjithshme, as për individë, as për subjekte.

Së treti, duke pezulluar procedurën e shqyrtimit të dekreteve të Presidentit, Kuvendi i thotë kreut të shtetit të mos i dërgojë më emra. Presidenti vlerëson se në këtë mënyrë Kuvendi i merr atij një kompetencë që ia jep Kushtetuta automatikisht, sapo mbaron mandati i një anëtari të Gjykatës Kushtetuese.

Së katërti, vendimi i Kuvendit, që zgjat pa bazë ligjore mandatin e 3 anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, vë në dyshim vetë punën e gjykatës.

Duke mos paragjykuar përgjigjen që do t’u jepet këtyre argumenteve prej Gjykatës Kushtetuese, përçapja e Presidentit ka meritën të na kujtojë prapavijën politike të vendimit të mazhorancës. Sigurisht, mazhoranca i kishte të gjitha mundësitë që t’ia hidhte poshtë dekretet Presidentit Topi që këtë herë. Mjaft të kujtojmë se kur komisioni i ligjeve i paraqiti seancës plenare për votim kandidaturën e Fatmir Hoxhës, kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, tha se vetëm kandidatura e tij i plotësonte kriteret. Mirëpo Komisioni i Ligjeve, formalisht, nuk i hodhi poshtë kandidaturat e tjera, por vetëm sa pezulloi shqyrtimin e tyre. Pas refuzimit sistematik që mazhoranca u kishte bërë disa kandidaturave për Gjykatën e Lartë, refuzimi i dekreteve për Gjykatën Kushtetuese do të ishte i tepërt. Ndaj u gjet një mënyrë e tërthortë, që u mvesh me një interpretim ligjor për rotacionin e Gjykatës Kushtetuese.

Mirëpo po të sillen në mend emrat e tre gjyqtarëve që u ka mbaruar mandati, por që mazhoranca vendos t’i mbajë në detyrë deri në vitin 2013, të cilëve u shtohen edhe dy-tre emra ekzistues me mandat të vlefshëm, mazhoranca duket se siguron një riekuilibrim të Gjykatës Kushtetuese në favor të saj. Mjafton të shihen disa prej çështjeve delikate, në të cilat Gjykata Kushtetuese i është kundërvënë mazhorancës aktuale, si p.sh. vendimi për mbikalimin e “Zogut të Zi”, për komisionin hetimor për kryeprokurorin Sollaku, për ligjin e KLD-së, për komisionin hetimor për Bashkinë e Tiranës, për shfuqizimin e nenit të gjobave për bizneset në Kodin Doganor, për ligjin për regjistrimin e pasurive të paluajtshme etj., për të konstatuar se disa prej këtyre emrave shfaqen në mënyrë sistematike në fund të vendimeve, në rubrikën “mendimi i pakicës”, ku kundërshtohet mendimi i shumicës së trupës gjyqësore, duke dalë kësisoj në krah të mazhorancës.

Mazhoranca është thyer në Gjykatë Kushtetuese edhe në disa çështje shumë të ndjeshme, që ajo i ka pasur aq për zemër, sa i shndërroi në kuaj të betejës së saj politike. Kështu, përveç rasteve të mësipërme, gjykata ka shpallur si “antikushtetues” edhe ligjin e shumëtrumbetuar të “Lustracionit”, disa nene të ligjit për pronat (madje dy herë brenda një viti), marrëveshjen për ujërat dhe shelfin kontinental me Greqinë, vendimet për komisionet hetimore për lidhjet nepotike etj. Nëse gjatë viteve 1992-2008, pra në 17 vjet ekzistencë të Gjykatës Kushtetuese, numri i çështjeve (Gjykatë + Kolegj) ishte mesatarisht më pak se 30 çështje në vit, në vitin 2009 ky numër arriti në 139, në vitin 2010 në 143 dhe këtë vit është për momentin 141. Pra volumi i punës dhe nevoja për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese dëshmon, të paktën, rritjen e perceptimit publik se një pjesë e mirë e ligjeve dhe e normave të miratuara nga kjo mazhorancë janë në kundërshtim me Kushtetutën. Mirëpo “rritja” e antikushtetueshmërisë përkthehet në kosto politike për mazhorancën.

Nga ana tjetër, refuzimi i mazhorancës për t’i shqyrtuar tani dekretet e Presidentit Topi, siguron se ripërtëritja e 1/3 të Gjykatës Kushtetuese do të bëhet pas zgjedhjes, në vitin 2012, të një presidenti të ri, politik, pra më “besnik”. Presidenti i ri, i zgjedhur me vetëm 71 vota, do të ketë lirinë e plotë që, në vitin elektoral 2013, t’i paraqesë Kuvendit në ikje tre emra të tjerë, më të afërt me demokratët.

Por përçapja e Presidentit Topi ka edhe një aspekt thellësisht ligjor. Lënia pezull e dekreteve të Presidentit ka një precedent që nga viti 2005. Në dhjetor të atij viti, Kryetarja e re e Kuvendit, Jozefina Topalli, futi në sirtar dekretin e Presidentit Moisiu për emërimin e gjyqtares Gjinovefa Gaba në Gjykatën e Lartë. Qysh atëherë dekreti as u shqyrtua, as u miratua, as u rrëzua. Ndaj me përçapjen e tij Presidenti Topi duket se kërkon që ky precedent jo vetëm të mos përsëritet me të, por edhe të marrë një përgjigje shteruese nga Gjykata Kushtetuese. Sepse lënia pezull e dekreteve të Presidentit jo vetëm është paradoksale në vetvete, por është padyshim edhe një mospërfillje e hapur e rolit të kreut të shtetit. Në këtë kuptim, kjo betejë e fundit e Presidentit të Republikës me Kuvendin është disafish më interesante sesa këshilla për përdorimin e gjuhës zyrtare. Sepse, kësaj here, më shumë sesa një individ, rrok një marrëdhënie ndërinstitucionale.

Gazeta “Shqip”

Top Channel