Tragjedia Bulqizë: Gjobë për ACR!

25/10/2011 00:00

Shpërthimi i gazit të hidrogjenit në minierën e Bulqizës ka ardhur si pasojë e mosrespektimit të rregullave të sigurisë teknike nga ana e punëtorëve.

Ky është konkluzioni i ekspertizës që ka nxjerrë grupi i ekspertëve të Repartit të Inspektim Shpëtim Minierave (RISHM), një javë pas tragjedisë ku humbi jetën një punëtor dhe u plagosën 8 të tjerë.

Në një intervistë, drejtori i RISHM-it, Sajmir Zeka, ka deklaruar se nga verifikimi i urdhërave të punës nuk bëhet fjalë për shkelje të tyre nga ana e drejtuesve të firmës.

Por, nga kontrolli në nivelin e 16 ku ndodhi dhe aksidenti, mund të thuhet se shpërthimi i gazit u provokua nga një flakë e jashtme.

“Shpërthimi është provokuar nga 40-50 metra nga balli i fronit. Duke qenë se bëhet fjalë për gazin hidrogjen, nuk mund të provokohet vetvetiu. Vatra e burimit duhet të jetë detyrimisht një vatër e krijuar nga një gabim njerëzor ose shkëndijë. Nga verifikimi, në zonën e shpërthimit janë gjetur bishta cigaresh, paketa dhe çakmakë të hedhur”.

Ndonëse këto mbeten vetëm hipoteza, pasi i takon Prokurorisë të japë versionin përfundimtar mbi shkaqet dhe shkaktarët e tragjedisë në Bulqizë, RISHM-I, në bazë të kompetencave që i jep ligji, ka marrë masat administrative maksimale për firmën koncesionare “ACR” dhe drejtuesit më të lartë të minierës.

“Kemi marrë ndëshkimin maksimal për kompaninë, pasi edhe nëse bëhet fjalë për neglizhencë, janë punonjësit e saj që e kanë kryer. Është vendosur dënimi 500 mijë lekë të reja për firmën, 150 mijë për kryeinxhinjerin dhe drejtorin, si dhe masa të tjera financiare për shefin e ajrimit dhe brigadierin e turnit. Do të bëhet gjithashtu largimi nga pozicioni për njerëz që duhet të ishin më të përgjegjshëm në vlerësimin e situatës”, thekson Zeka.

Sipas ekspertëve të RISHM-it, pas aksidentit të shpërthimit të gazit, i është lënë detyrë firmës koncesionare “ACR” që të kryejë sa më parë investimet në thellësitë e minierës, duke ndërruar së pari sistemin aktual të ajrimit.

Drejtori i RISHM-it konfirmoi se miniera e Bulqizës do të rehabilitohet sipas një projekti të ri ku mendohet të punohet deri në nivelin e 23. Ekspertët e RISHM gjykojnë se në aksident ka ndikuar dhe mbyllja e minierës si pasojë e grevës një mujore të minatorëve.

Bulqizë, ACR shkarkon tre përgjegjës

Kompania ACR në Bulqizë ka mbajtur një mbledhje ku ka analizuar aksidentin e ndodhur me shpërthimin që vrau një minator dhe plagosi 8 të tjerë.

Mbas diskutimeve dhe analizës
mesohet se është shkarkuar shefi i brigadës së ajrimit të minierës, i
është dhënë paralajmërim për pushim nga puna përgjegjësit të nivelit 16
dhe është shkarkuar bigadieri i këtij niveli.

Këto janë disa
nga masat që ka ndërmarrë vetë kompania, por nderkohë prokuroria po bën
hetimet për të nxjerrë shkaqet dhe shkaktarët që sollën aksidentin e rëndë në galeri. 

Top Channel