Berisha-Rama barazim, por Shqipëria humbje?!

15/10/2011 00:00

Andrea Stefani – Ndërkombëtarët përsëri të shtypur nga pesha e papërballueshme e thënies së një të vërtete që ulërin.

Nuk munden, nuk duan, nuk e dinë? Shkaqet mund të jenë të ndryshme, por diplomacia perëndimore po këmbëngul përsëri të mos thotë se kush është kryefajtori i mosmarrjes nga Shqipëria të statusit të kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Europian (BE). Një memecëri mjaft e dëmshme për zhvillimet e ardhshme politike, sepse ndihmon të mos dalë kryepërgjegjësia për dështimin dhe që kampet politike, t’ia hedhin fajësinë njëri-tjetrit duke e kamufluar edhe më shumë atë. Por mosdalja e përgjegjësisë është edhe mosdalje e gabimeve. Është një premisë për të vazhduar në shtegun e gabimeve dhe të humbjes së perspektivës europiane nga Shqipëria.

* * *

Lista e dështimeve që numëron raporti i progresit tregon qartë se ku është e keqja për mosrealizmin e zgjedhjeve të ndershme, për mosfunksionimin e duhur të Parlamentit, për kapjen e gjyqësorit, të medias për dhunimin e pronës private apo për politizimin e administratës. Është shumë e qartë. Logjika të shpie drejt e tek një praktikë autokratike të ndjekur me kapriçio nga qeveria “Berisha” dhe shumica. Çuditërisht, ndërkombëtarët, ata që e kanë hartuar dhe miratuar këtë raport, duket sikur nuk e kanë të qartë. Në vend që të vënë gishtin në plagë, ashtu sikundër dikton raporti, nisin e deklarojnë se “të dyja palët mbajnë përgjegjësi”. Por kjo është të thuash asgjë ngaqë dihet se, shpesh, një situatë ku të gjithë janë përgjegjës për një gabim, nuk ndryshon shumë nga situata kur askush nuk është përgjegjës për të. Pra Shqipëria humbet, ndërkohë që Rama dhe Berisha dalin barazim në përgjegjësi?! Këto janë deklarata tepër të thjeshtëzuara që të kujtojnë edukatoren e kopshtit, e cila, kërkon ta ndajë barazim ushqimin mes fëmijëve. Ato nuk pasqyrojnë realisht atë që po ndodh dhe, në një vend si Shqipëria, ato që thotë diplomacia ndërkombëtare formësojnë opinione, nuk lejojnë që shqiptarët të qartësohen për përgjegjësinë apo meritat e segmenteve të klasës politike, në mënyrë që të reagojnë si duhet me votë. Deklarime të tilla që barazojnë përgjegjësinë pengojnë edhe zhvendosjet e natyrshme dhe të merituara në elektorat.

* * *

Mund të thuash se kanë përgjegjësi të gjithë për këtë dështim historik. Por ta lësh me kaq është gabim. Është e pandershme. Sepse dikush është në pushtet dhe dikush është në opozitë. Në çështje të tilla, si kjo e integrimit, përgjegjësitë nuk mund të ndahen me barazimtarizëm komunist. Dikush është më shumë përgjegjës. Nuk duhen shumë mend për të kuptuar se përgjegjësia kryesore për dështimin bie mbi qeverinë, mbi pushtetin, që ka ministritë, që zbaton politika, që ka shumicën në Parlament. Nëse gërmon për të gjetur shkaqet se përse Shqipëria nuk ka zbatuar të 12 rekomandimet do të zbulosh se në rrënjë të këtij stanjacioni qëndron natyra autokratike e qeverisjes së Sali Berishës dhe korrupsioni gjithnjë e më absolut që bashkëshoqëron një sundim gjithnjë e më absolut. Opozita ka fajet e veta, përgjegjësitë dhe dështimet e veta, por me to nuk mund të abuzohet në mënyrë që “qeveria e integrimit”, ta ndajë fajin për dështimin e integrimit, 50% me 50% me opozitën. Të kesh paketën kontrolluese në qeverisje dhe përgjegjësi të barabarta me opozitën në faliment? Ku është parë kjo? Kush mendon se me këtë diplomaci “të barazimit të fajit”, do mund ta bëjë qeverinë të sillet ndryshe në të ardhmen, gabon. Dhe kjo po shihet nga ditë në ditë. Kësaj qeverie as nuk i shkon ndër mend të pranojë qoftë edhe një fije përgjegjësi për këtë dështim. Si përherë, kur bëhet fjalë për sukses, Berisha vrapon ta përvetësojë të tërë meritën. A nuk e quajti anëtarësimin në NATO meritë të qeverisë? Veç kur është fjala për dështime të rënda, atëherë faji qenka i opozitës! Edhe këto ditë ne shohim sesi Kryeministri, si një autokrat i vërtetë, kërkon t’ia shkarkojë gjithë barrën e fajit mbi opozitën. Në këtë frymë, sa primitive aq edhe bolshevike, folësja e Kuvendit, Topalli, e akuzoi opozitën si “celulë antieuropiane”. Kjo është e gjitha një padrejtësi dhe nga aplikimi i padrejtësisë në politikë, nuk mund të lindin zgjidhje të drejta që shtyjnë për kah liria dhe Europa.

* * *

Po cila mund të jetë zgjidhja? Palët duhet të nisin të dialogojnë. Rama dhe Berisha duhet të dialogojnë. Këtë thotë Fule, këtë thotë Kukan, këtë thonë edhe Sekui, Volfart apo Arvizu. Por ka një problem që nuk e thonë ose nuk e shikojnë. Dialogu ndodh kur dy forca politike kanë një qëllim të përbashkët strategjik, ndonëse dallojnë në mënyrat, rrugët, taktikat e arritjes së këtij qëllimi. Ato debatojnë e dialogojnë pikërisht për këto mënyra e taktika. Dhe është pikërisht qëllimi i përbashkët që i shtyn në konsensus, një qëllim që nuk mund ta braktisin. Në rastin e kampeve politike në Shqipëri, pikërisht ky qëllim i përbashkët nuk ekziston. Po cili duhet të ishte ai? Përgjigjja është: Integrimi europian i Shqipërisë. Njëra nga këto forca politike mund të kritikohet se nuk shfaq dedikimin e mjaftueshëm ndaj këtij qëllimi, por tjetra nuk e ka fare atë qëllim. Po cila është ajo forcë? Nuk është vështirë fare ta gjesh. Mjafton të ndjekësh gjurmët e autokratizmit dhe korrupsionit që ai pjell. Dhe ato të çojnë lart në qeveri, te Berisha dhe klani i tij politik. Me këtë klan në krye të qeverisjes, Shqipëria do ta humbasë kandidaturën edhe në vitin 2012. Është e sigurt. Sepse autokratizmi i korruptuar në pushtet, nuk mund të pranojë ato reforma që themelojnë një shtet ligjor, që i japin fund sundimit të këtij klani dhe ndëshkojnë korruptimin e tij. Do gjejë divergjenca, do shpikë konflikte për ta bërë europianizmin të ngecë. Dhe ndërsa, në prapaskenë, autokratizmi do fërkojë duart për lënien e Shqipërisë jashtë botës së lirisë, në skenën e politikës do akuzojë opozitën për këtë dështim që e mban në pushtet dhe që për këtë shkak, i gëzohet në fshehtësi.

Gazeta “Shqip”

Top Channel