Rama: Vendimi i Topit, i drejtë

16/10/2011 08:55

Në një shkrim editorial që botohet të dielën në gazetat shqiptare, kryetari socialist Edi Rama i jep të drejtë Presidentit të Republikës në vendimin e tij për kthimin e ligjit që lejon importin e mbeturinave.

Rama thotë se ai ligj “s’është një ligj për Shqipërinë Europiane. As për një Shqipëri më të pastër. Po është një ligj për të gangrenizuar me pasoja të pallogaritshme sot plagët e rënda të ndotjes së Shqipërisë. Dihet botërisht lidhja e mafias me plehrat. Njihen botërisht ngjarje tragjike për shumë vende të botës ku kjo lidhje ka arritur të bëjë ligjin”.

Rama shkruan se Shqipëria nuk mund të menaxhojë mbeturinat që prodhon vetë dhe as të kontrollojë ato që mund të importohen.

Rama akuzon se miratimi i këtij ligji është bërë “me synime të këqija dhe se kjo është një nga arsyet se pse Saliu vodhi votat për të qëndruar me pahir në pushtet. Që të importojë plehra e t’ia fusë Shqipërisë në fytin e sëmurë, ndërkohë që ujrat e lumenjve po idhtohen nga papastërtitë edhe pa plehrat e botës. Ndërkohë që toka e bukës po sëmuret nga papastërtitë edhe pa plehrat e botës. Ndërkohë që ushqimi i prodhuar në vend po kërcënohet nga papastërtitë edhe pa plehrat e botës”.

Më pas, kreu i opozitës i përgjigjet akuzave të kryeministrit se ishte opozita ajo që bllokoi integrimin e vendit.

“Nëse ndokush ka pare, shkruan rama, ndonjë opozitë në botën demokratike që t’i vejë pas me karton jeshil në dorë qeverisë le të ma tregojë. Unë kam parë vetëm qeveri që i venë pas opozitës kur u duhet vota e saj. Jo duke i thënë do të ta bëj fytyrën më të zezë se këpuca, po bujrum të flasim si mund t’i bëjmë votat bashkë për këtë ligj apo atë vendim madhor.”

“Ne e dimë se kush është përgjegjësia jonë dhe i kemi bërë hapat tona, duke propozuar një pakt të thjeshtë, të qartë, të mjaftueshëm si bazë diskutimi për gjetjen e pikave të përbashkëta të axhendës së integrimit. Saliu jo. Ai e ka mendjen sesi të hedhë fajin mbi opozitën dhe ta bëjë Shqipërinë vendin e plehrave, duke nxjerrë fitime edhe nga plehrat e botës e jo vetëm nga paratë e shtetit, nga pasuritë publike, nga pronat e të tjerëve. E pastaj s’ka si mos ngatërrohet kur flet në publik e u thotë fshatarëve të varfër “Ju po punoni për të mirën e familjes time”, sepse në fakt kjo është e vërteta dhe aq shumë sa ai po merret veç me punët e tij në kurriz të njerëzisë, mendja e ka vështirë të ndërrojë gjthnjë marsh në çastin e duhur. Kështu s’dihet sa zgjat, po është e sigurtë që për sa kohë të zgjasë ka vetëm zvarritje mes plehrash.”

Top Channel