Sërish Berisha, kërcenon Tahirin

13/10/2011 19:45

Tre vjet nga incidenti me deputetin Taulant Balla, Kryeministri Sali Berisha është bërë sërish protagonist me të njëjtin kërcënim, vetëm se këtë herë me një deputet tjetër të opozitës.

Kur duhet të ishte dita që Kryeministri të tregonte dialog konstruktiv me opozitën, siç kërkoi Komisioneri Fyle dhe ritheksoi ambasadori Sequi, Berisha lëshoi këtë ofendim në adresë të deputetit Saimir Tahiri, sipas një sllogani të njohur tashmë: “Ta bëj fytyrën më të zezë se këpuca, nga fëmijëria jote deri më sot. Ti e di mire që të njoh ty, ku je rritur, si je rritur, e cila është pasaporta jote. Mes të gjithë deputetëve, për një rrethanë që ti e di mire, të njoh më mire se këdo”.

Incidenti i rënde ndodhi në momentin që Kryeministri Berisha po fliste per progresraportin e Komisionit Europian, duke parashtruar objektivat e qeverisë.

Në momentin e premtimeve të Kryeministrit, ka ndërhyrë deputeti Tahiri, që përmes batutave ka ironizuar me lapsusin e kreut të qeverisë lidhur me familjen e tij pak ditë më parë në Librazhd.

Ka mjaftuar kaq, që Kryeministri Berisha të kërcënojë sërish një tjetër deputet të opozitës. Edhe incidenti i parë me deputetin Taulant Balla ndodhi për shkak të permendjes së familjes së Zotit Berisha, kur zoti Balla akuzoi për lidhjet e djalit të  Kryeministrit me biznesin e Gërdecit.

Top Channel