Ligj për kontrollin e rrezatimeve

13/10/2011 00:00

Deputetët e mazhorancës, të cilët miratuan ligjin për “Menaxhimin e
integruar te mbetjeve”, në hyrje të parlamentit janë përballur me
vërshëllimat e anëtarëve të FRESSH-it.

Fillimisht vetëm dhe më pas të rrethuar nga një kordon policor, ata kanë protestuar para ligjbërësve shqiptarë duke kundërshtuar veprimin e tyre.

Seanca plenare ka nisur diskutimin e projektligjit për “Mbrojtjen nga rrezatimet jojonizuese”, që shkaktohen nga shtyllat e tensionit të lartë, antenat e kompanive celulare të vendosura anembanë Shqipërisë, ne tarracat e pallateve e mjedise te tjera publike, duke prodhuar valë elektro-manjetike të dëmshme, për shëndetin e qytetarëve. Projektligji parashikon përcaktimin e atyre elementëve bazë, të cilët do të kufizojnë efektet e këtyre rrezatimeve, brenda limiteve të caktuara për frekuencat nga 0-në 300 GHZ.

Duke komentuar projektligjin ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili ka folur për rëndësinë e drejtpërdrejtë në shëndetin e qytetarëve.

“Po të shikojmë fare mirë rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në raport me vendimet dhe rregullat që do të duhet të dalin, ligji ynë respekton një kontekst europian sepse këto kompetenca ia jep Këshillit të Ministrave dhe nuk ia le këto akte ministrit, ashtu sikurse është edhe një nga sugjerimet e OBSH-së në aktin përkatës”, tha Vasili.

Por deputeti socialist Taulant Balla ngriti shqetësimin se edhe ky projektligj vinte përpara deputetëve pa konsultime me grupet e interesit dhe më keq akoma, theksoi Balla, ky projektligj vjen pa patur koordinimin e ministrive të linjës, një problem i ngritur në progres raportin e së mërkurës, ku thuhet se: “Draftet legjislative të ministrise se linjës, duhet të përmirësohen gjatë fazës parapërgatitore”.

“Ligji në fjalë është pikërisht shprehja më e qartë e ligjeve të dobëta që bën kuvendi i Shqipërisë. Ka theksuar edhe përfaqësia e opozitës në Komisionin e Shëndetësisë, që ky ligj është i paimplementueshëm. Sa i përket Komisionit të Integrimit Evropian, ky ligj ka probleme shumë të mëdha. Dëgjova diskutantin e maxhorancës që tha, se ky ligj implementon rekomandimet e Këshillit të Evropës, por në fakt nuk ka rekomandim të Këshillit të Evropës për këtë cështje, ka nje direktivë të Këshillit Europian. Turpi më i madh i këtij shtetit që i vendos firmën dhe kryeministri është që në relacionin përkatës që shoqëron projektligjin, gafa vjen nga qeveria që thotë se ka një rekomandim të Këshillit të Europës. Një qeveri që ngatërron Këshillin e Europës me Këshillin Europian, ky është problem shumë i madh”, tha Balla.

Deputetët Taulant Balla dhe Ethem Ruka kanë kërkuar rikthimin mbrapsht të projektligjit.

Top Channel