Partia Demokracia Sociale i bashkohet grupit të partive të vogla që janë
kundër sistemit zgjedhor aktual. Profesor Paskal Milo, që ka votuar
kundër në vitin 2008, thotë se koha i dha të drejtë.

“Vetë sistemi prodhoi dhe prodhon një diferencë shumë të vogël mes dy partive të mëdha politike, gjë që i con ato vazhdimisht te kenë një tension të madh politik në marrëdhëniet mes tyre”, tha zoti Milo.

Por sipas profesor Milos, kriza politike është vetëm një prej difekteve të sistemit.

Milo: Pragu elektoral ndryshon kaq shumë nga një zonë elektorale në tjetrën, saqë është një padrejtësi e tmerrshme.

Top Channel:  Si mund të ndryshohet kjo atëhere?

Milo: Ky sistem do patjetër elementin e korrigjimit kombëtar, korrektimit kombëtar. E dyta: duhet patjetër që zonat elektorale nga 12 të bëhen në 6, me qëllim që të shmanget ajo pabarazia e madhe që ekziston në shpërndarjen e mandateve. Po kështu, listat e kandidatëve për deputetë të partive nuk duhet të jenë të mbyllura, sic janë sot, por duhet të jenë të hapura.

Top Channel
:  Po ju si kryetar partie, nuk do të ndiheshit më pak i fuqishëm, në rast se do të kishit një listë të hapur dhe nuk do të ishit ju ai që do të vendoste radhën e kandidatëve tuaj?

Milo: Absolutisht! Përkundrazi, do të ndihesha më i motivuar. Do të ndihesha përballë kolegëve dhe shokëve të mi, më i pafajshëm, sepse kemi marrë një vendim kolegjial.

Po ashtu, zoti Milo thotë se votimi elektronik, por sidomos kontrolli elektronik i kartës së identitetit, është një domosdoshmëri në Shqipëri. Profesori flet edhe për financimet e pabarabarta të partive dhe kohën e ndryshme televizive. Por kryetari i Demokracisë Sociale, ka frikë se përsëri këtë herë partitë e mëdha nuk do ta dëgjojnë zërin e partive të vogla, në hartimin e kodit të ri zgjedhor. 

Top Channel