Dy të vdekur në dy aksidente rrugore

22/10/2011 21:20

Një aksident rrugor me pasojë vdekjen e një kalimtari është regjistruar mbrëmjen e së shtunës tek kryqëzimi i doganës në Tiranë.

Sipas informacioneve të fundit, shtetasi Kujtim Isakaj është përplasur për vdekje nga një furgon teksa kalonte rrugën.

Dëshmitarë nga vendi i ngjarjes kanë deklaruar se Isakaj ka gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërkohë që drejtuesi i furgonit është ndaluar nga policia.

Kjo e fundit pritet të zbulojë nëse aksidenti ishte përgjegjësi e plotë e furgonit, apo nëse kalimtari po kalonte rrugën me semaforin e kuq.

Ndërkohë, në një aksident analog ka humbur jetën një tjetër person, këtë herë në aksin Tepelenë-Përmet.

Autoritetet policore lokale njoftojnë se një veturë me targa italiane ka përplasur për vdekje shtetasin Flamur Hajdini, 55 vjec.

Mësohet se pasi ka goditur kalimtarin, drejtuesi i veturës e ka braktisur automjetin dhe është larguar nga vendi i ngjarjes.

Ndër aksidentet më të rënda rrugore të ndodhur gjatë muajit në vend ka qenë ai në Durrës, ku një familje e tërë nga fshati Gjepalaj i Shijakut u shua në orët e para të 14 tetorit.

Automjeti me të cilin udhëtonin katër persona, dy bashkëshortë dhe fëmijët e tyre, doli nga rruga dhe përfundoi në një kanal.

Aksidenti ndodhi gjatë orëve të natës, por vetëm në mëngjes tragjedia u zbulua nga kalimtarët, që panë automjetin e përmbysur.

Top Channel