Referendum kundër plehrave

24/10/2011 00:00

Projektligji për importin e mbeturinave do të ketë tashmë një zë të fortë
publik, që do të vijë nga qytetaret nëpërmjet Aleances për Ndalimin e Importit të Plehrave.

E sapo krijuar, kjo Aleancë pritet të përdorë presionin qytetar ndaj qeverisë për te mos miratuar një ligj të tillë.

“Këto përfshijnë edhe nisma ligjore, që nga cuarja në Gjykatë Kushtetuese, kërkesa për një referendum popullor nëse ligji miratohet dhe dekretohet nga presidenti, gjithashtu edhe presion qytetar, duke organizuar takime, pra një fushatë sensibilizimi tek qytetarët për rrezikshmërinë e këtij ligji. Ne shpresojmë se duke përdorur presionin qytetar dhe duke patur parasysh që zgjedhjet e ardhshme janë duke u afruar ta përdorim këtë presion qytetar, këtë presion politik për t’i thënë ‘jo’ ligjit, duke shpresuar të bindim qeverinë, ekzekutivin dhe shumicën aktuale në parlament, që kalimi i këtij ligji do të thoshte për vetë të ardhmen e tyre një katastrofë elektorale dhe në zgjedhjet e ardhshme”, thotë Blendi Kajsiu, nga Aleanca për Ndalimin e Importit të Plehrave.

Nisma e tyre duket e veshtire, kur behet fjale per rezistence ndaj qeverise e qe deri tani ka fituar cdo beteje pas se ciles, sic deklarojne shume zera, fshihen interesa perfituese, por sipas perfaqesueve te saj, e drejta triumfon, ndonese dhe vone.

“Rezistenca, në të mirë është e rëndësishme edhe kur ajo dështon, sepse tek e fundit le një gjurmë, nesër e vërteta del dhe triumfon. Edhe ata që e ndërmarrin këtë veprim e mendojnë me mendjeshkurtësi ndoshta, për interesa të pushtetit aktual apo edhe për interesa korruptive. Ky ligj ndryshe nga c’thonë disa se fut mbetje të mira, por kjo nuk është e vërtetë, sepse nuk ka mbetje të mira. Në terma afatgjata dikush do të japë të drejtë dhe dikush do të dënojë këtë veprim”, thotë përfaqësuesi i Aleancës, Fatos Lubonja.

Ne kete Aleance jane bashkuar qytetare, intelektuale, aktiviste, Organizata Jo Qeveritare dhe perfaqesues te shoqerise civile te cilet nuk jane dakort me ligjin qe lejon importimin e mbeturinave nga vende te tjera, duke e konsideruar ate te rrezikshem per Shqiperine dhe qytetaret.

Top Channel