“Meta-Prifti”, videoja u kalon ekspertëve

17/10/2011 18:45

Prokuroria e Përgjithshme i ka dorëzuar tre ekspertëve të caktuar nga Gjykata e Lartë provën filmike të videos Meta-Prifti, për të filluar ekspertizën.

Pas një verifikimi prej disa orësh, mesditën e së hënës prokurorët, edhe pse hezituan për një kohë të gjatë në dhënien e kësaj prove, ia dorëzuan atë ekspertëve.

Prokuoria kishte dyshime për aparaturat e tyre, por në përfundim ka lëshuar për ekspertizë provat e vlefshme të procesit ndaj ish-zv.kryeministrit Ilir Meta.

Prokurorët e cështjes këmbëngulën në specialistë të huaj, por Gjykata e Lartë e rrëzoi poshtë, duke ligjëruar tre ekspertë vendas.

Në 24 tetor, të hënën e javës së ardhshme, tre ekspertët duhet të kenë përfunduar këtë detyrë, për të vlerësuar autenticitetin e videos së depuetit Prifti.

Aty, ai dhe ish-zv.kryeministri shfaqen në një diskutim ku kërkohet përfitime në disa tendera publikë dhe koncesione.

Ende nuk dihet se si do të bëhet ekspertiza, pasi vetë ekspertët më herët i kërkuan ndihmë Gjykatës së Lartë pasi nuk kishin mjetet e duhura.

Ndërsa ambasadori amerikan Alexander Arvizu, në një intervistë të dhënë pak ditë më parë për Top Channel, tha se ekspertët e huaj të kërkuar nga prokuroria ishin më të njohurit në Amerikë. 

“Mesa jam informuar, kishte një apo disa firma amerikane me shumë reputacion që asistuan në disa prej aspekteve teknike të hetimit”, deklaroi Arvizu. 

Top Channel