Dita botërore kundër osteoporozës

20/10/2011 18:50

Për shumë kohë e neglizhuar, osteoporoza, ose ndryshe sëmundja e kockave, konsiderohet sot si një nga shqetësimet shëndetësore më serioze në botë.

Në ditën botërore kundër kësaj sëmundje, Klinika Universitare e Reumatologjisë ka dalë në rrugë, në një aksion simbolik ndërgjegjësimi për qytetarët. Faktorët që ndikojnë: duhani, alkooli dhe mungesa e kalciumit. Faktorët që e parandalojnë: aktiviteti fizik, ushqimi me bulmet e peshk dhe rrezet e diellit, që i japin trupit vitaminën D.

Organizata Botërore e Shëndetësisë përllogarit se janë rreth 200 milionë njerëz në botë, që vuajnë nga osteoporoza. Sëmundja i bën kockat më poroze dhe të dobta, gjë që rrit rrezikun e frakturave.

Gratë, për shkak edhe të veçanësive të skeletit, janë më të ekspozuara se meshkujt. Rreth 30% e femrave që kanë kaluar menopauzën vuajnë nga osteoporoza dhe të paktën 40% e këtyre grave si dhe deri në 30% e meshkujve rrezikohen të kenë një frakturë gjatë viteve që iu mbeten.

Ndaj, në ditën botërore kundër kësaj sëmundje, Klinika Universitare e Reumatologjisë ka dalë e tëra në rrugë, për të ndërgjegjësuar qytetarët. Shefja e klinikës, Teuta Backa, flet për një sëmundje të heshtur.

“Është një sëmundje që sot në botë është rritur mjaft, ku përqindjen më të madhe e zënë gratë, kryesisht në periudhën e menopauzës. Por, ka edhe mosha të reja, që vuajnë nga osteopozora, si rezultat i kequshqyrjes, i aktivitetit të pakët fizik, i mbipeshës, i disa sëmundjeve të tiroides, të diabetit dhe i trajtimit jo kerrekt me kortizonik në doza të larta”, shprehet ajo.

Në rast dhembjesh të shpinës, deformim të trupit, apo thyerje të kockave, mund të bëhet një diagnostikim i thjeshtë: “Diagnostikimi është i thjeshtë, pa kosto monetare. Kosto do të ketë vetëm nëse klienti do të ketë nevojë për mjekim”, shton Backa.

Për të parandaluar sëmundjen, mjekët rekomandojnë ushqime me kalcium, si bulmetet dhe peshku, aktivitete fizike, rreze dielli, që i japin trupit vitaminën D, mosabuzimin me alkoolin dhe lënien e duhanit.

Po ashtu, doktoreshë Teuta flet edhe për një projekt të klinikës, realizimin e një studimi për të pasur një ide sa më të saktë se sa njerëz vuajnë në Shqipëri nga osteoporoza.

Top Channel