Vazhdon përplasja Topi-Topalli

17/10/2011 08:15

Vazhdon përplasja mes presidentit Topi dhe kryetares së Kuvendit Topalli.

Në një deklaratë për shtyp të shpërndarë nga zyra e Presidentit të Republikës thuhet ndër të tjera se “z. Topi u njoh përmes burimeve zyrtare me disa deklarata e nisma të njëanshme, të pasakta dhe denigruese të ndërmarra ndaj tij dhe institucionit që përfaqëson nga individë apo grupe të caktuara partiake lidhur me vizitën e suksesshme në Shkodër. Në respekt të qytetarisë shkodrane, opinionit publik dhe përgjegjësisë institucionale Presidenti sqaron se në asnjë rast, në asnjë fjalë apo veprim të tij nuk ka bërë komente kritike ndaj qytetit të Shkodrës, qytetarisë, traditës së pasur të gjuhës apo të kulturës së saj.”

“Mesazhi kritik i presidentit, siç mund të vërtetohet direkt përmes regjistrimeve televizive, i është adresuar nominalisht një zyrtari të lartë të shtetit, e cila me qëndrime e sjellje joinstitucionale, keqpërdor detyrën kushtetuese, postin publik, etikën institucionale të komunikimit dhe vetë votën demokratike të Shkodrës. Cdo interpretim tjetër është jorealist dhe i sponsorizuar nga zyrtarë të vecantë, të cilët duan ta mbajnë qytetin peng të axhendave të tyre personale politike”, shton deklarata për shtyp.

“Kjo sjellje abuzuese me mandatin përfaqësues dhe vullnetin e qyterarisë shkodrane, me siguri që nuk ka dhe nuk mund të ketë mbështetje qytetare, përvec grupeve të tilla të izoluara dhe të lidhura me interesa të ngushta ekonomike e politike. Edhe njëherë, Presidenti i Republikës rishpreh vlerësimin e tij më të lartë për Shkodrën dhe gjithçka që ky qytet ka përfaqësuar denjësisht në historinë e shtetit dhe shoqërisë shqiptare”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e presidencës.

Presidenti ishte të shtunën në ceremoninë e homazheve në nderim të aktorit të njohur shkodran Ndrek Prela, i cili u nda nga jeta një ditë më parë në moshën 91-vjeçare.

Top Channel