Progres-raporti, Arvizu: Rezultat zhgënjyes

13/10/2011 00:00

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara, Aleksandër Arvizu komentoi për Top Channel raportin e Komisionit Europian. I ndodhur në Bruksel, zoti Arvizu deklaroi në një intervistë për Arta Tozajn se ky raport solli një rezultat zhgënjyes për Shqipërinë dhe bëri përgjegjëse të dy palët, duke argumentuar se retorika ka sjellë ndarje në vend.

Top Channel: Ambasador Arvizu, duket sikur ju erdhët në Bruksel për të lexuar nga afër raportin e progresit. Nuk ka surpriza. Shqipëria nuk e mori statusin kandidat as këtë vit. Ju keni qenë shume aktiv në disa ngjarje të rëndësishme gjatë këtij viti. A mund të na listoni disa nga arsyet që sollën në këtë rezultat fatkeq?

Ambasadori Arvizu: Po Arta ju keni të drejtë, është për të ardhur keq dhe sigurisht që nuk përbën asnjë surprizë. Por për cdokënd që kujdeset për Shqipërinë ky ishte një rezultat zhgënjyes, që Shqipëria nuk përfitoi statusin e vendit kandidat kësaj here. Por mendoj se gjëja e rëndësishme për t’u kuptuar është se kemi të bëjmë me një proces në zhvillim e sipër. Është e rëndësishme që ndoshta të merret frymë thellë dhe të shihet se si mund gjendet rruga më e mirë për të ecur përpara. Përsa i përket arsyeve, unë mendoj se zoti Fyle dhe Ambasadori Sequi ishin shumë të qartë dje. Ka një numër arsyesh, një pjesë e të cilave janë teknike sigurisht, por mendoj se shqetësimi kryesor ishte mungesa e një progresi të dukshëm në të ashtuquajturën axhendë politike, pra në kriterin e Kopenhagenit, sic u tha edhe në raport”.

Top Channel: Ne kemi një raport progresi nga BE, por nuk kemi një raport progresi të SHBA-ve, meqënese aspirojmë të hyjmë në BE. Por nëse do të ekzistonte një i tille, le të themi pak më zyrtar se Wikileaks, a do të ishte shumë më ndryshe se ai i BE-së? Cfarë do të shkruante për institucionet e pavarura, korrupsionin, administratën, median..?

Ambasadori Arvizu:
Ne mbështesim plotësisht integrimin e Shqipërisë në institucionet europiane, në fakt të gjitha vendet e Ballkanit, që të bëhen anëtare të plota të familjes se komunitetit europian. Por në lidhje me pyetjen tuaj mbi kriteret apo mbi vlerësimin, dhe duke u bazuar mbi cfarë pashë, do të thoja se vlerësimi ynë do të pasqyronte vlerësimin e BE-së, shqetësimet që ata identifikojnë, qoftë për rendin ligjor apo për aspekte të tjera administrative dhe teknike, sigurisht që ne jemi dakort me ato vlerësime.

Top Channel: A mendoni se retorika që po përdor mazhoranca gjatë kësaj periudhe është korrekte?

Ambasadori Arvizu: Për të qenë shumë i ndershëm, mendoj se ka dy palë përgjegjëse për ngërcin. Njëra është Partia Demokratike e Shqipërisë dhe tjetra është Partia Socialiste e Shqipërisë. Mendoj se të dyja ndajnë përgjegjësine për këtë, por gjëja e rëndësishme që ambasadori Sequi e shënoi në konferencën e tij të djeshme për shtyp, është që do të ishte konstruktive për axhendën e reformave apo për njerëzit që të kuptojnë se kjo është me të vërtetë një mundësi. Është tentuese sigurisht, që të fokusohesh në aspektet negative dhe që të gjesh fajtorët, gjë që do të vazhdojë edhe nëpër lajme për një kohë, por pas disa ditësh, me shpresë, ndoshta do të vijë koha për të rivleresuar gjërat dhe për të menduar se ky proces është me të vërtetë në interesin e vendit. Shqiptarët dhe kombi i tyre meritojnë të merren në konsideratë si një kandidat serioz për anëtarësim në BE. Dhe i takon politikanëve të gjejnë një rrugë për të lëvizur përpara. Një tjetër pikë që me shqetëson, pas disa bisedave interesante që kam zhvilluar me shqiptarët, është ndjesia në Tiranë se nëse ky ngërc politik do të zgjidhej dhe nëse të dyja palët do të bien dakort se duan që Shqipëria të ecë përpara me axhendën e reformave, atëherë gjithcka mbetet për t’u bërë është të firmosësh formularin e aplikimit dhe Shqipëria hyn në BE. E sigurisht që kjo nuk është aspak e vërtetë, pasi anëtarësimi në BE është një proces shumë i vështirë dhe që konsumon shumë kohë. Ka kaq shumë marrëveshje teknike, harmonizim standartesh dhe kjo është pjesa e vështirë. Vullneti politik supozohet të jetë pjesa më e lehtë, por sigurisht që në kontekstin e Shqipërisë të gjithë jemi të ndërgjegjshëm që edhe ky i fundmit është një hap i vështirë. Pra, nuk dua t’ia ul vlerat këtij hapi, por ajo që po them është se ka kaq shumë punë për të bërë dhe një pjesë e madhe kohe është shpërdoruar këto dy vitet e fundit. Dhe e përsëris, në pikëpamjen time, të dyja palët ndajnë përgjegjësinë për këtë dhe të dyja palët ndajnë përgjegjësinë për ta cuar axhendën e reformave përpara.

Top Channel: Cfarë jeni ju të gatshëm që të bëni për të ndihmuar të dy palët për të sjellë Shqipërinë në rrugën e duhur?

Ambasadori Arvizu: Nuk është sekret ajo që unë e quaj ndarja e thellë, një hendek besimi mes dy palëve dhe mendoj se ky hendek besimi ekziston edhe tek mbështetësit e tyre. Vendi është, në shumë mënyra, i ndarë mes këtyre dy kampeve. Pra nevojitet që dy palët të gjejnë rrugët për të adresuar mosbesimin. Mendimi im modest, po e përsëris, është që është shumë e thjeshtë të fajësosh krahun tjetër. Pra nëse partia A akuzon partinë B, ndoshta kanë të drejtë për krahun tjetër, por ata duhet të mendojnë edhe për veten e tyre. Pra duhet të gjendet një rrugë për të adresuar hendekun e besimit. Dhe sic e kam thënë më parë, edhe njëherë sipas mendimit tim modest, mendoj se mazhoranca ka përgjegjësinë për t’u përpjekur të bëjë gjithcka mundet për të krijuar rrethanat dhe situatën e duhur, në Parlament dhe në të gjithë vendin, të krijojë një klimë më të favorshme për dialog. Unë mendoj se fakti që ata janë në qeveri dhe që e kontrollojnë qeverinë, vë edhe më shumë përgjegjësi mbi partinë qeverisëse për të gjetur një rrugë për të ofruar propozime konkrete, të cilat mund të konsiderohen seriozisht nga opozita. Por sic thuhet, duhen dy veta për të kërcyer tango, pra edhe opozita nevojitet që të tregojë vullnet për të bërë pjesën e saj për adresimin e hendekut të besimit pasi mazhoranca nuk mund ta bëjë vetëm. Edhe mazhoranca nuk duhet t’iu bjerë shkurt propozimeve vetëm pse ka 71 apo 68 vota shumicë. Nuk mendoj se kjo mjafton për të cuar përpara interesin e një vendi. Nga ana tjetër opozita duhet të shohë vetveten dhe gjithashtu mbështetësit e saj dhe të shfaqet në atë mënyrë që t’i tregojë vendit se është gjithashtu një aktor serioz politik.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel