Grabitësi vret një person

21/10/2011 00:00

Një person ende i paidentifikuar i ka marrë jetën pronarit të një argjendarie në Tiranë i cili sapo ka vënë re grabitësin e maskuar të hyjë në dyqan, ka dyshime të forta se ka shtypur butonin e alarmit, veprim ky që i ka kushtuar edhe jetën.

Të paktën kjo është skena e krimit që ka ndodhur në dyqanin e argjendarisë pranë rrugës “Siri Kodra” e raportuar nga burime të sigurta të komisariatit numër 3 në Tiranë.

Sipas policisë viktima quhet Rrapo Sinanaj i moshës 62 vjec. Policia kriminale nga të dhënat e para mendon që në dyqan nuk ka patur asnjë person tjetër përvec viktimës, një detaj ky që tregon se në vendngjarje nuk kishte dëshmitarë, ndërkohë që nuk konfirmohet nëse argjendaria kishte apo jo kamera mbikqyrëse, cka do të sillte një ndihmë sado të vogel për hetuesit për rrethanat e krimit.

Sipas komisariatit numër 3, Rrapo Sinanaj me origjinë nga Vlora ishte bashkëpronar në argjendari me vajzën e tij.

Nga pozicioni si është gjetur trupi i Sinanajt dhe duke qenë se në butonin e alarmit janë gjetur gjurmë të gishtave të tij policia thotë paraprakisht se viktima sapo ka vënë re grabitësin e maskuar dhe të armatosur ka shtypur sistemin e alarmit.

Menjëherë pas kësaj i moshuari është qëlluar me tre plumba, njëri prej të cilëve e ka kapur në kokë duke i marrë edhe jetën.

Nga të dhënat e para të mbledhura në vendngjarje policia deklaron se ka dyshime që vrasësi është larguar në këmbë.

Të parët që kanë mbërritur në skenën e krimit sipas komisariatit numër 3 janë oficerë të policisë private të njoftuar nga alarmi i dhënë nga viktima dhe më pas edhe policia e Tiranës e cila ka qendruar në vendngjarje disa orë për të kryer veprimet e domosdoshme hetimore.

Policia nuk raporton që viktima të ketë patur probleme të tjera duke këmbëngulur kështu në pistën kryesore, atë të vrasjes gjatë një tentative grabitjeje, grabitje e cila në fakt pas ekzekutimit nuk është kryer.

Top Channel