Konfindustria publikon raportin 9-mujor

24/10/2011 00:00

Industria në vend nuk ecën sipas kapacitetit të duhur, duke dëshmuar
edhe një herë situatën e vështirë ku ndodhet biznesi në tërësi.
Pavarësisht raporteve të BSH-së apo INSTAT-it, për ‘parajsë ekonomike’,
vetë bizneset raportojnë për gjendje kritike të financave të tyre,
shkaktuar nga mungesa e shitjeve.

Sipas gazetës ‘Shqip, Konfindustria, në të parën herë të raportimit të situatës, bën me dije sektorët më në vështirësi, për periudhën janar-shtator 2011, krahasuar me 2010-n. “Analiza krahasuese e sektorëve industrialë është mbështetur në dy tregues bazë, përkatësisht: shitjeve të realizuara dhe fitimit të maturuar”, tregon administratori i përgjithshëm, Gjergj Buxhuku.

Mbështetur në të dhënat e ardhura nga grupet e industrive, të ndara sipas sektorëve kryesorë, arrihet në përfundimin se gjendja e prodhimit industrial në vend, në vija të përgjithshme, është e njëjtë me 9-mujorin e vitit 2010, me veçori kryesore vazhdimësinë e mungesave të likuiditetit. “Ndërkohë, kryesisht në sektorët që prodhojnë për eksport, janë vënë re shenja përmirësimi gradual krahasuar me vitin 2010 dhe sidomos me dy vitet pararendëse (2008-‘09)”, thuhet në raport.

Sektori i industrive ushqimore të prodhimeve plotësisht bazike për nevojat e konsumatorëve si industria e miellit, e mishit, si dhe industria e prodhimit të qumështit bashkë me nënproduktet e tyre, përgjithësisht kanë treguar qëndrueshmëri në 9-mujorin e parë të vitit 2011 për treguesin e “shitjeve”. Ndërkohë industritë e mësipërme kanë rënie të treguesit të “fitimit”, kryesisht si pasojë e veprimit të bashkërenduar dhe grumbullues/kumulativ të dobësimit të lekut dhe sidomos kundrejt dollarit amerikan dhe njëkohësisht, rritjes së çmimit të lëndëve të para si “drithërat” dhe “mishi” në tregjet ndërkombëtare, argumentohet në raportin e publikuar dje nga Konfindustria.

Sa u takon sektorëve të tjerë, si ai i industrisë ushqimore të prodhimeve jo bazike për nevojat e konsumatorëve (prodhimet joalkoolike, alkoolike, birra, konservat etj.) vërehet rënie e njëkohshme e treguesit të “shitjeve” dhe të treguesit të “fitimeve”.

Po ashtu, sektorët industrialë të lidhur drejtpërdrejt ose tërthorazi me sektorin e ndërtimit, si industria mekanike, e përpunimit të hekurit dhe e llamarinave, e prodhimit të tullave dhe tjegullave, mobilieve, plastikës, letrës etj., “vazhdojnë përgjithësisht në nivelet e periudhës së vitit 2010, që nga ana e tij është një tregues qartësisht negativ kundrejt 2 viteve paraardhëse 2009 dhe 2008”, theksohet në raport. Buxhuku nënvizon faktin se, në mjaft nga sektorët e lartpërmendur vihet re me shqetësim dhe një shkallë e lartë e vonesave të pagesave nga të tretët/porositësit për volumet e prodhimeve të kryera.

Më mirë paraqiten sektorët e industrisë që shërbejnë për eksportet, të cilët futen në kategorinë e industrisë së rëndë dhe që janë energjia elektrike, nafta, mineralet, çeliku etj. Këta sektorë kanë pasur tregues të qëndrueshëm të shitjeve dhe fitimit në 9-mujorin e vitit 2011 krahasuar me vitin 2010, si pasojë e vazhdimit të qëndrueshmërisë së kërkesës nga tregjet ndërkombëtare për lëndë të para dhe çelik.

Përmirësime dhe i njëjti përfundim është edhe për industritë “fason” (kryesisht këpucë, tekstile), si pasojë e një kërkese të shtuar nga tregjet ndërkombëtare dhe rënies së ndjeshme të ofertës nga vendet e Afrikës së Veriut.

Top Channel