Grupi i PS: Jo ligjit të mbeturinave

17/10/2011 00:00

Mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, e zhvilluar këtë herë me dyer të mbyllura, mësohet se ka patur fokus të vecantë tek ligji i mbetjeve, i kthyer në Kuvend nga presidenti Topi.

Deputetët e PS-së do të kërkojnë me ngulm pengimin dhe mosmiratimin e tij, duke përdorur të gjitha format demokratike, deri tek ato më ekstremet, sic është kërkesa për mbajtjen e një referendumi për këtë cështje.

Ky do të jetë hapi i fundit përmes të cilit socialistët do të kërkojnë të ftojnë shqiptarët të vendosin mbi këtë iniciativë ligjore mjaft delikate dhe të rëndësishme.

Ndërkohë, pikat e tjera kanë patur lidhje me rendin e ditës së seancës së radhës në Kuvend dhe përgatitjen e përballjes politike me palën tjetër.

Ligji për importimin e mbetjeve, i miratuar në Parlament vetëm me votat e shumicës, u kthye në këtë institucion javën e kaluar nga presidenti Topi.

Ky veprim shkaktoi reagimin e Ministrisë së Mjedisit, që deklaroi se vendimi i presidentit kishte karakter politik, deklaratë që u hodh poshtë me indinjim nga kreu i shtetit.

Ndërsa Partia Socialiste pretendon se me këtë ligji do t’i hapet rrugë aferave të mafias, që është e përfshirë thellë në transportin e mbeturinave.

Vendimi i presidentit Topi u përshëndet edhe nga vetë kryetari i PS, Edi Rama, i cili në një editorial të tijin u shpreh se, “ai s’është një ligj për Shqipërinë europiane”.

Top Channel