Zotërinj deputetë, mos u nxitoni!

14/10/2011 00:00

Erjon Kristo – Ka ndodhur disa herë në Kuvendin e Shqipërisë që të vendoset në rendin e
ditës çështja e ndryshimeve në Kodin e Qarkullimit Rrugor.

Dikush po nxiton të heqë qafe projektligjin, pa marrë parasysh dhe pa llogaritur kostot dhe pasojat që do të sjellë ndryshimi. Pa mëdyshje, ka një lloj papërgjegjshmërie të autoriteteve lidhur me çështjen e qarkullimit rrugor. Po kur kjo papërgjegjshmëri merr dhe votat e kuvendarëve, përkthehet në një situatë edhe më katastrofale për një nga plagët më të rënda të shoqërisë shqiptare, që ka të bëjë me humbjen kot të jetëve njerëzore për shkak të aksidenteve rrugore. Sot, njerëzit, pra publiku i gjerë, është ndërgjegjësuar se në vendin tonë po ndodhin gjëma të mëdha në këtë lëmë. Por nuk janë ndërgjegjësuar autoritetet. Reagimi i tyre u materializua në disa ndryshime që janë paraqitur në Kuvend dhe që fatmirësisht, për shkak të mungesës së opozitës, por dhe të një qëndrimi parimor të saj lidhur me këtë çështje, nuk kanë hyrë në fuqi.

Ky projektligj i paraqitur nuk ka fare lidhje me integrimin e vendit. Prandaj, e ftoj edhe një herë opozitën të tregohet e përgjegjshme dhe ta vonojë sa më shumë, derisa të krijohet një situatë që mund të zgjidhet me ndërhyrjen e të gjitha palëve. Dhe kur flas për palë, kam parasysh grupet e interesit, të cilat duhej të jepnin mendimet e tyre. Bëhet fjalë për një situatë tejet absurde, ku vullneti për të punuar për qytetarët, është shndërruar në kryeneçësi prej tiranësh që imponojnë forcën e një grupi të vogël njerëzish që quhen deputetë, por që nuk veprojnë si të tillë.

Pa hyrë në analiza të gjata të këtij absurdi, që mendjet e sakta të zyrtarëve europianë i kanë vënë një notë pakaluese, do të përpiqem të sqaroj sado pak nevojën e madhe për një bashkëpunim total të çdo qelize qytetare, në aksionin e madh të shpëtimit të jetëve njerëzore, për të cilat po paguajmë kosto edhe ne që ende nuk e kemi provuar në kurriz një mynxyrë të këtillë. Por kostot shoqërore të aksidenteve njihen dhe nuk ja vlen të zgjatemi në këtë pikë.

Ndryshimet në Kodin e Qarkullimit Rrugor nuk duhet të miratohen. Ato, në vend që të sjellin rregullim, do të sjellin çrregullim.

Ajo për çfarë kemi nevojë janë ose instrumentet ligjore ose nënligjore që e kanë mbajtur peng Kodin për vite me radhë, ose konceptimi i një Kodi të ri, ku t’i mëshohet më shumë edukimit dhe parandalimit, se sa ndëshkimit.

Aktualisht, Policia Rrugore në Shqipëri është kthyer mirëfilli në Polici Tatimore. Dhe kjo nuk do ndonjë zotësi të madhe për t’u kuptuar, mjafton të shohësh instrumentin që përdorin policët dhe që është blloku i gjobave. Kush kërkon të kuptojë se si është ecuria e të ardhurave në buxhet, pra nëse shteti ka lekë apo jo, mjafton të shohë mënyrën se si sillen policët në rrugë. Nëse këta tërbohen, shteti është pa lekë. Dhe po ndodh shpesh e më shpesh kjo dukuri, ku qytetarët nëpërkëmben si të ishin pece këmbësh, duke i sorollatur nga njëra zyrë apo fushë në tjetrën, sikur të ishin të gjithë njerëz pa punë dhe të ngeshëm. Nëse këto ndryshime do të miratohen, atëherë në rrugët tona do të ndodhë katastrofa. Është e sigurt që në radhët e Policisë Rrugore ka korrupsion. Këtë e vërteton INSTAT-i, i cili përmes anketimeve na tregon se rreth 70% e korrupsionit kryhet nga policët dhe mjekët. Pra, vetë shteti pranon se ka korrupsion në radhët e uniformave blu, ku shquhen ato me mbiveshje të blertë. Mund të sjellim edhe shembullin e mirënjohur tashmë të shkrirjes së degës së Policisë Rrugore në Fier për shkak të mitmarrjes. Jo një polic, por një sektor i tërë i përfshirë në ethet e pasurimit të paligjshëm dhe në kurriz të qytetarëve. Policia shqiptare është përpjekur vazhdimisht të luftojë këtë dukuri dhe ndërhyrjet e shumta të SHKB-së e vërtetojnë këtë situatë. Por nëse deri më tani ajo nuk ka mbajtur dot në dorë, le të themi një pistoletë, që janë mjetet ligjore në luftë për zbatimin e ligjit, mendoni se si mund të sillet kur t’i japin në dorë një mitraloz. Mitralozi janë pikërisht ndryshimet e reja në Kod, të cilat katërfishojnë të gjitha gjobat ekzistuese. Pra, kur përfitimi financiar të jetë më i madh, ku e kemi sigurinë që edhe shkelja nuk do të jetë po aq e madhe? Ka gjoba që variojnë nga 4 mijë deri në 40 mijë lekë. Ky hendek prej 36 mijë lekësh, kush e garanton se nuk do t’i hapë rrugët përfitimeve të padrejta, në dëm të mbrojtjes së paepur të ligjit. Është më afërmendsh e kundërta, sepse edhe artikullshkruesi do të jetë i tunduar ta zgjidhë “me burrni” situatën, më tepër se sa me ligj.

Më tej, përse rritja është bërë me katër dhe jo me pesë, apo me tre, apo me dhjetë. A ka një studim të kryer për këtë? Përse ky studim nuk bëhet publik? Përse specialistët e policisë, punën e të cilëve e çmojmë, nuk japin shpjegime për këtë rast? Kjo ndodh sepse rritja është artificiale. Vetë Kodi Rrugor ka pasur detyrimin ligjor për rishikim çdo dy vjet të masave administrative, por kjo nuk ka ndodhur. Vetë Kodi Rrugor ka shumë nene dhe pika që nuk janë zbatuar, pa harruar nenin 193, pika b, i cili ka ngjyrime antikushtetuese, që shkelin barazinë e qytetarëve përpara ligjit. Por e njëjta ndjenjë e shkeljes së barazisë së qytetarëve, që manifestohet haptazi në rrugë, ku njerëz me makina “të mbëdha” arrijnë të thyejnë një mori rregullash dhe t’ia hedhin paq, kurse njerëz të tjerë paguajnë edhe për ata që nuk paguajnë. Nëse ndryshimet miratohen, atëherë është e garantuar që ata që nuk ndëshkohen, nuk do arrijnë dot të ndëshkohen, kurse fakirët do të paguajnë katër herë më shumë. Aq më tepër në kushtet e krizës financiare, qytetarët do të dëmtohen rëndë për të larë kusuret e organeve të tjera të shtetit që nuk i kryejnë detyrat e tyre siç duhet.

Edhe një shkelje tjetër kushtetuese paraqitet në ndryshimet e reja. Pika ku ndëshkohen më rëndë shoferët që kanë më pak se sa tre vjet që ngasin makinën. Kjo pikë jo vetëm është antikushtetuese, por është dhe budallaqe. Është më e falshme për dikë që të bëjë gabime kur nuk ka përvojë në ngarjen e makinës, se sa për një që ka përvojë dhe bën cirk në rrugë. Shoferët e rinj dhe shoferët e vjetër duhen penalizuar njëlloj përballë së njëjtës shkelje.

Një gafë tjetër kolosale e ndryshimeve është jo vetëm hapësira nga maksimumi i gjobës te minimumi, por edhe fakti se për këtë duhet të vendosë polici. Polici nuk është gjykatës që të peshojë fajin. Ai duhet të ketë në dorë një instrument ligjor që e qartëson mjegullën, jo që e shton. Janë me qindra qytetarë që ankohen përditë në media dhe në organet e policisë për sjelljet abuzive të disa policëve që ofendojnë petkun e mrekullueshëm të sakrificës sublime të policit rrugor. Prej tyre ka marrë nam të keq e gjithë trupa. Njerëzit nuk i njohin këto ndryshime ligjore dhe nuk kanë për t’i zbatuar. Nga kjo do të përfitojnë policët dhe disa prej tyre janë artistë të vërtetë, me një kujtesë dhe imagjinatë që do linte në hije çfarëdolloj deputeti me çfarëdolloj shkollimi. Polici nuk mund të jetë gjykatës. Zgjidhja do të ishte që gjobat të ishin të grupuara në dy apo tri kategori: gjoba të lehta, të mesme dhe të rënda. Këto gjoba duhet të jenë fikse. Për shkeljet e tjera që janë më të rënda se sa këto, të parashikohen penalitete më të rënda, jo vetëm gjoba. Përderisa janë caktuar në mënyrë arbitrare këto gjoba për shkeljet, po në mënyrë arbitrare mund të përcaktohet se mosmbajtja e rripit është gjobë fikse dhe jo nga kaq deri në aq.

Një nga çështjet më të debatuara është çështja e pikëve. Shumë specialistë e kërkojnë. Shumë të tjerë kërkojnë që të vendoset sistemi spanjoll, që inkurajon ngarësit e rregullt të makinave, duke e shpërblyer sjelljen e tyre me bonuse. Por edhe kodi që kemi e ka brenda çështjen e pikëve, vetëm se kurrë nuk janë studiuar dhe miratuar udhëzimet që e bëjnë efektive çështjen e llogaritjes së shkeljeve në CV e drejtuesit të mjetit. Ligji e jep, po tellalli nuk e jep. Kodi aktual rrugor, një përkthim fjalë për fjalë nga kodi italian, ndoshta duhet rishikuar dhe ripunuar për kushtet e vendit tonë. Personalisht, jam për fillimin urgjent të punës për përgatitjen e një kodi të ri, ku të marrin pjesë jo vetëm specialistët e policisë, por edhe shoqëria civile, specialistë të pavarur dhe akademikë. Nuk kemi fare nevojë për të huaj, sepse i njohim situatat tona më mirë se ç’mund t’i njohë edhe gjeniu më i madh që mund të vijë nga bota. Nuk kemi pse të harxhojmë lekë. Mendjen e kemi ndër ne, vetëm ta pyesim mbetet. Por nuk zgjidhet problemi i qarkullimit rrugor vetëm me kodin, pa një pjesëmarrje në një tryezë të të gjithë aktorëve të tjerë, enteve pronare të rrugëve, një sinjalistikë moderne, jo si ajo që kemi sot, që lejon abuzimin nga ana e policisë, dhe për më tepër të vendos gjoba për mosrespektim, ndërkohë që nuk të siguron kushtet e duhura të sinjalistikës. Sjelljet në rrugë të ngarësve të makinave tregojnë katërcipërisht që askush nuk shqetësohet nga prania ose jo e shtetit, duke ngarë makinën në një shpërfillje totale jo vetëm për jetën e të tjerëve, por edhe për ligjin apo ndëshkimin. Tashmë kemi mësuar të bashkëjetojmë me shkeljen e ligjit dhe kjo kërkon një frymë të re në këtë fushë.

Një zgjidhje tjetër e mençur do të ishte mungesa e kontaktit mes policit dhe shkelësit të ligjit. Kjo është gjëja më e lehtë, sepse përvoja e vendeve të zhvilluara dhe teknologjia e përparuar e kanë zgjidhur prej vitesh këtë problem. Edhe pse ka një dynja me policë në rrugë, prapë nuk ka asnjë ndryshim në sjelljen rrugore të shtetasve. Ndoshta duhen fshehur policët, me mjete të sofistikuara, që e shlyejnë shumë shpejt veten e tyre, ndaj janë investimi më serioz dhe me përfitim. Nëse lind çështja e vjeljes së gjobave të pavjelura, do të mjaftonte një nen në ligjin për Përmbarimin, ku të lejohen organet private të Përmbarimit të mbledhin gjobat e papaguara, për shkak se quhen tituj ekzekutivë.

Si përfundim, mund të themi se nëse këto ndryshime miratohen, gjëja më problematike do të jetë se do të shtyhen edhe dy apo tre vjet përpjekjet për të bërë një ndërhyrje serioze dhe të plotë. Ndryshimet janë të pjesshme dhe të pastudiuara dhe do të sjellin pasoja serioze në marrëdhënien midis shtetit dhe qytetarëve, të cilët qysh tani janë të shqetësuar me dhunën e shtetit që bie mbi ta pa ndryshuar asgjë në sjelljen e tyre. Shtimi i masës administrative është një punë me mend, por kjo kërkon edhe shumë parametra të tjerë që duhet të shkojnë bashkë me të. Nëse dëgjohet fjala e specialistëve, gjërat do të shkojnë më mirë. Nëse ulemi në një tryezë të gjithë njerëzit e interesuar për këtë punë, do të japim një produkt më të mirë se sa ai që ka paraqitur një palë e vetme. Kjo është laksative. Ligji edhe nëse kalon, shoqëria civile do të bëjë të gjitha përpjekjet për të mos lejuar dekretimin e tij. Nëse edhe në këtë rast shurdhëria do të bëhet mbizotëruese, beteja morale do të vazhdojë në Gjykatën Kushtetuese, ku do të shpjegojmë me argumente ligjore elementët antikushtetues të ligjit. Por kemi ende hapësira, edhe nëse të gjithë shqiptarët pushtetarë mbyllin dyert e arsyes. Do t’u drejtohemi qytetarëve të ndjeshëm europianë, medias europiane, institucioneve simotra dhe intelektualëve europianë, duke ju kërkuar ndihmë në betejën e shenjtë për të shpëtuar tashmë jo vetëm jetën e qytetarëve shqiptarë, por edhe të atyre europianë, që rrezikohen dukshëm (rasti i fundit ku katër francezë vdiqën për shkak se një shqipo ngiste i dehur në krahun e kundërt e vërteton këtë), nga papërgjegjshmëria e autoriteteve shqiptare që nuk dinë dhe nuk munden të sillen të paktën si vëllezërit tanë në Kosovë që e tuteluan këtë fushë, apo siç kishim rastin ekzemplar të një rregullsie në vozitje në Qarkun e Elbasanit, kur në të jepnin kontribute të shquara njerëz që vinin ligjin të parin, pastaj veten.

Zonja deputete dhe zotërinj deputetë, bëhuni të dashur për publikun tuaj që ju ka votuar. Vota nuk është gjithçka. Mirëqenia e qytetarëve është gjithçka. Mos u nxitoni me këtë projektligj. Mos ua plasni buzën qytetarëve që kanë filluar të flasin me vete. Punoni për ta. Vendosni penalitete edhe dhjetë herë më të larta. Mjafton që të kenë një kuptim, të jenë të thjeshta, të njihen nga qytetarët dhe mbi të gjitha, të zbatohen për të gjithë shtetasit, ngase kjo është pika që i detyron të gjithë t’i bien anash ligjit, sapo i pari ta bëjë këtë. Rriteni rrethin tuaj të njohjes. Shtoni radhët e njerëzve dashamirës kundrejt situatave faktike. Të njerëzve që duan të ndihin në zbukurimin e fateve të vendit. Shurdhëria dhe verbëria do t’ju çojnë në dështim, do bëni një vërë në ujë, siç ka ndodhur shpesh kur nuk është dëgjuar zëri i arsyes.

Gazeta “Shqip”

Top Channel