Paralajmërimi i FMN-së, Kodheli: Qeveria të marrë masa

25/10/2011 00:00

Paralajmërimi i fundit i Fondit Monetar Ndërkombëtar, se ekonomia
shqiptare po rrezikohet nga kriza e Italisë dhe Greqisë, lexohet ndryshe
nga politika.

“Ne kemi marrë të gjitha masat që ekonomia shqiptare të preket sa më pak ose të mos preket nga zhvillimet në rajon. Kjo do të thotë që nuk do të ketë implikacione të drejtpërdrejta të zhvillimeve të ekonomive fqinje me ekonominë shqiptare”, tha Bode

Ndërsa deputetja socialiste Mimi Kodheli shprehet se “duhet të përballet sa më shpejt që të jetë e mundur nga qeveria shqiptare, nga banka e Shqipërisë dhe nga të gjitha institucionet që janë përgjegjëse për situatën financiare në Shqipëri, e cila nuk është ajo që paraqitet nëpërmjet qeverisë, nëpërmjet Bankës se Shqipërisë apo nëpërmjet institucioneve si INSTAT”.

Ministri i Financave thotë se qeveria i parapriu krizës përmes masave që morri duke shtrënguar buxhetin

“Rikthyem vendin në deficitin më të ulët. Përgjatë periudhës së krizës ne ulëm borxhin publik. Me një deficit vjetor prej 3 përqind dhe me një rënie prej 0.7 përqind, vitin e kaluar të borxhit tonë publik, sigurisht që tregon koshiencën dhe kujdesin e qeverisë, për të mbajtur stabilitetin makro-ekonomik të vendit dhe për ta mbajtur ekonominë shqiptare jashtë vorbullës së krizës”, tha Bode.

Por për Mimi Kodhelin borxhi është bërë sot problemi më i madh i ekonomisë.  

“Ne në përgjithësi dëgjojmë përfaqësuesit e qeverisë, të cilët dalin dhe thonë, se e kemi borxhin poshtë 60 përqindëshit. Një vend si Shqipëria duhet ta ketë borxhin në nivelin 40 përqind. Mesatarja e vendeve në zhvillim e ka 47 përqind”, tha Kodheli.

Nënkretarja socialiste në Komisionin e Ekonomisë argumenton se është pikërisht buxheti, ai që po e kërcënon sistemin bankar.

“Qeveria ka borxhe të mëdha ndaj biznesit për punët e papaguara. Qeveria ka borxhe të mëdha ndaj rimbursimit të TVSH-së, gjë që do të thotë që problemet e mëdha, borxhet e mëdha që qeveria sot ka me biznesin, i ka transferuar në një sistem tjetër, i cili është sistemi bankar”, tha Kodheli.

Por ministri i Financave thotë se bankat janë të sigurta dhe të mbikëqyrura fort.

“Bankat që veprojnë në tregun tonë mbikëqyren nga banka e Shqipërisë, si autoriteti mbikëqyrës dhe që janë në gjendje të mirë financiare, të kapitalizuara mirë”, tha Bode.

Në raportin e fundit FMN parlajmëroi, se kriza e Eurozonës mund të ketë pasoja të rënda në ekonominë shqiptare, duke i kërkuar të marrë masa urgjente për të ulur borxhin e lartë publik dhe disiplinimin e financave të vendit.

Për herë të parë në një dokument zyrtar të detajuar, ku skanohet ekonomia shqiptare, FMN-ja thote se kriza e Eurozonës mund të ketë pasoja të rrezikshme për vendin.

“Shqipëria ka lidhje të forta me Greqinë dhe Italinë, jo vetëm tregtare, por edhe në tregun e punës dhe sistemin bankar. Këto dy të fundit mund të rezultojnë në pasoja substanciale, ku rreziku më i madh është ai i infektimit të sistemit bankar”, thotë raporti.

Borxhi i pashlyer në banka nga 3 përqind e totalit përpara krizës është gjashtefishuar duke arritur në gati 18 për qind. Fondi thotë se shkaku kryesor i përkeqësimit të kredisë është dobësia e institucioneve dhe sistemit gjyqësor në vend që pengojnë ekzekutimin e garancive. Zgjidhja e kësaj cështjeje duhet të jetë sipas FMN-së një nga prioritetet kyc afatshkurtër të Shqipërisë

 

Top Channel