Nga tryeza për reformimin e sistemeve të imuniteteve presidenti Bamir
Topi dhe kreu prezencës së Bashkimit Evropiane në Tiranë, Ettore Sequi
vlerësuan se kjo reformë është një sfidë e të gjitha partive
parlamentare pasi kerkohet vullnet i perbashket per ta realizuar.

“Imuniteti, nga një institut i vendosur për të siguruar ushtrimin e lirë të detyrës dhe mandatit të dhënë, shpeshherë është kthyer në koracë mbrojtëse të papërgjeshmërisë dhe të korrupsionit. Zyrtarët e lartë, shpesh e kanë përdorur imunitetin jo si një mjet të dhënë nga Kushtetuta për të garantuar kontributin e tyre në shoqëri, por si një mburojë ndaj hetimit dhe ndjekjes penale për shkeljet e kryera prej tyre. Ka ardhur koha që barazia para ligjit të mos jetë thjesht një parim i vendosur në Kushtetutë, por edhe një parim i realizuar dhe sa më i prekshëm. Vende të tjera evropiane e kanë bërë këtë vite përpara. Le t’u bashkohemi këtyre zhvillimeve pozitive europiane”, tha presidenti.

Ndërkohë ambasadori Sequi u shpreh: “Imuniteti duhet të kuptohet në mënyrën e duhur pasi nuk i jep një pozicion të caktuar i cili i vendos gjyqtarët apo zyrtarët e caktuar mbi ligjin. Por imuniteti apo imunitetet do të thotë që zyrtarët apo gjyqtarët mbajnë edhe lirinë e tyre për të funksionuar në mënyrë të pavarur. Ndërkohë që duhet të ruajnë edhe përgjegjësinë e madhe që kanë për të dhënë llogari”.

Janë dy projektet ai PACA që jep asistencë në luftën kundër korrupsionit dhe EURALIUS, që ofron asistencë në reformën e sistemit të drejtësisë, të cilat janë financuar nga Bashkimi Europian me një fond prej 4,4 milionë euro hartues të sugjerimeve për reformën në sistetimin e imuniteve.

Përfaqësuesit e EURALIUS në këtë tryezë fillimisht thanë disa rekomandime për imunitetin e gjyqtarëve duke sugjeruar se imuniteti i përgjithshëm duhet hequr. Gjyqtarët duhet të përgjigjen përpara ligjit për shkeljet e kryera jashtë funksionit të tyre gjyqsor.Ndërsa për gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese nuk duhet të përfitojnë nga imuniteti i përgjithshëm, por nga një regjim procedurial i ngjashëm me atë që u jepet deputetëve.

Propozimet e Këshilli i Evropës dhe Bashkimi Europian kërkojnë 93 vota për heqjen e mandatit të deputetëve. Në propozimet që prekin mandatin e ligjbëresve shqiptarë thuhet se nëse deputeti kapet në flagrancë, heqja e imunitetit bëhet menjëherë.Sipas propozimeve të EURALIUS, pa imunitet duhet të mbeten edhe ministrat, Avokati Popullit, kreu Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe antarët e KQZ-së.

Kryetari demokrat i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali ka dhënë garanci absolute për gadishmërinë e mazhorancës në ndryshimet kushtetuese për heqjen e imunitetit të deputetëve.

“Ne e kemi thënë më shumë se sa njëherë. PD i jep votën e saj të padiskutueshme për të gjitha amendamentet kushtetuese. Nëse ka një projekt kushtetues ne e japim votën sepse vullneti jonë është i palëkundur”, tha Rusmali.

Edhe deputeti socialist Fatmir Xhafaj, zëvëndëskryetar i Komisionit të Ligjeve ka rikujtuar përpjekjet e hershme të PS-se për këtë cështje, por ka theksuar se edhe me imunitet të hequr zyrtarët kanë mundur t’i fshihet ndëshkimit për korrupsion.

“Ne rikonfirmojmë qëndrimin tonë për domosdoshmërinë e kufizimit të imuniteve të deputëteve dhe para se gjithash të zyrtarëve të lartë. Heqja e imunitetit realizohet përmes ndryshimit kushtetues”, tha Xhafaj.

“Në fillim imuniteti i politikanëve”

Gjatë fjalës së tij në tryezën për reformimin e imunitetit, antari i Gjykates së Lartë, Ardian Dvorani, deklaroi se nuk ka aspak vend të diskutohet e të vendoset vetëm për heqjen apo kufizimin e imunitetit të gjyqtarëve, përpara se një gjë e tillë të vendoset për dinjitarët e funksionaret e pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv.

Nga ana tjetër, është shprehur Dvorani, “edhe nëse do të vlerësohej se është vendi për të hequr tërësisht mbrojtjen imunitare për funksionaret e legjislativit dhe ekzekutivit, në çdo rast e rrethanë, në dallim prej tyre, edhe për një kohë jo të shkurtër, përsa i përket gjyqtarëve, theksojmë se duhet të vendoset dhe të mbetet vetëm kufizimi i imunitetit të tyre”.

Dvorani pranon se edhe tek gjyqtaret ka probleme të korrupsionit, por ai theksoi se Gjykata e Larte ka bindjen se “nuk janë pjekur ende kushtet e domosdoshme për të shkuar drejt heqjes tëresore të imuniteteve proceduriale për gjyqtaret. Nuk janë larguar nga realiteti jonë arsyet e ekzistencës së mbrojtjes që imuniteti procedurial ofron për gjyqtaret”.

Top Channel