Eugen Wollfarth, kreu prezencës së OSBE-se në Tiranë, gjatë një interviste
për Top Channel shprehet i shqetësuar për qëndrimin e partive politike,
të cilat janë ende larg një dialogu.

Partitë duket se nuk po lëvizin nga llogoret e tyre, deklaroi Wollfarth, dhe se janë të përgatitura të rrinë në këto llogore.

“Partitë politike duhet të përgatiten dhe të fillojnë dialogun për reformën e Kodit Zgjedhor, e cila duhet të nisë pa humbur kohë. Të gjithë e dëgjuam progres-raportin e Komisionit Evropian. Shpresojmë të ketë një efekt kthjellues, por ajo që vëmë re në këtë fazë është se partitë duket se nuk po lëvizin nga llogoret e tyre dhe se janë të përgatitura të rrinë në këto llogore. Kjo nuk është e mirë. Ato nuk duhet të sillen sikur të ishin në vitet 1914-1915, por të përgatiten për të ardhmen dhe të fillojnë reformat, midis të cilave është edhe reforma zgjedhore. Rregullorja e Kuvendit do të ishte një fillim shumë i mirë dhe ka pasur propozime lidhur me këtë. Propozimet kanë ardhur edhe nga Partia Socialiste në formën e një katalogu, i cili është i hapur dhe duhet të kontribuojë si bazë për atë dialog që nevojitet vërtet për ta përgatitur Shqipërinë për të ardhmen, për zhvillimin e kësaj shoqërie, për stabilizimin e institucioneve demokratike, të cilat zakonisht varen nga zgjedhjet e mira. Duhet të shohim zgjedhje akoma më të mira në të ardhmen. Ne kemi nevojë t’i shohim ato, populli shqiptar meriton t’i shohë”, tha Wollfarth.

Pyetjes se cilat janë rrugët e mundshme  të cilat e zhbllokojnë ngërcin poltik, ambasadori Wollfarth jep këtë përgjigje: “Dialog. Jo hedhje faji, por dialog. Palët duhet të fillojnë dialogun. Nuk ka rëndësi se në çfarë formati. Nuk ka rëndësi nëse bëhet në mënyrë private apo publike. Zakonisht, përgatitjet e mira fillojnë privatisht. Gjithashtu, duhet të ndërtohet besimi. Besimi duhet të zëvendësojë mosbesimin dhe ky besim është i nevojshëm për të ndërtuar të ardhmen e Shqipërisë. Unë kam besim për këtë dhe Prezenca e OSBE-së mbetet gjithashtu e gatshme të japë mbështetjen e saj. Unë kam besim se Shqipëria mund të përgatitet për të ardhmen, por hapat duhet të ndërmerren që tani, ora po ecën dhe kjo vlen edhe për reformën e Kodit Zgjedhor”.

Ambasadori Wollfarth nuk parashikon që komuniteti ndërkombëtar, si me një shkop magjik të bëjë mrekulli, nëse dialogu i kërkuar nuk do të ndodhë në ditët apo javët e ardhshme.

“Ajo që duhet të kemi gjithnjë parasysh është se shpejtësia e zhvillimit është në dorën e shqiptarëve. Ne mund të japim këshilla, jemi të gatshëm të japim këshilla, kemi edhe durimin për të dhënë këshilla. Mbetet të shihet sa i duruar është populli shqiptar me atë që po ndodh në skenën politike. Ne do të donim të shihnim hapa më të shpejtë. Njerëzit e meritojnë, vendi e meriton dhe kjo do t’i shërbejë edhe përparimit dhe sigurisë në rajon”, tha Wollfarth.

Top Channel