Libri i ri i Sokol Ballës

21/10/2011 20:30

Gazetari i njohur Sokol Balla promovoi librin e tij të tretë, këtë herë një studim mbi lirinë e shprehjes.

Libri me titull “Fjala e Lirë, Sfidë Europiane” është mbrojtja e tezës së autorit që i dha atij titullin Masters of Arts në gazetarinë ndërkombëtare në Cardiff University në Uells të Britanisë së Madhe. Prezantimi i librit u bë në hollin e Universitetit Europian të Tiranës, në prani të kolegëve, miqve, mes të cilëve politikanë, ambasadorë dhe personalitete të njohura.

Në rolin e botuesit, Henri Cili ka vlerësuar këtë botim si kontribut për debatin rreth lirisë së shprehjes në Shqipëri.

“Në përfundim të studimeve të tij, Sokol Balla ka përmbledhur në një libër lirinë e shprehjes si një sfidë europiane”, u shpreh Cili.

Ambasadorja britanike në Tiranë, në fjalën e mbajtur në ceremoni, tha se libri është një kontribut në debatin mbi rolin e medias në një demokraci në tranzicion.

“Në një demokraci të re në tranzicion, roli i medias është vendimtar. Analiza dhe reflektimi në rolin që po luan dhe përse po e luan atë rol, janë shumë të rëndësishme. Ky libër është një kontribut në këtë debat. Shpresoj të stimulojë edhe më shumë debatin. Kjo nuk është një çështje e cila i përket vetëm medias, vetëm politikanëve, siç nuk i përket vetëm të majtës apo vetëm të djathtës. Është një çështje për diskutim ndërmjet gjithë shqiptarëve dhe më gjerë në komunitetin mediatik në mbarë botën”, theksoi ambasadorja Fiona McIlwham.

Vetë autori Sokol Balla shprehet: “Librin ja kam dedikuar një prej fëmijëve të mi. Do doja që fëmijët e mi të rriteshin në një vend të lirë dhe një vend nuk është i lirë pa lirinë e fjalës.”

Libri u botua me mbështetjen që autorit ju dha nga Universiteti Europian i Tiranës, Forumi i Mendimit të Lirë dhe fondacioni Soros.

Autori ka përmbledhur në këtë mënyrë mesazhin e këtij studimi: “Liria e shprehjes shihet si sfidë europiane. Ka kritika nga raportet ndërkombëtare për lirinë e shprehjes në Shqipëri dhe unë zgjodha promovimin në këtë kohë ku liria e shprehjes sot është më e komplikuar se më parë.

Top Channel