Topi: Kjo politikë nuk i duhet Shqiperisë

13/10/2011 00:00

Presidenti i Republikes u bën apel partive te mëdha politike dhe
lidershipit të tyre, që me përgjegjësi përpara qytetarëve dhe vendit, të
gjejnë forcë dhe aftësi për të dalë mbi interesat personale e politike
të momentit dhe të bashkojnë energjitë përfaqësuese në dobi të reformave
reale të integrimit.

Në një mesazh të kreut të vendit në lidhje me progres-raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë, Presidenti thekson se dyert e BE-së janë të hapura, por është në dorën e politikës shqiptare, që të bëjë një reflektim të thellë moral e përfaqësues për të fituar sa më parë kohën e humbur, ose për të mos u bërë pengesë për integrimin.

“Apeli im publik është se forcat kryesore politike, në vend të alibive dhe argumenteve partiake kundër palëve respektive, duhet të përqendrohen në një klimë të re dialogu e bashkëpunimi serioz, për të mbajtur realisht premtimin e dhënë të mërkurën për shndërrimin e Raportit të BE-së në axhendë të aktivitetit të tyre politik”, thuhet në mesazhin e Topit.

Presidenti thekson se kërkohet një Parlament funksional dhe produktiv; një bashkëpunim intensiv në çështjet që përbëjnë interes të gjerë publik; një qeverisje më transparente dhe në shërbim të qytetarëve, veprime konkrete kundër korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin, stabilitet ekonomik e klimë reale besimi për garantimin e konkurrencës së lirë ekonomike dhe sigurimin e sa më shumë investimeve të huaja në Shqipëri.

“Me vullnetin politik të palëve dhe mirëfunksionimin parlamentar janë të lidhura edhe nevojat e mëdha për reforma ligjore në sistemin e drejtësisë, sistemin gjyqësor, sektorin e administratës publike, luftën ndaj korrupsionit dhe garantimin real të parimit kushtetues të ndarjes e balancës së pushteteve. Njëherësh apeloj drejtuesit e institucioneve kushtetuese dhe të pushtetit legjislativ e ekzekutiv që me kurajo e qetësi të reflektojnë nga konstatimet nominale e institucionale të raportit, për të krijuar të gjithë klimën e besimin e duhur në evitimin e problematikave të tilla në javët dhe muajt e ardhshëm”, thekson më tej presidenti në mesazhin e tij.

Kreu i vendit ndër të tjera vë në dukje deklaratat e një dite më parë të palëve që pranonin raportin dhe janë të gatshëm të reflektojnë mbi problematikën e tij.

“Dëgjova se palët politike nuk pranuan asnjë përgjegjësi konkrete, por zakonisht fajësuan palën kundërshtare për shansin e humbur të integrimit. Si President dhe qytetar e refuzoj këtë praktikë dhe këtë qëndrim. Kjo është ajo çfarë nuk i duhet Shqipërisë, demokracisë dhe integrimit. Kjo është ajo, për të cilën qytetarët shqiptarë ndihen padrejtësisht të penalizuar. Shqipëria ka nevojë për një vizion të ri politik, për qëndrime e politika të përgjegjshme, jashtë retorikave personale e propagandistike që nuk zgjidhin, por zgjasin pa fund tranzicionin dhe shanset tona integruese”, thekson presidenti.

Top Channel